TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Mars 2025, 17:10

Aleanca e re perëndimore pa SHBA-në e Trump

Shkruar nga Martin Kettle
Aleanca e re perëndimore pa SHBA-në e Trump
Keir Starmer pret një samit të liderëve evropianë në Lancaster House në Londër

S’ka asnjë diskutim që Trump i kapi evropianët duke “dremitur” brenda NATO-s!

Një aleancë atlantike pa Shtetet e Bashkuara? Tingëllon si një kontradiktë në terma, si Hamleti pa titullin e princit. Megjithatë, kjo është bota e pabesueshme dhe e përçarë në të cilën jetojmë tani. Na pëlqen apo jo, tronditja sistematike e shkaktuar nga Donald Trump është realiteti ynë i ri.

Dhe asgjë që ndodhi gjatë telefonatës së fundit midis Trump dhe Putin të martën nuk e ka ndryshuar këtë. Përpjekja e Evropës për t’iu kundërpërgjigjur kthimit të Trump në pushtet, u nxit fillimisht nga urgjenca e ruajtjes së mbështetjes për Ukrainën.

Pjesa më e madhe e fokusit ishte diplomatik: ruajtja e ndihmës ushtarake dhe inteligjencës amerikane, forcimi i kanaleve të komunikimit midis Uashingtonit dhe Kievit, angazhimi i qetë midis Trump dhe Zelensky për ta inkurajuar rezistencën dhe për frenuar Rusinë, ndërsa po bëhen lëvizje të forta publike për të marrë më shumë përsipër nga barra e sigurisë.

Ndihma dhe armatosja e Ukrainës, mbetet pika e parë në axhendën e Evropës, si dhe qëllimi i saj më emergjent. Pasja e raporteve sa më të ngushta me SHBA-së, vazhdon të jetë thelbësore, pavarësisht asaj që dëshirojnë kritikët më të ashpër të Trump.

S’ka asnjë diskutim që Trump i kapi evropianët duke “dremitur” brenda NATO-s. Tani për tani, fuqia amerikane mbetet e domosdoshme dhe e pabesueshme. Por ndërkohë po nis të marrë formë një rikonfigurim më i qëndrueshëm i aleancës perëndimore.

Tani për tani, shumica e asaj që po planifikohet është ose e improvizuar nga burimet ekzistuese ose aspiruese. Por skica e një aleance të re atlantike mund të dallohet midis  video-konferencave diplomatike dhe premtimeve: një lloj “NATO minus”, i mbështetur nga shumica e Evropës, përfshirë Britaninë, potencialisht plus Kanadanë, dhe me rolin e pasigurt të SHBA-së.

NATO mbetet korniza bazë, edhe nëse Trump vendos të tërhiqet prej saj. Themelet e aleancës së re, përbëhen nga një treshe e çuditshme: një kancelar konservator gjerman që hedh poshtë ortodoksinë e mëparshme; një president francez centrist që sapo e ka shkatërruar bazën e tij të pushtetit; dhe një kryeministër britanik i pajisur me ushtrinë më të vogël britanike që nga luftërat e Napoleonit.

Por Evropa është gjithsesi në duart e tyre. Ata janë skuadra që mund të hedhë në fushë. Pashmangshmëria e ndryshimit, është përforcuar nga biseda telefonike 90-minutëshe midis Trump me Putin të martën. Çdo mendim se Trump do ta bindte disi Putinin të ndryshonte politikën e tij për Ukrainën, ka qenë gjithmonë një fantazi.

Putin e konsideron Ukrainën një tokë ruse. Kushtet që ai i vendosi Trumpit, synojnë ta lënë Ukrainën të pambrojtur kundër sulmit dhe aneksimit rus. Dëshira e Trump është të heqë mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën, dhe ta zëvendësojë me një plan “paqeje”.

Por qasja e tij afatgjatë ndaj Evropës, është thjesht një zgjatim e padurimit ndaj Ukrainës. Ai synon të tërheqë mbështetjen e SHBA ndaj mbrojtjes evropiane. Prandaj, zhvillimi më domethënëse që ka ndodhur në Evropë këtë javë, nuk ishte telefonata Trump-Putin.

Por votimi në Bundestag për të lehtësuar rregullat strikte të huamarrjes, që ishin fiksuar në kushtetutë, dhe në të njëjtën kohë, të autorizojë një fond prej 500 miliardë eurosh për të nxitur rritjen ekonomike, projektet e infrastrukturës dhe shpenzimet ushtarake.

Nëse Evropa dëshiron të mbajë barrën e saj të mbrojtjes, siç po pretendon tani, duhet të zgjerojë ndjeshëm industritë e saj të mbrojtjes. Dhe më shumë se çdo gjë tjetër, kjo nënkupton lulëzimin e madh të industrisë gjermane të mbrojtjes. Ky nuk është një proces që ndodh brenda natës, por mund të fillojë që tani.

Votimi ishte një fitore për kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz, por edhe një  kthesë e vërtetë për Gjermaninë e pasluftës. E kompleksuar nga historia e saj e errët, Gjermania ka shmangur vazhdimisht huamarrjet e mëdha dhe militarizimin.

Këto tabu, kanë rënë tani nën presionin e stanjacionit ekonomik dhe kërcënimit nga Rusia. Pasojat e brendshme për Gjermaninë e shekullit XXI-të do të jenë të mëdha, duke supozuar se dhoma e lartë e parlamentit do t’i miratojë ndryshimet këtë javë.

Do të ishte e gabuar të mendohej se tani kjo çështje është zgjidhur. Si e djathta ashtu edhe e majta ekstreme, të rritura ndjeshëm në zgjedhjet e fundit parlamentare, votuan kundër planeve të Merz. Ato vazhdojnë ta shohin si një tradhti këtë ndryshim.

Nëse rritet inflacioni, qeveria e Merz do të përballet me sfida të forta. Por pasojat për Evropën ka gjasa të jenë po aq të mëdha. Që nga shembja e perandorisë austro-hungareze në vitin 1918, Gjermania ka qenë shteti më i rëndësishëm i Evropës Perëndimore, ku politika e jashtme fokusohet ndaj Rusisë.

Në fillim të këtij shekulli, nën kancelarët Gerhard Schröder dhe Angela Merkel, ato lidhje ishin gjithnjë të mbrojtura me kujdes. Kohët e fundit, Putini ka bërë që politika gjermane, fillimisht nën Olaf Scholz dhe tani nën Merz, të jetë më armiqësore.

Gjermania është ende kombi i nevojshëm për çdo nismë të re politike në mbarë Evropën. Por votimi në Bundestag ka rrëzuar justifikimin e kahershëm, prapa të cilit disa shtete evropiane janë fshehur për çështjen e investimeve dukshëm të pamjaftueshme të Evropës në mbrojtje.

Ky është një moment pozitiv dhe i vonuar. Jo vetëm sepse rreziku është i vërtetë, por edhe sepse i jep këtij kontinenti një qëllim më unifikues së kurrë më parë që nga Lufta e Ftohtë. Por nga ana tjetër nuk mund të shpërfillen rreziqet.

Historia evropiane është e mbushur me shembuj të tmerrshëm të aleancave ndërkombëtare, që nuk i kanë mbijetuar dot përballjes me një armik të vendosur. Një nga leksionet që po na mësojnë vitet 2020, është se gjërat që shumë gjëra që njerëz kishin supozuar se kishin mbetur si relike të historisë - epidemitë, nacionalizmi, grabitjet territoriale dhe tiranët karizmatikë - janë rikthyer fuqishëm në skenë.

Përballë një tiranie agresive si Rusia dhe përballë një SHBA-je izolacioniste, shtetet kombëtare të Evropës, së bashku me Kanadanë, po përpiqen  të mbështesin riformulimin moral dhe politik të botës që ndodhi pas vitit 1945.

Zhvillimet e sotme bartin jehonën e konflikteve që filluan në 1914, dhe vazhduan në vitin 939, duke përfshirë edhe vetë Evropën, e braktisur nga një SHBA izolacioniste. Gjithsesi në të dyja luftërat, SHBA-të e treguan veten si kombi thelbësor për fitoren dhe rendin e pasluftës. Megjithatë, sot SHBA po marshon drejt një rendi global më të pabesueshëm./Përshtati "Pamfleti" nga “The Guardian”

Lini një Përgjigje