
Pretendimi se po zbatohen reformat, dhe se po përvetësohen standardet evropiane, ndërsa në të vërtetë janë të interesuar vetëm për të pasur qasje tek fondet evropiane, është një formë e zakonshme hipokrizie në mesin e politikanëve ballkanikë.
Kur Jean-Claude Juncker u bë president i Komisionit Evropian në vitin 2014, deklaroi se negociatat e anëtarësimit do të vazhdonin gjatë 5 viteve të ardhshme, veçanërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor, por nuk do të kishte një zgjerim të ri para vitit 2020.
Deklarata e tij u kritikua aq ashpër në Ballkanin Perëndimor, sa që Junker u detyrua të zbuste tonin e tij. Dhjetë vjet më vonë, asnjë kandidat i Ballkanit Perëndimor nuk është anëtarësuar në BE. Por për shumicën e politikanëve në këto vende, kjo nuk është ndonjë arsye për të qenë të pakënaqur.
Pasi për ta, rrugëtimi i pafundmë drejt Bashkimit Evropian, duket si një perspektivë e denjë.
Pretendimi se po zbatohen reformat, dhe se po përvetësohen standardet evropiane, ndërsa në të vërtetë janë të interesuar vetëm për të pasur qasje tek fondet evropiane, është një formë e zakonshme hipokrizie në mesin e politikanëve ballkanikë.
Por edhe hyrja në BE, nuk përbën një mbrojtje të sigurt ndaj proceseve jo-demokratike. Disa vende të Ballkanit Perëndimor, kanë treguar ose shenja negative edhe pas anëtarësimit në BE, ose përballen me sfida të forta të brendshme që po e dëmtojë seriozisht sistemin demokratik.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, politika e zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është bërë më e vendosur. Tani çështja nuk është nëse BE-ja i dëshiron këto vende, por nëse mund t’i lërë apo jo jashtë. Ndërsa Rusia po ringjall ambiciet e saj imperialiste, duke parashikuar ndërtimin e një Euroazie që shtrihet “nga Lisbona në Vladivostok “ (siç e ka shprehur hapur ish-presidentin rus Dmitry Medvedev), rreziku i ekspozimit të një pjese të Evropës ndaj ndikimit të Kremlinit është shumë i madh për BE-në.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e përshkroi së fundmi zgjerimin e BE-së si një “domosdoshmëri gjeopolitike”, duke thënë se unioni nuk ka luksin të lejojë ekzistencën e “zonave gri”' në Ballkan. Ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, thotë se vendet kandidate, përfshirë Ballkanin Perëndimor, kanë një “dritare historike mundësish” për ta lidhur të ardhmen e tyre me BE-në.
Në një samit të dhjetorit të vitit të kaluar, krerët e BE-së i bënë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të ndërmarrin reforma vendimtare për të përshpejtuar pranimin. Deklarata që miratuan në fund të samitit, e vinte theksin tek sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe ndryshimet ekonomike.
Samiti i premtoi rajonit mbi 6 miliardë euro ndihmë, të kushtëzuara me zbatimin e reformave të tilla. Por kjo ndjenjë optimiste mund të mos zgjasë pafundësisht. Nuk ka asnjë front të bashkuar evropian, dhe as një konsensus universal se Rusia përbën kërcënimin kryesor.
Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ka të ngjarë që të ketë më shumë eurodeputetë dashamirës ndaj Kremlinit dhe kundër zgjerimit të BE-së sesa gjatë legjislaturës aktuale. Megjithatë, sfida qendrore mbeten realitetet politike në vetë shtetet e Ballkanit.
Së pari problem është anti-evropianizmi i Serbisë. Kanë kaluar 5 vjet që kur Serbia hapi kapitullin e fundit të negociatave të saj me BE-në. Edhe pse integrimi nuk ka përfunduar, regjimi në Beograd po bën gjithçka që ka në dorë për të larguar Serbinë nga BE. I gjithë pushteti në vend qëndron në duart e një njeriu: Aleksandar Vucic.
Presidenti serb zgjedh kryeministri dhe kontrollin gjithë ministrat. Shumica e mediave janë në anën e tij, ndërsa linçimi mediatik i kundërshtarëve politikë dhe kritikëve të qeverisë është një dukuri e përditshme. Të gjitha institucionet shtetërore, i janë nënshtruar partisë në pushtet dhe zgjedhjet e lira janë të pamundura.
Korrupsioni është i përhapur dhe ndërthurja e strukturave politike dhe kriminale, është shumë komplekse që të mund të zbulohen nga gazetarët investigativë. Në vend se të përqafojë standardet e BE-së për sundimin e ligjit , lirinë e medias dhe normat demokratike, Vucic duket i vendosur për të krijuar një satelit rus në Ballkan, edhe pse Beogradi pranon investimet dhe ndihmën evropiane.
Mali i Zi është në krye të integrimin euroatlantik. Ai iu bashkua NATO-s në vitin 2017, ka hapur të 33 kapitujt e negociatave, dhe arriti të frenojë ndikimin rus. Por pas zgjedhjeve të vitit 2020, që i dhanë fund dekadave të qeverisjes nga DPS e Milo Djukanovic, qeveria e re i ka lënë dorë të lirë përhapjes së ndikimit të Moskës.
Në vitin 2021, Vladimir Bozovic, themeluesi i gazetës online IN4S, u emërua rektor i Universitetit të Malit të Zi. IN4S është një nga përhapëset më të zjarrta të propagandës së Kremlinit dhe narrativës së Serbisë së Madhe, përfshirë mohimin e vazhdueshëm të gjenocidit në Srebrenicë.
Po ashtu ka një rritje të ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe (KPS) në politikën e vendit, duke ngritur shqetësime mbi zhdukjen e laicizmit. Përfaqësuesit e KPS-së janë bërë lojtarë të rëndësishëm në jetën politike. Ata konsultohen shpesh nga zyrtarët publikë për çështje të ndryshme me rëndësi kombëtare.
Nëse ndikimi keqdashës rus dhe serb lihet i pakontrolluar, Mali i Zi mund të jetë i pari ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që i bashkohet BE-së, por ai mund të ndjekë një rrugë të ngjashme me Hungarinë. Një vend tjetër problematik është Bosnje Hercegovina. Ajo mori statusin e kandidatit në dhjetor 2022, dhe i nisi negociatat në mars të këtij viti.
Një raport i dorëzuar Kombeve të Bashkuara nga Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjen, thotë se autoritetet e Republikës Srpska, një njësi e federatës e udhëhequr nga Milorad Dodik, po minon në mënyrë aktive shtetin boshnjak, kompetencat, institucionet e tij dhe vetë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.
Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet e vetmja që nuk e ka marrë ende statusin e kandidatit për në BE, pavarësisht se ka aplikuar që në dhjetor 2022. Pesë vende anëtare të BE-së - Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – nuk e njohin Kosovën si një vend sovran.
Për vite me radhë, BE-ja ka ndërmjetësuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Këto përpjekje janë penguar vazhdimisht nga Serbia, e cila refuzon të pranojë pavarësinë e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është dukshëm pro-perëndimore dhe pro-evropiane, duke e parë vendin si pjesë të botës euroatlantike. Por strukturat politike të BE-së duket se favorizojnë Serbinë, me regjimin e Partisë Progresiste Serbe (SPS) që kontrollon zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dhe i përdor ato si një forcë destabilizuese.
Demokracia ka bërë hapa pas në 2 vende anëtare të BE, Kroacia dhe Sllovenia. Për të gjashtin vit radhazi, Freedom House e përshkroi Kroacinë si një vend me shumë defiçite demokratike, dhe me një korrupsioni të përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Ndërsa qeveria populiste e Andrej Plenkovic është problematike për shkak të nacionalizimit dhe qasjes së ashpër ndaj emigrantëve, presidenti kroat Zoran Milanovic ka pikëpamje të forta pro-ruse. Nga shtetet ish-jugosllave, Sllovenia ka përparuar më tej në normat demokratike.
Por demokracia e saj, u përball me një provë të fortë gjatë mandatit të tretë të Janez Jansa si kryeministër në vitet 2020- 2022. Partia Demokratike e Jansas u përplas me partnerët e BE-së dhe u përpoq ta drejtonte Slloveninë drejt një autokracie jo-liberale të stilit Orban. Shoqëria civile rezistoi përmes protestave të vazhdueshme deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në prill 2022, ku Jansa pësoi një disfatë të rëndë./ Marrë nga “Eurozine”, përshtati "Pamfleti"
Lini një Përgjigje