TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Qershor 2024, 11:30

Pse mund të dështojë menaxhimi i azilantëve në Shëngjin, në fund Rama do t’ia lërë fajin Melonit

Shkruar nga Paolo Rossetti

Pse mund të dështojë menaxhimi i azilantëve në

Meloni ka vënë bast tek parimi i parandalimit: shpreson që përballë mundësisë për t’u çuar në Shqipëri, emigrantët nuk do të largohen.

Franca po reagon me shpejtësi ndaj aktivizmit italian në Afrikën e Veriut. Parisi ka dërguar një delegacion me drejtues kompanish në Kirenaika, në përpjekje për të nënshkruar disa kontrata për rindërtimin e qytetit të Derna-s në Libi, pas përmbytjes katastrofike të vitit të kaluar.

Aktualisht, Roma duket se ka një avantazh ndaj Parisit nga pikëpamja e ndikimit që ushtron në vende si Libia dhe Tunizia. Ndaj Macron nuk ka gjasa të mbështesë nismat italiane, madje as ato në drejtim të kontrollit të flukseve migratore. Pikërisht prej andej, shpjegon Mauro Indelicato, gazetar i Il Giornale dhe InsideOver, nga ujërat ndërkombëtare në brigjet e Afrikës, do të mbërrijnë edhe emigrantët që do të transferohen në qendrat që po ndërton qeveria italiane në Shqipëri.

Plani i Giorgia Melonit, është t’i nxitë njerëzit që të mos nisen drejt Italisë, duke qenë të vetëdijshëm se mund të dërgohen fillimisht në qendrat italiane të ngritura në Shqipëri, për të kontrolluar statusin e tyre dhe për të vlerësuar mundësinë e azilit. Megjithatë, çështjet që duhen zgjidhur që të funksionojë siç duhet ky projekt janë të ndryshme.

Nga logjistika, për shkak të nevojës për të transportuar njerëz nga ujërat libiane tek qendra në Shqipëri, tek kostot e operacionit, dhe deri tek ankesat thuajse të sigurta që do të paraqiten në gjykata në lidhje me trajtimin e emigrantëve. Një seri të panjohurash, të cilat hedhin njëfarë hijeje mbi suksesin e këtij plani.

Një delegacion kompanish franceze, mes të cilëve emra të mëdhenj si Vinci dhe Sanofi, shkuan së fundmi në Libi për të siguruar disa kontrata për rindërtimin e Dernas. A po rivalizon direkt Franca me Italinë për ndikim në atë rajon?

Është e qartë që francezët po përpiqen të konkurrojnë me ne, sepse Italia është shumë aktive muajt e fundit. Më 2 qershor, pati një pritje në konsullatën italiane në Bengazi me praninë e misionit në detyrë të OKB-së në Libi, dhe me të ftuar shumë të rëndësishëm. Në atë ceremoni, konsulli njoftoi rikthimin e lidhjeve direkte detare midis Italisë dhe Libisë Lindore. Kjo do të thotë s e marrëdhëniet tona me Kirenaika janë shumë të ngushta. Jemi ndër të paktat vende që kemi përfaqësi diplomatike në Bengazi, dhe po punojmë fort edhe për rindërtimin e Dernas pas përmbytjes së rëndë. Franca, që deri pak kohë më parë mund të mburrej me marrëdhënien e ngushtë me gjeneralin Haftar, nuk dëshiron të qëndrojë mënjanë.

Meloni dëshiron ta bëjë një projekt evropian Planin Mattei. A mund të na ndjekë Franca në këtë drejtim, apo do të na krijojë pengesa, pasi projekti nuk është i saj?

Franca s’ka asnjë interes që t’ia ofrojë në një pjatë të argjendtë suksesin politik Italisë. Si për shkak se ata janë konkurrentë me ne në Libi, por edhe sepse marrëdhëniet personale midis Macron dhe Melonit nuk janë idilike. Ata kanë pasur shpesh përplasje të forta. Unë nuk mendoj se Franca do të ndjekë planin italian. Ndoshta mund të mos na vendosë shkopinj nën rrota, por do të shohë vetëm interesat e saj.

A mund të prishë planet tona për kontrollin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm?

Ajo e ka bërë tashmë diçka të tillë. Në rastin e çështjes së anijes me emigrantë “Ocean Viking”, që nuk zbarkoi në Itali por përfundoi në Francë, Parisi pezulloi marrëveshjet me Italinë për rishpërndarjen e emigrantëve. Francezët mund të përpiqen të bëjnë propozime që nuk janë të ngjashme me ato të Italisë ose të pengojnë kërkesat tona për ndërhyrje në Evropë.

Hapja e qendrave të emigrantëve në Shqipëri ka lidhje me Libinë. Për të shmangur akuzat për dëbim të paligjshëm, personat e transferuar në territorin shqiptar do të gjurmohen dhe kapen në ujërat jo-evropiane pranë Libisë dhe Tunizisë. Sa e dobishme mund të jetë kjo nismë për zgjidhjen e këtij problemi, dhe çfarë vështirësish mund të hasen në zbatimin e tij?

Nuk do të ketë probleme me dëbimet, pasi emigrantët do të merren direkt në ujërat territoriale që nuk i përkasin Evropës dhe do të dërgohen në Shqipëri. Por do të ketë probleme kryesisht logjistike:nga deti libian apo tunizian deri në bregdetin shqiptar, distanca është më e madhe se ajo me Lampedusën apo portet e tjera siçiliane apo të tjera të jugut. Ndoshta do të ketë vetëm një anije në dispozicion, e cila jo gjithmonë do të jetë në gjendje të udhëtojë nga ujërat ndërkombëtare.

Çfarë problemesh të tjera mund të lindin?

Për emigrantët nuk do të kujdeset Shqipëria por Italia. Qendrat që do të krijohen janë një lloj enklavë italiane, e menaxhuar nga forcat italiane. Mbetet të shohim shpejtësinë me të cilën do të shqyrtohen aplikimet për azil, si do të shpërndahen njerëzit në Itali dhe sa shpejt do të ndodhë kjo.

Nëse do të kemi sërish një situatë fluksesh të jashtëzakonshme si ajo e vitit të kaluar, ekziston rreziku për t’u përballur me kosto të mëdha, qoftë edhe për transportin e njerëzve nga Libia në Shqipëri. Meloni ka vënë bast tek parimi i parandalimit: shpreson që përballë mundësisë për t’u çuar në Shqipëri, emigrantët nuk do të largohen. Por kjo mbetet të shihet.

A është një plan që plotëson edhe nevojat e libianëve? Duke ua marrë emigrantët, i lehtësojmë ata nga puna?

Sa më shumë ndërhyrje të bëjë marina italiane, aq më pak ndërhyjnë do të bëjnë autoritetet libiane dhe tuniziane. Ky është i vetmi aspekt pozitiv nga pikëpamja humanitare. Është më mirë që emigrantët të përfundojnë në një qendër italiane, sesa të kthehen në Libi. Sepse atje mund të transferohen në qendrat qeveritare me mbikëqyrje ndërkombëtare, por shpesh përfundojnë edhe në objekte të menaxhuara nga trafikantët, ku nuk respektohen të drejtat e njeriut.

A mundet që aktiviteti i autoriteteve italiane në det pranë Libisë dhe Tunizisë t’i nxitë trafikantët të ndryshojnë rrugët, ndoshta duke filluar më shumë nisjen nga Kirenaika dhe jo më drejt Italisë por Greqisë apo diku tjetër?

Edhe mundet. Rrjedhat e emigrantëve janë si një lumë në një përmbytje: nëse një rrjedhë mbyllet ose zvogëlohet qoftë edhe pak, do të hapen të çara diku tjetër. Mbetem të presim dhe të shohim nëse do të funksionojë plani i Italisë.

Ndër çështjet me jetike të planit, mund të jetë mundësia e një sërë apelimesh ligjore nga emigrantët...

Kjo është lehtësisht e parashikueshme. Për shembull, do të shihet nëse do të respektohen afatet për analizimin e aplikimeve për azil. Melonit shpreson se duka ua bërë të ditur emigrantëve se nuk kanë tashmë garanci se mund të mbërrijnë në Itali, fluksi i emigrantëve do të reduktohet. Është e vetmja gjë që mund të funksionojë. Për pjesën tjetër do të ketë probleme logjistike dhe gjyqësore, të cilat do të lindin kur të mos dihet çfarë të bëhet me personat e transferuar në qendrat në Shqipëri.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka qenë shumë dorëjashtë në lidhje me funksionimin e qendrave që janë pjesë e marrëveshjes me Italinë. Nuk do të ketë asnjë përgjegjësi?

Rama është një politikan dinak. Ai di sesi ta kalojë përgjegjësinë apo fajin tek të tjerët. Qëndrimi i tij është i qartë:“Kemi zgjatur dorën e bashkëpunimi, por projekti është italian!”. Nëse shkon mirë, merita do të jetë edhe e tij. Nëse gjërat shkojnë keq, faji do të jetë vetëm i Melonit./ Përshatati: "Pamfleti", Nga: “Il Sussidiario” 

Lini një Përgjigje