
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se administrata Trump u njoftua për sulmin në orët e para të mëngjesit, por theksoi se veprimi ishte i njëanshëm nga ana e Izraelit.
Presidenti amerikan Donald Trump është distancuar qartë nga sulmi ajror i Izraelit në kryeqytetin e Katarit, duke e cilësuar atë një “incident të pafat” që ndodhi në një vend që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë aleat dhe mik të ngushtë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se administrata Trump u njoftua për sulmin në orët e para të mëngjesit, por theksoi se veprimi ishte i njëanshëm nga ana e Izraelit.
“Bombardimi i njëanshëm brenda territorit të Katarit, një shtet sovran dhe aleat i ngushtë i SHBA që po merr rreziqe të guximshme duke punuar me ne për të ndërmjetësuar paqen, nuk i shërben as Izraelit dhe as qëllimeve të Amerikës”, deklaroi Leavitt.
Zëdhënësja theksoi se Shtëpia e Bardhë mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj kundër Hamasit, duke e përshkruar organizatën si një grup që “ka përfituar nga mjerimi i popullit të Gazës”. Megjithatë, Washingtoni nuk e fshehu pakënaqësinë për faktin se operacioni ndodhi pikërisht në Katar, një shtet që luan rolin kryesor në ndërmjetësimin e armëpushimit.
“Presidenti e sheh Katarin si një mik dhe aleat të fortë të SHBA-ve dhe ndihet shumë keq për vendndodhjen e këtij sulmi”, shtoi Leavitt.
SHBA: Katari ishte i paralajmëruar
Një detaj i rëndësishëm që po ngjall debate është fakti se i dërguari special amerikan, Steve Witkoff, kishte paralajmëruar Katarin për sulmin e afërt, edhe pse nuk u sqarua nëse paralajmërimi u bë mjaftueshëm në kohë për të marrë masa mbrojtëse. Ky fakt tregon se Washingtoni ishte në dijeni të plotë për operacionin, por nuk ndërhyri për ta ndalur.
Në pyetjet e drejtpërdrejta të gazetarëve mbi marrëdhëniet mes Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Leavitt tha: “Presidenti i ka bërë shumë të qarta mendimet e tij, dhe kjo është e gjitha që do të them.”
Kur u pyet nëse do të ketë pasoja konkrete ndaj Netanyahut, zëdhënësja u përgjigj se “vetëm presidenti mund ta marrë atë vendim”.
Ky formulim lë të hapur mundësinë e një tensioni të ri mes dy udhëheqësve, edhe pse Trump u përpoq të balancojë mes qëndrimit pro-izraelit dhe mbrojtjes së Katarit si partner kyç rajonal.
Në fund të deklaratës, Leavitt shtoi se presidenti Trump beson se “ky incident i pafat mund të shërbejë si një mundësi për paqe”, duke lënë të kuptohet se kriza aktuale mund të shfrytëzohet për të shtyrë palët drejt një marrëveshjeje më të qartë për armëpushim.
Lini një Përgjigje