TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Qershor 2024, 18:04

U dhunua në qendër të Kopenhagës, si paraqitet gjendja shëndetësore e kryeministres daneze

Shkruar nga Pamfleti

 

U dhunua në qendër të Kopenhagës, si paraqitet gjendja

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cila u sulmua me grusht nga një person një ditë më parë në qendër të Kopenhagës,  ka pësuar dëmtime të lehta në qafë, por ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Megjithatë, ajo ka anuluar të gjitha angazhimet publike për shkak se nga sulmi ka pësur ndrydhje të qafës.

39-vjeçari i dyshuar për sulmin ndaj kryeministres daneze, mund të ketë vepruar pa motive politike, thonë autoritetet.

Siç saktësohet, atij i është caktuar masa e paraburgimit për 12 ditë, pra deri më 20 qershor. I dyshuari po murmuriste dhe dukej i humbur në momentin e arrestimit të tij, thanë prokurorët gjatë seancës dhe po ashtu dukej i dehur.

Sipas aktakuzës, ai ka goditur me grusht dorën e djathtë të kryeministres. Sulmi i të premtes erdhi dy ditë përpara se votuesit danezë të shkojnë në qendrat e votimit në zgjedhjet evropiane, dhe pas disa incidenteve të dhunës kundër politikanëve në Evropë .

Në maj, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u qëllua dhe u plagos rëndë. Një anëtar i Parlamentit Evropian nga Partia Social Demokrate (SPD) e Gjermanisë u godit teksa vendoste postera në Dresden. Një senator gjerman u dërgua për pak kohë në spital pasi u godit në kokë.

Të martën, një kandidat për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa für Deutschland (AfD) u godit me thikë në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Mannheim.

Udhëheqësit evropianë dënuan sulmin në Danimarkë. Presidenti francez, Emmanuel Macron , e quajti sulmin “të papranueshëm”.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, tha se ishte “thellësisht e tronditur”, ndërsa presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se ishte “i tmerruar nga sulmi frikacak”.

Shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, gjithashtu dënoi atë që ajo e quajti një “akt të neveritshëm që shkon kundër gjithçkaje që ne besojmë dhe luftojmë në Evropë”, në një deklaratë në mediat sociale.

Lini një Përgjigje