Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se pas përballjes me Iran, vendi tjetër që mund të përballet me presion të fortë amerikan është Kuba.
Shtetet e Bashkuara synojnë që së pari të përfundojnë operacionin ushtarak kundër Iranit dhe më pas të fillojnë përgatitjet për veprimet e mëtejshme në lidhje me Kubën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e bëri këtë deklaratë në një aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.
“Marco, po bën një punë fantastike. Po bën një punë fantastike me një vend të quajtur Kubë”, tha ai.
Kreu i administratës iu drejtua Marco Rubios, Sekretarit të Shtetit të SHBA-së dhe gjithashtu këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare.
Sipas Trump, “ajo që po ndodh me Kubën është e mahnitshme”. “Por ne duam ta mbyllim këtë së pari”, tha ai, duke iu referuar fushatës ushtarake kundër Iranit.
“Është vetëm çështje kohe para se ju dhe shumë njerëz të tjerë të jashtëzakonshëm [nga Shtetet e Bashkuara] të ktheheni në Kubë. Shpresojmë, jo të qëndroni atje. Ne ju duam të ktheheni”, vazhdoi Trump, duke iu drejtuar Rubios, i cili është me prejardhje kubaneze.
Në një intervistë për Politico, ai gjithashtu parashikoi rënien e regjimit kuban dhe theksoi se politikat e administratës së tij kanë rritur presionin ekonomik ndaj ishullit.
Trump hodhi poshtë shqetësimet për ndikimin e luftës me Iranin në ekonominë amerikane dhe në çmimet e karburantit, duke pretenduar se operacioni ushtarak gëzon mbështetje nga votuesit amerikanë. Megjithatë, disa sondazhe publike tregojnë se opinioni publik mbetet i ndarë për këtë konflikt.
Ndërkohë konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë sot në ditën e shtatë, me bombardime të reja nga Izraeli mbi Teheran dhe Bejrut.
Ushtria izraelite deklaroi se objektivat kryesore ishin “infrastruktura e regjimit” në Iran dhe bazat e Hezbollahut në Liban.
Shefi i shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, tha se faza e parë e sulmeve kishte si synim vendosjen e “superioritetit ajror” dhe shkatërrimin e bazave të raketave balistike, duke paralajmëruar “surpriza të tjera” në fazat e ardhshme.
Gjatë natës, avionët izraelitë kryen valën e katërmbëdhjetë të bombardimeve mbi Iran, me shpërthime të forta të raportuara në Teheran dhe qytete të tjera.
BBC shkruan se në Izrael, sirenat paralajmëruese për raketa iraniane u dëgjuan disa herë, duke shkaktuar panik, por pa viktima. Në jug të Bejrutit, shpërthime të tjera tronditën lagjet pasi ushtria izraelite u kërkoi banorëve të largoheshin.
SHBA-të paralajmërojnë rritje të sulmeve ndaj Iranit
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se “fuqia e zjarrit mbi Iranin dhe Teheranin do të rritet ndjeshëm”. Ai konfirmoi se përdorimi i bazës britanike Diego Garcia do t’i japë Uashingtonit mundësi të intensifikojë operacionet.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi se Mbretëria e Bashkuar po dërgon katër avionë luftarakë Typhoon shtesë në Katar dhe ka lejuar SHBA-të të përdorin bazat britanike për “operacione mbrojtëse”.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump deklaroi se nuk po mendon të dërgojë trupa tokësore në Iran, duke e cilësuar këtë si një “humbje kohe”, ndërsa shtoi se Teherani “ka humbur gjithçka që mund të humbasë”.
Lini një Përgjigje