
Gjykata e Apelit në Uashington ka dëgjuar argumentet nëse ish presidenti Donald Trump gëzon apo jo imunitet për t’u ndjekur penalisht mbi akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Vetë Donald Trump u paraqit personalisht në seancë. Avokatët kanë kërkuar pushimin e çështjes ndaj tij me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe se gjykatat nuk kanë autoritet për të shqyrtuar aktet e një presidenti.
Por prokurori i posaçëm, Jack Smith, që drejton hetimet ndaj zotit Trump, ka argumentuar se presidentët nuk gëzojnë imunitet të plotë dhe se veprimet për të cilat është akuzuar ish presidenti, nuk ishin të lidhura me funksionet e tij shtetërore.
Sipas prokurorit Smith, zoti Trump ka vepruar në rolin e një kandidati politik dhe jo në rolin e një presidenti, kur ushtroi trysni mbi zyrtarët zgjedhorë për të përmbysur humbjen e tij ndaj zotit Biden dhe kur nxiti mbështetësit e tij që t’i drejtoheshin Kapitolit në 6 janar të vitit 2021.
Prokurorët thonë se nëse do të pranoheshin argumentet e zotit Trump se ai gëzon imunitet, atëherë, kjo do t’i hapte udhë mundësisë që në të ardhmen një president të mund t’i shpëtonte ndjekjes penale për vepra si marrje ryshfeti në këmbim të një kontrate qeveritare; apo udhëzimin e shefit të FBI-së për të manipuluar prova në dëm të kundërshtarëve politike, apo për shitjen e sekreteve bërthamore tek rivalët e huaj.
Në parashtrimet e tyre, ndër të tjera, avokatët e ish presidentit Trump kanë cituar një dispozitë kushtetese mbi bazën e të cilës një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën akuzë. Sipas tyre, çështja përmban akuza të ngjashme, me ato që ngriti ndaj zotit Trump Dhoma e Përfaqesuesve, por Senati, organi që zhvillon gjyqin ndaj një presidenti, e shpalli atë të pafajshëm.
Pas seancës foli vetë Trump duke këmbëngulur te imuniteti. “Mendoj se si president, duhet të kesh imunitet, shumë thjeshtë”, tha ai në një koment për mediat në hotelin Waldorf Astoria pas seancës.
“Nuk mund të kesh president pa imunitet”, shtoi ai. "Duhet të kesh, si president, duhet të jesh në gjendje të bësh punën tënde”. Trump gjithashtu pasqyroi argumentet që avokatët e tij bënë në gjykatë, duke thënë se ndjekja e tij "hap kutinë e Pandorës".
Trump theksoi se nëse fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor të këtij viti, ai mund të ndjekë penalisht presidentin aktual demokrat.
“Nuk kam bërë asgjë të keqe. Absolutisht asgjë të keqe. Nëse unë nuk marr imunitet, atëherë Joe Biden nuk do të ketë imunitet”, tha Trump në një video të postuar në rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje