
Ndërsa gjithnjë e më shumë kryeqytete iu bashkuan nismës, presioni mbi Francën u rrit ndjeshëm...
Vendimi i Bashkimit Evropian për ta shpallur forcën famëkeqe paraushtarake të Iranit si organizatë terroriste ishte rezultat i një rillogaritjeje politike nga disa qeveri evropiane, ku nevoja për t’iu përgjigjur shtypjes brutale të Teheranit mbizotëroi ndaj rreziqeve diplomatike.
Për javë me radhë, një grup kryeqytetesh me peshë në BE, të udhëhequra nga Franca dhe, deri së fundmi, Italia dhe Spanja, kishin paralajmëruar se përfshirja në listën e zezë do të shkatërronte ndikimin e pakët diplomatik që Evropa kishte ende mbi Iranin, do të rriste rrezikun e hakmarrjes ndaj qytetarëve evropianë dhe do të ndërlikonte negociatat mbi programin bërthamor.
Ky qëndrim nisi të lëkundej sapo regjimi iranian hoqi bllokimin e internetit dhe filluan të qarkullonin pamje tronditëse të dhunës së Gardës Revolucionare Islamike kundër protestuesve. Deri pasditen e së mërkurës, kryeqytetet që mbështesnin përcaktimin, përfshirë Berlinin, arritën të shkëpusnin Italinë dhe Spanjën nga Franca, duke e lënë Parisin gjithnjë e më të izoluar.
“Ndërsa kishte një bllokim të internetit, situata nuk ishte e qartë. Por kur mizoritë u bënë të dukshme, u bë e qartë se Evropa duhej të reagonte fuqishëm”, tha kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, kur u pyet nga POLITICO se çfarë kishte ndryshuar qëndrimet e kryeqyteteve.
Edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, theksoi se pamjet e dhunës së vazhdueshme të regjimit e bënë të domosdoshëm veprimin evropian.
“Imazhet e tmerrshme që dolën nga Irani kërkonin një reagim”, tha ajo për POLITICO.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, pranoi se Parisi kishte rishikuar pozicionin e tij për shkak të guximit të palëkundur të iranianëve, të cilët kanë qenë objekt i kësaj dhune. Ndërsa gjithnjë e më shumë kryeqytete iu bashkuan nismës, presioni mbi Francën u rrit ndjeshëm.
“Ata nuk donin të mbeteshin të vetmit që bllokonin vendimin dhe mbështesnin një regjim të tillë. Kostoja politike dhe morale u bë shumë e lartë”, tha një zyrtar i Parlamentit Evropian.
Efekti domino
Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, tha për POLITICO se publikimi i provave të reja video të vrasjeve dhe dhunës nga forcat e regjimit kishte kaluar një “vijë të kuqe” për shumë vende anëtare. Holanda ka qenë ndër mbështetëset më të forta të shpalljes së Gardës Revolucionare si organizatë terroriste.
Italia ishte e para që njoftoi publikisht ndryshimin e qëndrimit. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi të hënën se humbjet e jetëve civile gjatë protestave kërkonin “një përgjigje të qartë”.
Një diplomat i BE-së, nga një vend që kishte shtyrë për përfshirjen e Gardës në listë përpara takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel, tha se pamjet e prindërve që kërkonin fëmijët e tyre në qese mortore ishin veçanërisht tronditëse dhe kishin luajtur një rol vendimtar, së bashku me raportet për dhjetëra mijëra viktima.
Të mërkurën pasdite, edhe Spanja sinjalizoi ndryshimin e qëndrimit, duke deklaruar për POLITICO se mbështeste përcaktimin, i cili e vendos Gardën Revolucionare në të njëjtën kategori me al-Kaedën, Hamasin dhe ISIS-in.
Rezistenca e fundit mbeti Parisi.
Zyrtarët francezë kishin argumentuar se përfshirja e një organizate kaq të madhe, me mbi 100 mijë anëtarë, në listën e terroristëve do të kufizonte ndjeshëm mundësitë për dialog mbi mospërhapjen bërthamore dhe çështje të tjera, pasi shumë nga bashkëbiseduesit e Evropës janë të lidhur me Gardën Revolucionare.
Franca, së bashku me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, është pjesë e grupit E3 që negocion me Iranin për çështjen bërthamore. Edhe pse E3 kishte aktivizuar së fundmi sanksione ndaj Teheranit për mungesë bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Parisi ende shpresonte në një zgjidhje diplomatike.
Sipas një diplomati evropian, mbajtja e Gardës Revolucionare jashtë listës së terroristëve ruante mundësinë që E3 të luante një rol nëse negociatat bërthamore rifillonin.
Një faktor tjetër ishte edhe fati i dy shtetasve francezë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të liruar së fundmi nga burgu famëkeq Evin dhe aktualisht nën arrest shtëpiak në Ambasadën Franceze në Teheran.
Megjithatë, pa mbështetjen e aleatëve, Parisi hoqi dorë nga kundërshtimi. Barrot deklaroi se vdekjet e mijëra protestuesve nuk mund të “kalonin pa pasoja”.
Shtetet e Bashkuara, të cilat e shpallën Gardën Revolucionare organizatë terroriste që në vitin 2019, kishin ushtruar gjithashtu presion mbi BE-në për të ndjekur të njëjtën linjë. Një zyrtar i presidencës franceze pranoi se Parisi kishte pasur “shumë shkëmbime” me amerikanët mbi Iranin.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të mërkurën se “koha po mbaron” për regjimin iranian dhe se një “armadë masive” po lëvizte “me shpejtësi, forcë dhe vendosmëri” drejt rajonit./Përshtati "Pamfleti" nga "Politico"
Lini një Përgjigje