
Turqia pritet të dërgojë të dielën katër avionë luftarakë në pjesën veriore të Qipros, e cila kontrollohet nga turkoqipriotët, sipas informacioneve të publikuara nga gazeta turkoqipriote “Yeni Düzen”.
Sipas “Protothema”-s, avionët do të ulen në aeroportin e Tymbos, i cili operon në territorin e kontrolluar nga autoritetet turkoqipriote. Raporti thekson se masat e sigurisë në aeroport janë shtuar ditët e fundit.
Gazeta lidh këtë lëvizje me zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe me një sulm të raportuar ndaj bazave britanike në Qipro. Sipas të njëjtit burim, Ankaraja po vepron në kuadër të rolit të saj si “fuqi garantuese”, duke synuar forcimin e mbrojtjes së administratës turkoqipriote.
“Yeni Düzen” shkruan se deri tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga autoritetet turkoqipriote për vendosjen e avionëve.
Ndërkohë, burime nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë deklaruan se, në dritën e zhvillimeve të fundit, po zhvillohet një planifikim gradual për të garantuar sigurinë e “Republikës Turke të Qipros Veriore”. Sipas këtyre burimeve, vendosja e avionëve luftarakë F-16 në ishull është një nga opsionet që po shqyrtohen.
Vendosja e mundshme e avionëve vjen në një moment kur tensionet në rajonin e Mesdheut Lindor mbeten të larta dhe çështja e Qipros vazhdon të jetë e pazgjidhur në planin ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje