TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Mars 2025, 19:10

Trump po përgatit terrenin për mandatin e tretë!

Shkruar nga John Mac Ghlionn

Trump po përgatit terrenin për mandatin e tretë!

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të një krize sigurie, mund t’i hapte derën fuqive ekzekutive të paprecedenta, sidomos nëse një Gjykatë e Lartë e mbushur me besnikë të Trumpit, do të ishte e gatshme ta mbështeste atë.

Po, e lexuat saktë. Edhe pse Donald Trump sapo është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, ka nisur tashmë përgatitjet për të tretin. Nëse mendoni se kjo tingëllon e pamundur, madje e ndaluar me kushtetutë, nuk jeni vetëm.

Por Steve Bannon po e përgatit këtë skenar. Dhe kur flet ai është mirë ta dëgjoni. Gjatë një  bisede të kohëve të fundit me komedianin dhe podkasterin Tim Dillon, Bannon jo vetëm që e la të nënkuptohet këtë ide, por madje e shpalli drejtpërdrejt. Ai dhe aleatët e tij, po bëjnë gjithçka që kanë në dorë që Trump të shërbejë si president edhe për një mandat të tretë. Kur Dillon shprehu dyshimin e tij, duke theksuar se kjo gjë do të kërkonte një ndryshim kushtetues, Bannon nuk debatoi.

Dhe as shpjegoi, por vetëm buzëqeshi, ngriti vetullat dhe qëndroi disa momente pa folur. Shikimi i tij i tha të gjitha: Këtë do ta shohim! Pra ai ka një plan. Është e rëndësishme ta kuptojmë se kush është Bannon, sepse pa të nuk ka Trumpizëm. Sigurisht individi Trump do të ekzistonte, për këtë u kujdesën prindërit e tij. Por jo Trump si një dukuri dhe forcë ideologjike. Ky i fundit është krijesa e Bannon.

Ishte ai që e mori karizmën e papërpunuar të Trump, dhe e ktheu atë në diçka më të madhe, në diçka që i mbijetoi tubimeve elektorale dhe postimeve të forta në Twitter. Ishte Bannon, ai që i dha Trumpizmit një doktrinë unifikuese: një thirrje lufte kundër globalizmit, shtetit të thellë dhe kalbëzimit institucional. Pa Bannon, Trump mund të kishte mbetur thjesht miliarderi i radhës me një aftësi për vetëpromovim.

Me Bannon, ai u bë diçka më shumë: një figurë që drejton një luftë ekzistenciale kundër asaj që shumë besojnë se është një klasë sunduese e korruptuar. Dhe tani, Bannon po ndërton diçka edhe më të madhe. Të shpërfillësh atë si thjeshte ideologun e radhës të krahut të djathtë, do të thotë ta keqkuptosh.

Shumë njerëz në të majtë nxitojnë ta quajnë fashist, por ky është një gabim i rrezikshëm. Bannon është një strateg politik. Ai luan lojën e gjatë, duke menduar me dekada dhe jo sipas cikleve zgjedhore. Ai e kupton pushtetin, jo në mënyrën teatrale që e kuptojnë shumica e politikanëve, por në një domethënie strategjike, gati makiaveliste.

Bannon është gjithashtu një adhurues i historisë kineze, duke e studiuar atë gjerësisht për vite me radhë. Ai i njeh shumë mirë mënyrat, se si regjimet konsolidojnë dhe ushtrojnë pushtetin, duke nxjerrë mësime nga ngritja e Partisë Komuniste Kineze dhe strategjitë që e kanë lejuar atë të ruajë kontrollin për dekada.

Ai kupton një të vërtetë themelore: institucionet janë po aq të forta, sa ata që janë të gatshëm t’i mbrojnë ato. Por si mund të shkohet drejt një mandati të tretë të Trump? Rrugët drejt saj, janë më të shumta sesa mund t’i mendoni. Më e dukshme është një amendament kushtetues, por do të ishte shtegu më i vështirë.

Në vend të tij, Bannon dhe të tjerët mund të analizojnë boshllëqet ligjore dhe strukturore. Pra mund të bëjnë lojën e fuqisë së butë, që nuk kërkon rishkrimin e Kushtetutës, por thjesht përkuljen e saj në mënyra që duken delikate në fillim, por që çojnë më pas në ndryshime të pakthyeshme.

Merrni në konsideratë një skenar ku mandati i dytë i Trump është plot me emergjenca kombëtare, të vërteta ose të fabrikuara. Dhe një krizë shumë e madhe - lufta, trazirat civile, një sulm kibernetik - mund të justifikojë marrjen e masave drastike.

Precedenti për zgjatjen e mandateve presidenciale ekziston tashmë në vende të tjera, nga Rusia në Turqi. Amerika, që dikur mendohej e paprekur ndaj manovrave të tilla, ka treguar vitet e fundit se normat janë shumë më të brishta se sa supozohej dikush. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, mund t’i hapte derën pushteteve ekzekutive të paprecedenta, veçanërisht nëse një Gjykatë e Lartë e mbushur me besnikë të Trumpit do të ishte e gatshme ta mbështeste atë. Ose ndoshta ata do të ndjekin një rrugë tjetër. Një besnik i Trumpit fiton zgjedhjet në vitin 2028, por vepron si përfaqësues, me presidentin aktual që i tërheq fijet nga prapaskena. As kjo nuk do të ishte e paprecedentë. Gjatë historisë, ka pasur shumë udhëheqës që gjetën mënyra për të qëndruar në pushtet edhe shumë kohë pas përfundimit të mandatit të tyre zyrtar.

Për shembull, presidenti rus Vladimir Putin u tërhoq përkohësisht në vitin 2008, duke vendosur Dmitry Medvedev për vetëm një mandat, para se të rikthehej në presidencë. Xi Jinping hoqi kufizimet e mandatit në Kinë përmes ndryshimit të Kushtetutës, duke siguruar pushtetin për një kohë të pacaktuar.

Edhe pse i zgjedhur në mënyrë demokratike, Franklin D.Roosevelt, shfrytëzoi domosdoshmërinë e kohës së luftës për të thyer traditën e dy mandateve, duke qëndruar në detyrë deri në vdekjen e tij. Juan Perón e sundoi Argjentinën përmes gruas së tij Isabel, e cila mori presidencën pas vdekjes së tij, por qeveriste nën hijen e tij ideologjike.

Edhe Hugo Chavez, zgjodhi para vdekjes së tij Nicolás Maduro për të vazhduar sundimin e tij në Venezuelë, duke siguruar vazhdimësi si në politikë ashtu edhe në pushtet. A mund të ndjekë Trumpizmi një model të ngjashëm, duke vendosur në krye një pasardhës shumë besnik, që do të siguronte që Trump të mbetej lideri de fakto i SHBA-së?

Po. Aty ku ekziston vullneti dhe strategjia e duhur, pushteti mund të shtrihet shumë përtej kufijve të tij zyrtarë. Dhe Bannon është një strateg i niveleve të larta. Kjo mund të duket e pamendueshme. Por kështu ndodhi edhe fitorja e parë e Trump.

Në fakt, e tillë është konsideruar gjithçka që ka përmbysur politikën amerikane gjatë dekadës së fundit. Vitet e fundit na kanë vërtetuar se ajo që duket e pamundur sot, mund të bëhet realitet më shpejt nga sa e pret kushdo. Kur Bannon thotë se ka një plan, merreni seriozisht.

Të njëjtët njerëz që e përqeshën atë në vitin 2016, mbetën pa fjalë kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë. Tani, Bannon po e bën të qartë një gjë: Një mandat i dytë nuk është fundi i lojës. Është thjesht faza tjetër./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Hill”

Lini një Përgjigje