Mette-Marit thotë se do të donte të mos e kishte takuar kurrë Jeffrey Epstein dhe pranon se nuk e verifikoi siç duhet të kaluarën e tij…
Princesha e kurorës e Norvegjisë, Mette-Marit, deklaroi për televizionin publik norvegjez se do të donte të mos e kishte takuar kurrë Jeffrey Epstein, duke thyer heshtjen 7-javore pasi u zbuluan kontaktet e saj me trafikantin seksual amerikan tashmë të ndjerë.
“Ndihem shumë e manipuluar dhe, kur dikush manipulohet, nuk e kupton këtë që në fillim”, tha Mette-Marit në një intervistë 20-minutëshe, gjatë së cilës shpesh u shfaq e prekur emocionalisht.
Shtatë javë më parë, opinioni publik në Norvegji mësoi se princesha e kurorës kishte shkëmbyer qindra email-e me Epstein midis viteve 2011 dhe 2014 dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij në Florida në një kohë kur ai vetë nuk ndodhej atje.
“Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua është të marr përgjegjësi që nuk e kontrollova më me kujdes të kaluarën e tij”, tha ajo, duke shtuar “marr përgjegjësi që u manipulova dhe u mashtrova në atë mënyrë.”
Mette-Marit kishte kërkuar më herët falje dhe kishte pranuar se kishte treguar “gjykim të dobët”, pasi natyra e afërt e marrëdhënieve të saj me Epstein doli në dritë pas publikimit të miliona dokumenteve nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në fund të janarit.
“Sigurisht që do të doja të mos e kisha takuar kurrë”, tha princesha, duke theksuar se drejtësinë e meritojnë viktimat e Epstein për abuzimet e rënda që kanë përjetuar. Ajo shtoi se ndiente zemërim që ato ende nuk e kanë marrë drejtësinë e plotë.
Vendimi i saj për të folur publikisht erdhi pas presionit të fortë publik dhe politik për të dhënë shpjegime, përfshirë edhe nga kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre, raporton BBC.
Megjithatë, gjatë intervistës, princesha dha pak detaje dhe disa prej përgjigjeve të saj u perceptuan si mbrojtëse. Në vitin 2011, tre vjet pasi Epstein ishte burgosur për kërkim marrëdhëniesh seksuale me të mitura, ajo i kishte shkruar: “të kërkova në Google pas email-it të fundit. Pajtohem, nuk dukej mirë.”
E ulur përkrah bashkëshortit të saj, princit të kurorës Haakon, Mette-Marit këmbënguli se “nuk e dinte që ai ishte shkelës seksual ose grabitqar”, edhe pse gazetarja vuri në dukje se një artikull në Wikipedia në atë kohë e përshkruante qartë Epstein si një abuzues të dënuar.
“Nuk e mbaj mend këtë; ka qenë 15 vjet më parë, për të thënë të drejtën”, tha ajo.
Princesha pranoi se i kishte besuar tepër Epstein-it. E pyetur pse as pallati mbretëror dhe as ministria e jashtme nuk dinin për lidhjet e saj me të, ajo tha se bëhej fjalë për një “kontakt privat” dhe se nuk u tregonte të gjithëve për kontaktet e saj private.
Kur u pyet pse kishte kaluar disa ditë në shtëpinë e Epstein në Palm Beach në vitin 2013, ajo shpjegoi se kjo lidhej me një të njohur të përbashkët, të cilin nuk e identifikoi. “Epstein ishte mik i ngushtë i një mikut tim të mirë”, tha ajo.
Ajo përmendi një “situatë” që e kishte bërë të ndihej në siklet ditën e fundit të qëndrimit në atë shtëpi, por refuzoi të jepte më shumë hollësi, përveç faktit se kishte telefonuar bashkëshortin për këtë ngjarje.
Princi i kurorës Haakon tha se e kujtonte mirë atë telefonatë dhe mënyrën si ajo ngjarje e kishte bërë Mette-Marit të ndihej e pasigurt. Pavarësisht këtij episodi, princesha vazhdoi të mbante kontakt me Epstein edhe për një periudhë më pas.
“Jam tepër besuese, prirem të mendoj më të mirën për njerëzit”, tha ajo. “Por vendosa gjithashtu t’i jepja fund çdo kontakti të drejtpërdrejtë me të. Dhe kjo ndodhi pikërisht për shkak të episodeve të tilla.”
Intervista u regjistrua të enjten, në ditën e fundit të procesit gjyqësor për përdhunim ndaj djalit të saj, Marius Borg Høiby. Gjyqi kishte nisur në fillim të shkurtit, pak ditë pas publikimit të dokumenteve për Epstein ku përmendej edhe Mette-Marit. Vendimi pritet të jepet në qershor, por është e qartë se ajo priti përfundimin e procesit përpara se të fliste publikisht.
Ajo u pyet edhe nëse kishte ende motivim për të vijuar rolin e saj mbretëror. Gjendja e saj shëndetësore është e brishtë dhe zbulimet e fundit për Epstein kanë shtuar dyshimet mes shumë norvegjezëve nëse ajo do të ketë kapacitetin të bëhet mbretëreshë, kur princi Haakon të ngjitet në fron.
Princesha 52-vjeçare, e cila vuan nga fibroza pulmonare, tha qartë se gjithçka varet nga gjendja e saj shëndetësore.
“Jetoj me një sëmundje serioze”, tha ajo, duke shtuar “kjo është pikërisht ajo që përcakton, fare qartë, nëse mundem në ndonjë mënyrë të vazhdoj të ushtroj rolin që kam, apo jo.”
“Do të doja shumë të qëndroja pranë tij në atë projekt vërtet të rëndësishëm dhe sfidues, nëse do ta kem mundësinë, duke pasur parasysh shëndetin tim.”
Bashkëshorti i saj tha se, pas më shumë se 25 vitesh martesë, ata vazhdojnë të qëndrojnë së bashku. “Në fund të fundit, ky është projekti ynë, që po e bëjmë së bashku”. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje