Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka vlerësuar rolin e Pakistanit në përpjekjet për uljen e tensioneve, ndërsa ky vend vijon të ndërmjetësojë në komunikimet mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif, Pezeshkian shprehu mirënjohjen për mbështetjen ndaj Iranit. Sipas zyrës së tij, ai falenderoi për “mbështetjen dhe solidaritetin e popullit mysliman të Pakistanit me Iranin”.
Bisedimet për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit SHBA-Izrael vijojnë, ndërsa Pakistani luan rol kyç në përcjelljen e mesazheve mes palëve. Sipas burimeve, Sharif dhe Pezeshkian zhvilluan një telefonatë që zgjati rreth një orë.
Presidenti iranian theksoi gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve ndërkombëtare për ndaljen e luftës. Ai vlerësoi “përpjekjet e lavdërueshme të disa vendeve mike dhe fqinje, përfshirë Pakistanin, për të ndaluar luftën e imponuar”.
Nga ana tjetër, kryeministri pakistanez përsëriti qëndrimin kundër veprimeve ushtarake ndaj Iranit, veçanërisht pas sulmeve të fundit izraelite ndaj infrastrukturës ekonomike në Ahvaz dhe Isfahan.
Ndërkohë, Pezeshkian ka lëshuar edhe një paralajmërim të fortë për çdo sulm të mundshëm ndaj Iranit. Në një reagim publik ai u shpreh se: “E kemi thënë shumë herë se Irani nuk kryen sulme parandaluese, por do të hakmerremi fuqishëm nëse infrastruktura ose qendrat tona ekonomike bëhen shënjestër”.
Presidenti iu drejtua edhe vendeve të rajonit me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Nëse doni zhvillim dhe siguri, mos i lini armiqtë tanë të drejtojnë luftën nga tokat tuaja”.
Lini një Përgjigje