TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Mars 2026, 12:11

Trump po humb kontrollin në luftën me Iranin

Shkruar nga Pamfleti

Trump po humb kontrollin në luftën me Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përmbyll javën e tretë të konfliktit me Iranin, ndërsa përballet me një situatë që po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u kontrolluar.

Çmimet globale të energjisë kanë shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara duken të izoluara nga disa prej aleatëve tradicionalë. Në të njëjtën kohë, po përgatiten dislokime të reja ushtarake, pavarësisht zotimeve fillestare të Trump për një “operacion të shkurtër”.

Aaron David Miller, ish-negociator për Lindjen e Mesme, vlerëson se presidenti amerikan ndodhet në një situatë të ndërlikuar. “Trump është i bllokuar në luftën me Iranin dhe po has vështirësi për të gjetur një rrugëdalje”, është shprehur ai, duke e cilësuar këtë si burimin kryesor të pakënaqësisë së tij.

Nga ana tjetër, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka mbrojtur ecurinë e operacioneve ushtarake, duke theksuar se ato kanë dhënë rezultate konkrete. Sipas tij, disa nga drejtuesit kryesorë të Iranit janë neutralizuar, një pjesë e madhe e flotës detare është shkatërruar dhe kapacitetet e raketave balistike janë kufizuar ndjeshëm. “Kjo përbën një sukses të padiskutueshëm ushtarak”, ka deklaruar ai.

Analistët vërejnë se Trump ndodhet në një moment vendimtar, pa një drejtim të qartë strategjik. Një opsion mbetet përshkallëzimi i mëtejshëm i sulmeve, përfshirë kontrollin e nyjeve energjetike si ishulli Kharg ose dislokimin e forcave përgjatë bregdetit iranian për të goditur lëshuesit e raketave. Megjithatë, një veprim i tillë mund të çojë në një angazhim afatgjatë ushtarak dhe të përballet me kundërshtim nga opinioni publik amerikan.

Alternativa tjetër do të ishte shpallja e “fitores” dhe tërheqja, por kjo mund të zhgënjejë aleatët në Gjirin Persik.

Ata do të mbeteshin përballë një Irani të dobësuar, por ende të rrezikshëm, i aftë të ndikojë në rrugët detare dhe potencialisht të ndjekë zhvillimin e armëve bërthamore një akuzë që Teherani e mohon.

Nw analizwn e Reuters thuhet se konflikti po teston gjithashtu mbështetjen ndaj Trump brenda bazës së tij politike, lëvizjes MAGA. Megjithëse mbështetja vazhdon, analistët paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve dhe thellimi i përfshirjes ushtarake mund ta dobësojnë atë.

lufta ne iran donald trump

Lini një Përgjigje