TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Prill 2026, 08:23

"S'je Winston Churchill"; si zemërimi i Trump ndaj aleatëve të NATO-s po i bashkon ata kundër tij

Shkruar nga Pamfleti

Vetë Trump ka nxitur tensionet, duke e quajtur NATO-n një “tigër prej letre” në një intervistë për The Telegraph.

"S'je Winston Churchill"; si zemërimi i Trump ndaj
Liderët e Europës

Zemërimi i Donald Trump ndaj aleatëve të NATO-s për refuzimin e tyre për t’u bashkuar në luftën kundër Iranit ka arritur deri tani një rezultat, i ka bashkuar ata kundër tij.

Në biseda private, gjatë darkave të ngushta dhe në margjinat e takimeve në Bruksel dhe gjetkë, liderët dhe zyrtarët europianë po diskutojnë si të përballen me kërcënimet e presidentit amerikan për t’u larguar nga NATO dhe çfarë do të bënin nëse ai do ta realizonte këtë.

Ata tashmë ndajnë një vlerësim të zymtë se sulmet gjithnjë e më të ashpra të Trump ndaj Britanisë, Spanjës, Francës dhe të tjerëve konfirmojnë një çarje themelore në aleancën transatlantike. Ndërkohë që ende nuk janë të sigurt për përgjigjen përfundimtare, disa vende kanë nisur të shqyrtojnë zgjerimin e marrëveshjeve të tyre të mbrojtjes dhe sigurisë për të anashkaluar një NATO të dobësuar.

“NATO është e paralizuar, ata nuk arrijnë as të zhvillojnë takime”, tha një diplomat europian. “Është e qartë që NATO tashmë po shpërbëhet”, shtoi një zyrtar i BE-së, duke theksuar se Europa duhet të forcojë urgjentisht mbrojtjen e saj, “nuk mund të presim derisa të jetë plotësisht e vdekur”.

Ky vlerësim i drejtpërdrejtë, i nxjerrë nga intervistat e POLITICO me 24 ministra, zyrtarë dhe diplomatë, përshkruan qartë ndryshimin në rendin botëror të pasluftës që Trump ka ndihmuar të shkaktojë.

Ditët e fundit, administrata Trump e ka futur aleancën ushtarake në ndoshta krizën më të thellë në historinë e saj 77-vjeçare. Presidenti dhe ekipi i tij kanë paralajmëruar se do të rishikojnë anëtarësimin e SHBA-së në NATO pasi të përfundojë lufta me Iranin, si reagim ndaj dështimit të aleatëve europianë për t’u bashkuar në konflikt.

Vetë Trump ka nxitur tensionet, duke e quajtur NATO-n një “tigër prej letre” në një intervistë për The Telegraph.

Ankesa kryesore e SHBA-së është refuzimi i vendeve europiane si Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca për të lejuar përdorimin e bazave dhe hapësirës së tyre ajrore për operacione kundër Iranit. Gjatë muajit që nga fillimi i luftës, zemërimi i Trump është rritur përmes një serie postimesh gjithnjë e më të ashpra në rrjetin e tij Truth Social.

Për europianët, pyetja mbetet si gjithmonë, si të mbrojnë veten nga pasojat më të rënda dhe të ruajnë atë që ka më shumë rëndësi.

Biseda nordike në tryezë

Në Helsinki javën e kaluar, 10 liderë europianë u takuan për një darkë private pa praninë e stafit, në ambientet e Muzeut Mannerheim, shtëpia e liderit finlandez të Luftës së Dytë Botërore, Gustaf Mannerheim.

Mes ambienteve të viteve 1940, të dekoruara me trofetë e gjuetisë së ish-presidentit, liderët e vendeve si Britania, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia zhvilluan një diskutim të drejtpërdrejtë mbi gjendjen e rëndë të aleancës transatlantike. Ata ranë dakord se retorika e Trump në rrjetet sociale është problematike dhe po përkeqësohet.

Megjithatë, ata vendosën se nuk mund të pranonin kërkesën e presidentit amerikan për t’u bashkuar në luftën kundër Iranit.

“Ne të gjithë duam që lufta të përfundojë, por nuk jemi në të njëjtën linjë me SHBA-në”, tha një zyrtar i informuar mbi diskutimet. Trump kërkon mbështetje nga NATO, por liderët mbeten kundër sepse “shumica e europianëve nuk u informuan paraprakisht dhe Gjiri nuk ka lidhje me NATO-n”.

Në Europë, përkundrazi, kjo krizë po ka efekt bashkues, “këto 10 vende kanë qenë gjithmonë të afërta, por tani janë edhe më shumë”, shtoi ai.

Vlerësimi i këtyre qeverive nuk kufizohet vetëm në Europën Veriore. Në fakt, ajo që bie në sy në reagimin ndërkombëtar ndaj luftës në Iran është sa të bashkuar kanë qenë liderët europianë në refuzimin për të dërguar mjete ushtarake.

Trump “e ka shkatërruar” marrëdhënien transatlantike dhe “ka bashkuar” Europën kundër kësaj lufte, tha një diplomat i BE-së. Një tjetër zyrtar i lartë shtoi se amerikanët duhet të përballen me pasojat e vendimit të tyre për të sulmuar Iranin.

Gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003, vende si Britania dhe Polonia dërguan trupa. Këtë herë, kryeministrat e këtyre vendeve kanë bërë të qartë se nuk do të marrin pjesë.

Spanja mbylli hapësirën ajrore për avionët amerikanë, ndërsa Franca ndaloi përdorimin e hapësirës së saj ajrore për fluturime me ngarkesa ushtarake drejt Gjirit.

Sipas Fabrice Pothier, drejtues i Rasmussen Global dhe ish-zyrtar i NATO-s, SHBA po përballet me pasojat e veprimeve të saj të njëanshme dhe të faktit që e ka marrë Europën si të mirëqenë.

S'ka Churchill

Kryeministri britanik Keir Starmer ka qenë objekt i sulmeve personale nga Trump, i cili e ka cilësuar “jo Winston Churchill” për refuzimin për t’u përfshirë në ofensivë. Starmer reagoi duke theksuar se do të veprojë në interesin kombëtar të Britanisë.

Ai shtoi se NATO mbetet “aleanca ushtarake më efektive në botë” dhe se Britania është plotësisht e përkushtuar ndaj saj.

Megjithatë, ministrja e financave Rachel Reeves shprehu hapur pakënaqësinë, duke thënë se është e zemëruar që Trump ka zgjedhur të hyjë në luftë në Lindjen e Mesme pa një plan të qartë daljeje.

Pavarësisht kësaj, Britania dhe aleatët e saj po përpiqen të tregojnë se duan të kontribuojnë, edhe për shkak të interesave ekonomike që lidhen me tregtinë në Ngushticën e Hormuzit dhe çmimet e naftës.

Ankesa kryesore e SHBA-së është refuzimi i vendeve europiane si Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca për të lejuar përdorimin e bazave dhe hapësirës së tyre ajrore për operacione kundër Iranit. Gjatë muajit që nga fillimi i luftës, zemërimi i Trump është rritur përmes një serie postimesh gjithnjë e më të ashpra në rrjetin e tij Truth Social.

Britania do të presë një samit virtual me 35 vende për të diskutuar masa diplomatike dhe politike për të rikthyer lirinë e lundrimit dhe tregtisë në rajon.

Mos e përmend luftën

Brenda NATO-s ka shqetësim për përçarjen, si dhe paqartësi për faktin se SHBA nuk ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga aleanca. Nuk është e qartë se çfarë kërkon konkretisht Uashingtoni.

Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte ka irrituar disa aleatë duke shmangur kritikat ndaj SHBA-së dhe duke këmbëngulur se nuk ka problem në NATO.

Zyrtarët pranojnë se kritikat e vazhdueshme nga SHBA dobësojnë aleancën, pasi NATO mbështetet në idenë e mbrojtjes kolektive sipas nenit 5. Në momentin që kjo vihet në dyshim, dobësohet edhe roli i saj parandalues ndaj Rusisë.

Ndërkohë, Europa nuk ka ende një përgjigje të vetme për të rikthyer besueshmërinë e NATO-s ose për ta zëvendësuar atë në rastin më të keq.

zemërimi i trump ndaj aleatëve të nato liderët e be

Lini një Përgjigje