
Vijat ndarëse kryesore në këto zgjedhje, kalojnë përgjatë ekonomisë, emigracionit dhe luftës së vazhdueshme në Ukrainë, të cilës BE-ja i ka dhënë miliarda euro ndihmë mbështetje.
Miliona njerëz në të gjithë Bashkimin Evropian, do të shkojnë sot dhe nesër në qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare të bllokut. Parlamenti Evropian, është e vetmja asamble transnacionale në botë e zgjedhur drejtpërdrejt me votë, dhe ligjet që harton dhe miraton kanë efekte të gjera në jetën e njerëzve në shtetet anëtare të BE-së. Ja 4 gjëra që duhen ditur mbi mentalitetin e elektoratit të BE-së:
1. Udhëheqja e BE-së po fiton miratimin e qytetarëve në pjesën më të madhe të bllokut
Miratimi mesatar i lidershipit të BE-së midis shteteve të saj anëtare, është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2012, jo shumë kohë pas krizës financiare globale dhe krizës së borxhit të eurozonës, pëlqyeshmëria ishte në pikën më të ulët të regjistruar, 40 për qind.
Një dekadë më pas, gati 2/3 e qytetarëve janë dakord me punën e saj. Nga rritja e mbështetjes bëjnë përjashtim 3 vende, ku ajo mbetur e njëjtë: Luksemburgu, Sllovakia dhe Bullgaria. Pjesa më e madhe e vlerësimit të shtuar për Brukselin, vjen nga disa vende të goditura më rëndë nga kriza globale financiare e vitit 2008 dhe kriza evropiane e borxhit, si Islanda, Spanja, Portugalia, Irlanda dhe Greqia. Nga ana tjetër është rritur në afro 1/3 numri i qytetarëve që janë të pakënaqur me udhëheqjen e BE-së.
2. Më shumë emigrantë, më shumë pranim i tyre
Rastet e migrimit të ligjshëm dhe të paligjshëm drejt BE-së, kanë ardhur në rritje vitet e fundit. Parlamenti Evropian miratoi kohët e fundit një “Pakt të madh për Azilin dhe Migracionin”, që do të shtrëngojë rregullat e hyrjes, dhe do kërkojë nga shtetet anëtare të ndajnë përgjegjësinë për azilkërkuesit.
Por ai do të hyjë në fuqi vetëm në vitin 2026. Shumë parti të ekstremit të djathtë pritet të përfitojnë jo pak, pasi e kanë bërë migrimin një pjesë qendrore të fushatës së tyre. Gallup ka zbuluar më herët se pranimi i emigrantëve, parashikon edhe miratimin e punës së BE-s.
Rezultatet e indeksit variojnë nga 0 në 9, me pikët më të larta që tregojnë pranim më të lartë. Pranimi i emigrantëve është edhe i lidhur ngushtë me nivelet reale të migrimit në të gjithë Evropën. Sa më e lartë të jetë përqindja e popullsisë së një vendi të BE-së të lindur jashtë bllokut, aq më i pranueshëm është ky vend ndaj emigrantëve. Irlanda ka pikët më të larta në Indeksin e Pranimit të Emigrantëve (8.0), ndërsa Kroacia nivelin më të ulët (1.9).
3. Ringjallet optimizmi ekonomik, por sërish në nivele më të ulëta se para pandemisë
Ndërsa ekonomia është vetëm një nga faktorët në këto zgjedhje, të cilat do të përcaktohen nga një mori çështjesh dhe aleancash të tjera politike kombëtare, ajo mbetet e rëndësishme për votën. Ekonomia evropiane ka përjetuar disa vite të trazuara. Pas pandemisë Covid-19 dhe mbylljeve, inflacioni ishte në 11.5 për qind në tetor 2022, pika e tij më e lartë ndër vite. Ndërkohë, pushtimi rus i Ukrainës solli rritjen e çmimeve globale të energjisë.
Vitin e kaluar, në të gjitha vendet anëtare të BE-së, mesatarisht 41 për qind e qytetarëve mendonin se ekonomia e tyre po përmirësohej, nga 30 për qind në vitin 2022. Gjithsesi gjërat nuk janë kthyer ende në nivelet e para-pandemisë. Në vitet 2018-2019, 45 për qind e qytetarëve në të gjitha shtetet anëtare, e ndjente përmirësimin e ekonomisë së tyre lokale, niveli më optimist që nga viti 2007, pak para shpërthimit të krizës financiare globale.
4. Putin mbetet një problem, ndërsa po ndryshojnë balancat e ndikimit
Në të gjithë vendet anëtare, miratimi mesatar i punës së BE-së, ka qenë vazhdimisht më i lartë se ai i Rusisë, por kjo marrëdhënie ka ndryshuar me kalimin e kohës. Vlerësimet mesatare të miratimit të të dyjave, ranë me ritme të ngjashme midis viteve 2009-2013. Mospëlqimi për lidershipin e Rusisë, shënoi një nivel të ri të ulët prej 55 për qind në vitin 2014, kur Putin dërgoi për herë të parë trupa në Ukrainë dhe Krime. Gjatë viteve 2015- 2021, Rusia rifitoi gradualisht një imazh më pozitiv midis vendeve anëtare të BE-së, me një vlerësim pozitiv prej 36 për qind. Por kur pushtoi gjithë Ukrainën në vitin 2022, këto përfitime modeste u zhdukën.
Hendeku në miratimin midis BE-së dhe Rusisë midis vendeve anëtare të BE-së, është në pikën e tij më të gjerë në histori. Kjo është e rëndësishme, pasi BE-ja synon të paraqitet si një front të unifikuar në mbrojtje të Ukrainës. Ndërsa vendet anëtare ndihen më fort ndaj mosmiratimit të Moskës sesa miratimit të Brukselit, mbetet e vërtetë se këto shtete janë aktualisht më të lidhura me Perëndimin sesa Rusinë në çdo moment gjatë 15 viteve të fundit.
Vetëm Bullgaria i jep BE-së dhe Rusisë vlerësime të barabarta miratimit (plus 6 për qind secila). Greqia, Sllovakia, Hungaria dhe Qiproja, kanë dallimet më të vogla në miratimin neto midis BE-së dhe Rusisë. Zgjedhjet parlamentare të BE-së janë të rëndësishme, jo vetëm për mënyrën se si qeveriset BE-ja dhe drejtimin politik të bllokut gjatë 5 viteve të ardhshme, por edhe sepse ato zbulojnë ndjenjat politike kombëtare brenda shteteve anëtare.
Vijat ndarëse kryesore në këto zgjedhje, kalojnë përgjatë ekonomisë, emigracionit dhe luftës së vazhdueshme në Ukrainë, të cilës BE-ja i ka dhënë miliarda euro ndihmë mbështetje. Pasi të shpallen rezultatet, mbetet të shihet se si efektet e ekonomisë, migrimit dhe luftës në Ukrainë, do të ndryshojnë ndjenjën e publikut ndaj bllokut në vitet e ardhshme.
Shënim: Benedict Vigers, konsulent në kompaninë e sondazheve Gallup. Zacc Ritter, studiues dhe menaxher projektesh në këtë organizatë./ Përshtati: "Pamfleti", Nga: “Diplomatic Courier”
Lini një Përgjigje