Përtej retorikës triumfaliste, Uashingtoni dhe Jerusalemi mbeten spektatorë të pafuqishëm përballë proceseve të brendshme që do të formësojnë Iranin e pasluftës. Përfundimi i këtij konflikti nuk është në duart e SHBA-së apo Izraelit, por do të diktohet nga përplasja mes tri skenarëve: mbijetesës teokratike, tranzicionit hibrid ose kolapsit total.
Nuk ka më rëndësi se çfarë mund të kishte ndodhur nëse SHBA-ja do t’u përmbahej marrëveshjeve bërthamore të epokës Obama, apo cilindo prej skenarëve hipotetikë “po sikur” që nga përmbysja e qeverisë demokratike të Iranit nga CIA në vitin 1953. Historia e marrëdhënieve iraniano-amerikane është e mbushur me mundësi të humbura dhe llogaritje të gabuara, por e vetmja gjë që peshon realisht sot është e ardhmja e afërt.
Dhe kjo e ardhme mund të përmblidhet në tri trajektore kryesore: një konsolidim i detyruar i regjimit klerik përmes negociatave pragmatike (Republika Islamike 2.0), një kalim i vështirë drejt një qeverisjeje hibride laike, ose skenari ogurzi i kaosit total dhe shpërbërjes shtetërore sipas modelit libian.
Një nga siguritë e pakta në këtë peizazh të paqëndrueshëm është se Lindja e Mesme, e krijuar në mënyrë të ngathët nga “Lufta kundër Terrorizmit” e SHBA-së, tashmë i përket arkivave të historisë.
Ajo epokë, e karakterizuar nga ndërhyrjet masive tokësore, eliminoi Irakun si fuqi balancuese rajonale dhe e zëvendësoi atë me një Iran gjithnjë e më ekspansionist dhe të guximshëm.
Ndërhyrjet ushtarake amerikane, paradoksalisht, asgjësuan dy armiqtë kryesorë kufitarë të Teheranit - Irakun e Sadamit dhe Afganistanin e Talibanëve - duke i hapur rrugën dominimit iranian në “Gjysmëhënën Shiite”.
Kjo zhvendosje gjeopolitike i shtyu shtetet e Gjirit drejt një orbite ushtarake më të ngushtë me Uashingtonin, ndërkohë që varësia amerikane nga nafta e rajonit u zbeh. Ngushtica e Hormuzit, dikur “Imperativi Nr.1” i politikës së jashtme amerikane që nga vitet 1970, ka humbur peshën e saj absolute për sigurinë energjetike të SHBA-së.
Rajoni u polarizua kështu në dy blloqe fuqie të papajtueshme: Irani, i mbështetur nga një program bërthamor në prag të përfundimit dhe një rrjet milicish në Irak, Jemen, Liban e Gaza; dhe blloku SHBA-Izrael-Gjiri, i mbrojtur nga arsenali bërthamor izraelit dhe teknologjia superiore perëndimore.
Në këtë ekuacion të tensionuar, Rusia dhe Kina mbetën aktorë dytësorë: Moska e izoluar në enklavën e saj siriane dhe Pekini si një konsumator i madh nafte, por politikisht i pafuqishëm për të projektuar forcë.
Kjo status-quo e brishtë dukej se do të vijonte deri në ardhjen e “Trump 2.0”, i cili ndryshoi rrënjësisht rregullat e lojës. Duke i dhënë Izraelit liri të plotë për të asgjësuar infrastrukturën e Hamasit dhe Hezbollahut, dhe duke neutralizuar lëvizjen Huthi në Jemen, SHBA-ja nisi të çmontonte me shpejtësi rrjetin e mbrojtjes së jashtme të Iranit. Këto goditje, u pasuan nga bombardimet e drejtpërdrejta të kapaciteteve bërthamore iraniane, duke shënuar fundin e rolit tradicional frenues të Uashingtonit. Nëse Irani nuk zotëron një arsenal bërthamor të fshehur për “Ditën e Gjykimit”, statusi i tij si fuqi hegjemone rajonale do shkërmoqet me shpejtësi.
Pyetja kritike mbetet: çfarë do të ndodhë në Teheran të nesërmen? Skenari i parë, ai i Republikës Islamike 2.0, mbetet më i mundshmi për shkak të strukturës unike të shtetit iranian.
Aparati teokratik i sigurisë është projektuar për të mbrojtur sistemin (nezam) dhe jo një individ të vetëm. Me një rrjet të gjerë spiunazhi të brendshëm dhe Gardën Revolucionare (IRGC) si shtyllë kurrizore, regjimi mund të shfrytëzojë ndjenjat e thella fetare dhe nacionaliste për të mbajtur kontrollin.
Ndryshe nga monarkitë e Gjirit, Teherani nuk i trembet një revolucioni islamik, pasi ai vetë është produkt i vitit 1979. Në këtë skenar, një Iran i dobësuar ushtarakisht do të detyrohej të negociojë një ‘modus vivendi’ me SHBA-në për hir të mbijetesës ekonomike, duke sakrifikuar ambiciet rajonale për të ruajtur pushtetin e brendshëm.
Skenari i dytë parashikon një qeverisje hibride laike, një lloj “Rruge e Tretë”, ku klerikët mbajnë autoritetin moral dhe kontrollin shoqëror, ndërsa teknokratët civilë marrin përsipër diplomacinë, ekonominë dhe ushtrinë konvencionale.
Edhe pse ky duket si opsioni më racional për stabilitetin afatgjatë, ai mbetet i vështirë për t’u realizuar. Mungesa e strukturave bashkëpunuese midis elitave dhe mosbesimi i thellë i Izraelit ndaj çdo forme të shtetit iranian, e bëjnë tejet të pasigurt këtë tranzicion .
Për më tepër, ideja e një kryengritjeje masive popullore që vendos një demokraci liberale perëndimore, mbetet kryesisht një fantazi perëndimore. Pa një udhëheqje të organizuar kombëtare, siç ishte Ajatollahu Khomeini në vitin 1979, masat popullore e kanë thuajse të pamundur të mposhtin një forcë të armatosur dhe ideologjike si Garda Revolucionare.
Së fundmi, skenari i tretë dhe më i rrezikshmi për sigurinë globale është ai i kaosit total. Nëse fushatat e bombardimeve, arrijnë të shkatërrojnë jo vetëm objektet ushtarake, por edhe shtyllat e rendit publik dhe infrastrukturën civile, Irani mund të rrëshqasë drejt një “kaosi libian”.
Në një shtet me 92 milionë banorë, pushimi i funksionimit të policisë dhe ushtrisë do të krijonte një vakum pushteti të paprecedentë. Fraksione rivale të IRGC-së mund të luftonin midis tyre për kontrollin e mbetjeve të raketave balistike, ndërsa pakicat e shumta etnike, me kurdët në krye, do të shfrytëzonin momentin për të kërkuar pavarësinë.
Një destabilizim i tillë, do të kërkonte forca paqeruajtëse ndërkombëtare në një territor tejet kompleks dhe armiqësor. Se si mund të përfundojë kjo luftë mbetet në dorë të fatit, pasi vetëm të mashtruarit në Uashington dhe Jerusalem, besojnë se kanë ndikim vendimtar mbi forcat sociale dhe politike që do të shpërthejnë brenda Iranit të pasluftës./Pamfleti nga “The American Conservative”
Lini një Përgjigje