
Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Pietro Parolin, ka deklaruar ditën e djeshme se egziston mundësia e një “misioni paqeje” të Vatikanit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kjo deklaratë erdhi disa ditë pasi Papa Françesku zbuloi një operacion sekret në të cilin tha se po punohej.
Kardinali Parolin u shpreh i habitur që zyrtarët në Rusi dhe në Ukrainë u shprehën të befasuar lidhur me nismën e Vatikanit, kur u pyetën për komentet e Papa Françeskut. Duke folur gjatë një konference në Vatikan, Parolin tha se të dy vendet ishin informuar më parë, raporton Vatican Neës.
“Bazuar në njohuritë e mia, ata e dinë. Por, ju e dini se si shkojnë këto gjëra, në burokraci mund të ndodhë që komunikimet që supozohet të mbërrijnë nuk mbërrijnë. Këto janë vetëm interpretimet e mia, por e di që të dyja palët ishin të informuara”, ka thënë Parolin.
Papa Françesku zbuloi ekzistencën e një “misioni” të Vatikanit më 30 prill, gjatë një konference shtypi pas vizitës në Hungari.
Gjatë tre ditëve të tij në Budapest, Papa zhvilloi takime private me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili ka vazhduar të mbajë marrëdhënie me Moskën, si dhe me ish të dërguarin e Kishës Ortodokse Ruse, e cila e ka mbështetur fuqishëm luftën e Rusisë në Ukrainë.
Françesku u pyet gjatë konferencës për shtyp nëse Orban ose Mitropoliti Hilarion i Kishës Ortodokse Ruse mund ta ndihmonin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Vatikani për t’i dhënë fund luftës.
“Mund ta imagjinoni që në këtë takim nuk folëm vetëm për Kësulëkuqen, apo jo?” u përgjigj Françesku.
Ai përsëriti gatishmërinë e tij për të bërë gjithçka që duhet për t’i dhënë fund luftës.
“Gjithashtu, është një mision që po zhvillohet tani, por ende nuk është publik. Të shohim se si… Kur të jetë publike do të flas për të”, u shpreh Papa Françesku.
Lini një Përgjigje