Nga tapeti i kuq për Putinin te pasiguria për Zelenskyn: diplomacia amerikane mbetet nën hije të Kremlinit...
Rezultatet mbi takimin e Donald Trump me Volodymyr Zelenskyy dhe liderë të tjerë evropianë të hënën, varen tërësisht nga këndvështrimi se me çfarë metri maten.
Frika kryesore ishte se ky takim mund të përfundonte si një katastrofë e ngjashme me atë që presidenti amerikan i shkaktoi liderit ukrainas në shkurt, një skenar aq i besueshëm, saqë Sir Keir Starmer, Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe udhëheqës të tjerë evropianë lanë gjithçka për të shkuar personalisht në Shtëpinë e Bardhë në shenjë mbështetjeje.
Pas pritjes madhështore me tapet të kuq për Vladimir Putinin në Alaska të premten, Trump raportohet se ka përqafuar idenë që Ukraina duhet të heqë dorë nga Donbasi për të arritur një marrëveshje paqeje. Edhe nëse dikush do të ishte aq naiv sa të mendonte se Kremlini do ta shihte këtë si fundin e konfliktit, e jo si një plan të përkohshëm për një ofensivë tjetër të ardhshme, nuk do të bëhej fjalë për një “shkëmbim tokash”, por për një grabitje të pastër territoriale, të papranueshme për Kievin. Ukraina do të detyrohej të dorëzonte tokat që Moska ka vite të tëra duke u përpjekur t’i pushtojë, por ka dështuar.
Nëse merret parasysh historia e takimeve të mëparshme, kishte arsye për njëfarë lehtësimi pas bisedimeve në Uashington: mund të kishte dalë edhe më keq. Por, sipas standardeve të diplomacisë klasike, e aq më tepër sipas nevojave urgjente të Ukrainës, rezultati ishte alarmues. Vetëm muajin e kaluar, Trump kishte kërcënuar me sanksione të ashpra ndaj Rusisë. Madje, në udhëtim për në Alaska, paralajmëroi për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk shpallej një armëpushim brenda ditës. Megjithatë, të hënën, me civilët ukrainas nën bombardime të rënda ruse, ai deklaroi se nuk ishte e nevojshme të ndaloheshin luftime ndërkohë që negociohej marrëveshja.
Le të lihen mënjanë paaftësia për të kuptuar detajet, mungesa e përgatitjes dhe mospërputhjet e vazhdueshme të administratës së tij. Le të lihen mënjanë edhe dështimet për të ndjekur llojin e diplomacisë së përkushtuar e të durueshme që kërkon paqja e vërtetë. Faktet tregojnë se Ukraina dhe aleatët e saj evropianë bëjnë çdo përpjekje, që nga tonet diplomatike deri te blerjet e armëve, për ta afruar Trumpin drejt pozicionit të tyre. Por busulla e tij duket se rrotullohet gjithmonë drejt Putinit. Trumpi, në vend që të qëndrojë qartësisht në krah të një demokracie, përkrah aleatëve të SHBA-së kundër një krimineli lufte, në rastin më të mirë sillet si një ndërmjetës i ftohtë.
Nga ana tjetër, Kremlini ende nuk e ka konfirmuar nëse Putin do të takohet me Zelenskyy, siç ka deklaruar Trump. Presidenti amerikan ka thënë se SHBA do të “ndihmojë” Evropën me garanci sigurie dhe do të “koordinojë” çdo përpjekje në këtë drejtim. Por deri tani nuk ka asnjë shenjë se administrata e tij është e gatshme të ofrojë një mbështetje reale që do t’i inkurajonte aleatët evropianë të dërgonin trupa në terren ose të vazhdonin të qëndronin të vendosur në rast se Rusia i vihet në provë.
Ironikisht, mësimi më i rëndësishëm i ditës së hënë nuk erdhi nga Washingtoni, por nga Evropa: aftësia e liderëve evropianë, me orientime të ndryshme politike, madje edhe Giorgia Meloni nga Italia, për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për t’u koordinuar. Ky është një lajm pozitiv, por nuk mjafton: shmangia e një katastrofe nuk është e njëjtë me ndërtimin e një strategjie të qartë për të ardhmen.
Ndërkohë, pavarësisht përparimeve ushtarake të Moskës javët e fundit, të nxitura pikërisht nga ideja e bisedimeve, kostoja e luftës për Rusinë është gjithashtu shumë e lartë. Putini mund të arrijë në përfundimin se nuk i leverdis të vazhdojë. Por edhe nëse Trump do të qëndronte fort në pozicionin e tij aktual, kjo mbetet shumë larg asaj që kërkohet. Ukraina ka nevojë urgjente për hapa konkretë për të garantuar të ardhmen e mijëra fëmijëve të rrëmbyer nga Rusia, për të mbajtur premtimin e drejtësisë në të ardhmen dhe, mbi të gjitha, për një armëpushim të menjëhershëm, përpara se të humben më shumë jetë. /Përshtati "Pamfleti" nga "The Guardian"
Lini një Përgjigje