
Presidenti amerikan Donald Trump ka habitur opinionin publik me një deklaratë të pazakontë lidhur me përpjekjet për paqen në Ukrainë. Në një intervistë për Fox News, ai tha se ndalimi i luftës dhe shpëtimi i jetëve njerëzore është një nga mënyrat për të fituar “një vend në parajsë”.
“Nëse mund të shpëtoj 7 mijë njerëz në javë nga vdekja, mendoj se është diçka e madhe. Dua të përpiqem të shkoj në parajsë, nëse është e mundur. Po dëgjoj që nuk po shkoj shumë mirë… jam në fund të listës. Por nëse e arrij parajsën, kjo do të jetë një nga arsyet”, tha ai.
Deklarata e Trump u komentua edhe në konferencën e rregullt për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Zëdhënësja Karoline Leavitt theksoi se presidenti e kishte seriozisht dhe jo si një shaka elektorale.
“Mendoj se presidenti ishte serioz. Ai vërtet dëshiron të shkojë në parajsë – ashtu si shpresojmë të gjithë ne në këtë sallë”, tha ajo.
Deklarata, megjithëse e çuditshme në ton, lidhet me përpjekjet e Trump për të pozicionuar veten si “presidenti i paqes” në përballjen e tij me krizën më të madhe gjeopolitike të Evropës që prej Luftës së Dytë Botërore.
Lini një Përgjigje