
Gjashtë gazetarët e Zërit të Amerikës (VOA) kanë paditur administratën e presidentit Donald Trump dhe këshilltaren e lartë Kari Lake, duke akuzuar se kanë mbyllur në mënyrë të paligjshme disa transmetues që financohen nga publiku.
Ata thanë se mbyllja e papritur e rrjetit të financuar nga SHBA-ja shkel Amendamentin e Parë dhe autoritetin e Kongresit.
Padia e dorëzuar më 21 mars në Nju Jork, akuzon administratën Trump se ka ndërmarrë një vendim të ashpër nga Agjencisë së SHBA-së për Media Globale përmes një urdhri ekzekutiv të nënshkruar një javë më parë.
Disa orë më vonë, stafi i VOA u vendos në pushim administrativ dhe ndërtesat e medias u mbyllën.
Shumë analistë thanë se vendimi për të ndërprerë operacionet e VOA dhe transmetuesve të tjerë të financuar nga shteti, do të sjellë një humbje të “një linje kritike” të informacionit për popullsitë e tyre.
“Ajo çfarë po ndodh me gazetarët e VOA-s nuk është vetëm frikësim i fjalës së lirë, që buron nga Neni i Parë i Kushtetutës amerikane; është mbyllja e gazetarisë nga qeveria, një kufizim që e shuan përmbajtjen para se të krijohet”, u tha në padi.
Padia po ashtu i kërkon gjykatës që të rikthejë grantin e USAGM-it për mediat që financohen përmes atij granti, përfshirë Radio Evropa e Lirë, Radio Azia e Lirë dhe Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme. Granti i këtyre mediave u ndërpre në ditën e njëjtë që VOA u mbyll.
“Pala që është paditur ka shkelur të gjitha këto ligje duke mbyllur USAGM-in dhe duke ndërprerë plotësisht aktivitetin e mbledhjes dhe shpërndarjes së lajmeve dhe opinioneve përmes VOA dhe shërbimit të saj simotër, Radio Televizioni Marti, por edhe mediat e tjera partnere si Radio Evropa e Lirë dhe Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme. Këto veprime janë jokushtetuese dhe të paligjshme dhe ato duhet të ndalen menjëherë”, thuhet gjithashtu në padi.
Përveç gjashtë gazetarëve të Zërit të Amerikës, pjesëmarrës në padi janë edhe Federata Amerikane e Punëtorëve Qeveritarë, Federata Amerikane e Punonjësve të Shtetit, Qarkut dhe Komunave, The NeësGuild-CWA, Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm dhe Reporterët pa Kufij.
David Seide, këshilltar i lartë në Projektin e Llogaridhënies Qeveritare, një organizatë jopartiake për mbrojtjen e të drejtave civile dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, që po përfaqëson gazetarët e VOA-s në këtë çështje, e quajti veprimin e administratës amerikane “një tjetër sulm tragjik ndaj demokracisë”.
“Për më shumë se tetë dekada, VOA dhe organizatat e tjera simotra kanë qenë të shquara, që dëshmohet edhe nga mbi 400 milionë shikues, dëgjues dhe lexues që kanë pasur çdo ditë. Ky reputacion tani është shkatërruar. Padia jonë synon që të ndalë këtë shkatërrim”, tha ai.
Kari Lake, një mbështetëse e zëshme e Trumpit, nuk u përgjigj menjëherë për këtë lajm, por rreth kohës kur doli lajmi për padinë, ajo shkroi në X se kur The Washington Post, The New York Times, NPR, CBS dhe 60 Minutes i kërkuan intervista gjatë kësaj jave, po ajo kishte refuzuar.
“Unë nuk jam intervista për ‘media’ të diskutueshme”, shkroi ajo.
Shumë republikanë, përfshirë Trump dhe Lake, kanë pretenduar se VOA dhe transmetuesit e tjerë janë të infektuar nga propaganda e krahut të majtë, një akuzë që drejtuesit e këtyre transmetuesve thonë se nuk mbështetet në fakte.
Më 18 mars, edhe Radio Evropa e Lirë ngriti padi ndaj USAGM, Lake dhe Morales, për të bllokuar përpjekjet e tyre për të ndërprerë grantin federal për REL-in, që i ofron kësaj media fonde për të operuar.
Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale. Padia është dorëzuar në gjykatën e qarkut të Kolombias.
“Nuk është koha për t’i dhënë terren propagandës dhe censurës së kundërshtarëve të Amerikës”, tha presidenti i REL-it, Stephen Capus.
“Ne besojmë se ligji është në anën tonë dhe festa për shkatërrimin tonë nga despotët nëpër botë është e parakohshme”, shtoi ai. /REL
Lini një Përgjigje