Shtetet e Bashkuara po përshkallëzojnë praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme në një ritëm të pazakontë, ndërsa tensionet me Iranin janë në pikën më të lartë që nga viti 2020. Burime nga monitorimi ajror dhe detar konfirmojnë për BBC lëvizje të koordinuara të anijeve luftarake, avionëve ushtarakë dhe dronëve amerikanë në drejtim të Gjirit Persik, në një demonstrim të qartë force që shumëkush e sheh si përgatitje për një ndërhyrje të mundshme ushtarake kundër Republikës Islamike.
Të dhënat më të fundit tregojnë se shkatërruesi amerikan me raketa të drejtuara USS Delbert D. Black është parë duke kaluar Kanalin e Suezit dhe duke lundruar drejt Gjirit. Ky zhvillim vjen ndërkohë që në rajon ndodhen tashmë të paktën 10 anije luftarake amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, e cila edhe pse nuk është parë në radarë publikë për më shumë se një javë, është konfirmuar zyrtarisht nga burime të Pentagonit si aktive në zonë.
Aktiviteti ajror i SHBA-së është po aq intensiv. Një avion V-22 Osprey është gjurmuar duke fluturuar në Gjirin Persik drejt Omanit, një sinjal që sugjeron lëvizje të njësive elitare komando amerikane, të cilat zakonisht operojnë nga bordin e aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln. Në të njëjtën kohë, dronë të avancuar MQ-4C Triton të Marinës Amerikane janë parë duke patrulluar mbi Ngushticën e Hormuzit për orë të tëra, me fluturime që kanë nisur çdo ditë që nga e hëna. Këta dronë janë të specializuar për vëzhgim të zgjeruar detar dhe janë në gjendje të mbledhin të dhëna të hollësishme pranë brigjeve iraniane. Ndërkohë, edhe avionë të tipit P-8 Poseidon, të përdorur për misione zbulimi detar dhe anti-nëndetëse, janë aktivë në zonë.
Një tjetër avion amerikan i sofistikuar, E-11A, është gjurmuar duke fluturuar nga Kreta drejt bazës ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite. Ky avion funksionon si qendër komunikimi ajrore, që lidh forcat amerikane në terren me komandat strategjike në kohë reale dhe në kushte lufte.
Në të njëjtën linjë përshkallëzimi, SHBA ka vendosur edhe në Britani avionin e specializuar WC-135R Constant Phoenix, i njohur si “avioni që nuhat bërthamorët”. Ky avion ka kapacitetin të detektojë shpërthime bërthamore dhe prani radioaktive në atmosferë, dhe përdoret zakonisht pranë Rusisë. Vendosja e tij në një bazë ajrore britanike, për herë të tretë në katër dekada, përforcon spekulimet se Uashingtoni po finalizon përgatitjet për një goditje ndaj Iranit, ndoshta duke u përgatitur edhe për përgjigje bërthamore të mundshme apo incidente ndotjeje radioaktive.
E gjithë kjo lëvizje vjen në një moment kur Presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se është gati të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ushtarake kundër Teheranit, pas tensioneve të shtuara dhe përplasjeve të fundit diplomatike. Pa asnjë njoftim për ndalim të përshkallëzimit, SHBA duket se po pozicionon fuqinë e saj ushtarake për të pasur kontroll total mbi Gjirin Persik në rast të një përplasjeje të afërt me Iranin.
Lini një Përgjigje