
Rritja e efektit mbrojtës natyror të fushave, mund të zvogëlojë egërsinë e përmbytjeve në rrjedhën e poshtme të lumenjve. Ndërsa strategjitë afatgjata për të përmirësuar menaxhimin e përmbytjeve janë të kushtueshme, kostoja personale dhe financiare e menaxhimit joefektiv të tyre është shumë më e lartë.
Nga Republika Çeke në Spanjë, Evropa u përfshi këtë vjeshtë nga përmbytjet me pasoja shkatërruese. Shkencëtarët e klimës, bien dakord se këto përmbytje të rënda janë shkaktuar ndoshta nga ndryshimet klimatike që sollën reshje rekord.
Temperaturat më të larta, po e shtojnë sasinë e avullit të ujit në atmosferë, sidomos mbi oqeanet më të ngrohta, gjë që e rrit sasinë e reshjeve. Evropa parashikohet të përjetojë një frekuencë më të madhe të përmbytjeve të mëdha, me pasoja potencialisht të rënda për ekonomitë dhe mjetet e jetesës.
Është e lehtë ta lidhësh rritjen e rrezikut të përmbytjeve në Evropë me dendësinë e madhe të popullsisë dhe aktivitetet ekonomike brenda tokave të prirura nga përmbytjet. Rreziku i përmbytjeve në Evropë, është rritur kryesisht për shkak se njerëzit janë zhvendosur në zona më parë të mbrojtura, dhe që kanë qenë të prirura për përmbytje.
Ndërkaq është i vështirë një menaxhim efektiv i përmbytjeve, pasi sepse jo të gjitha ato janë të njëjta. Në përgjithësi, Evropa ndikohet nga tre lloje kryesore përmbytjesh: stuhitë lumore, pluviale dhe ato bregdetare. Përmbytjet lumore i referohen reshjeve të tepërta (si të shiut ashtu edhe të borës së shkrirë) në rrjedhën e tyre të sipërme, duke shkaktuar përmbytje në rrjedhën e poshtme.
Këto përmbytje janë veçanërisht të rënda në rajonet malore pranë bregdetit, si ajo e Valencias në Spanjë në tetor të këtij viti, sepse shpatet e pjerrëta e përshpejtojnë rrjedhën e ujit. Përmbytjet pluviale, ndodhin kur reshjet lokale nuk drenohen në mënyrën e duhur.
Fushat në zonat rurale bëhen të ngopura me ujë, ndërsa përmbytjet e shpejta mund të ndodhin edhe në zonat urbane. Reshjet e tepërta lokale, janë veçanërisht një problem mbi lumenjtë dhe deltat e ultësirave gjatë muajve të lagësht të dimrit, pasi tokat e ngopura më ujë, nuk lejojnë kullimin e reshjeve shtesë dhe rrjedhjeve, duke shkaktuar përmbytje lokale.
Erërat e forta i nxisin stuhitë bregdetare. Kjo bën që lumenjtë të grumbullohen dhe të vërshojnë, duke përmbytur tokat aty pranë. Stuhitë janë më të zakonshme në muajt e dimrit. Përmbytjet më sfiduese për t’u menaxhuar shkaktohen nga procese të shumta zinxhir.
Dimrin e kaluar në pellgun e Rinit të poshtëm në Gjermani dhe Holandë, tre procese përmbytjesh u kombinuan për të prodhuar një përmbytje të madhe, një mbingopje të fushave me ujë, e cila ndikoi ndjeshëm për muaj të tërë tek aktivitetet bujqësore.
Për herë të parë që nga ndërtimi i saj në vitin 1997, u mbyll barriera e madhe Maeslant në grykëderdhjen e lumit Rin. Reduktimi i rrezikut nga përmbytjet në Evropë, do të kërkojë investime të mëdha që përfshijnë menaxhimin e gjerë të baseneve, siç rekomandohet në direktivën e BE-së për përmbytjet.
Përveç një vëmendjeje më të madh tek zgjidhjet e bazuara tek natyra, si kthimi i tokave bujqësore tek vegjetacioni natyror, nevojitet një kombinim unik i masave të forta (strukturore) dhe të buta (politike), për të reduktuar rrezikun e përmbytjeve brenda një pellgu lumor.
Ndërsa përmbytjet nga reshjet ekstreme në Evropë nuk mund të shmangen plotësisht, është e mundur reduktimi i rrezikut dhe shkatërrimeve që vijnë prej tyre. Në Valencia, njerëzit nuk u paralajmëruan në kohë për përmbytjet. Ndaj hapi i parë duhet të jetë përmirësimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, dhe rritja e ndërgjegjësimit, në mënyrë që njerëzit t’i marrin seriozisht alarmet për përmbytjet e pritshme.
Masat ndaj pellgut të rrjedhës së sipërm të lumenjve, mund të përfshijnë planifikimin e përmirësuar të përdorimit të tokës, si p.sh pyllëzimi (mbjellja e pemëve aty ku nuk ka pasur më parë), për të reduktuar rrjedhën. Po ashtu, mund të përdoren rezervuarët ose për të frenuar ujin dhe reduktuar depërtimin e ujërave të përmbytjeve në rrjedhën e poshtme ose për të lëshuar ujin e rezervuarit përpara mbërritjes së valës së përmbytjes.
Ndërkaq, në lidhje me rrjedhën e poshtme të lumit, masat duhet të përfshijnë ridizejnimin e infrastrukturës hidraulike (si p.sh diga dhe ura) për të përballuar përmbytjet në pikun e tyre më të lartë, ashtu edhe përmbytjet që zgjasin më shumë në kohë. Mund të zgjerohen zonat që lejohen të përmbyten.
Kjo po bëhet në një mënyrë goxha efektive në Holandë, si pjesë e programit Room for River” (Dhoma për lumin), që restauron fushat e përmbytura. Kjo qasje u pa të ishte e suksesshme gjatë përmbytjeve të rënda të korrikut 2021. Ato pushtuan fshatrat e vjetër përgjatë pellgut të lumit Meuse (Maas) në pjesë të Gjermanisë Veriore, Belgjikës, Luksemburgut dhe Francës, dhe shkaktuan më shumë se 200 të vdekur.
Por në rrjedhën e poshtme në Holandë, ujërat shkaktuan shumë më pak dëme, pikërisht falë programit Dutch Room for River. Ndërsa përmbytjet e lumit Maas arritën nivele të larta, ato u frenuan dhe nuk i kapërcyen digat, duke i mbrojtur komunitetet që jetojnë buzë lumit.
Rritja e efektit mbrojtës natyror të fushave, mund të zvogëlojë egërsinë e përmbytjeve në rrjedhën e poshtme të lumenjve. Ndërsa strategjitë afatgjata për të përmirësuar menaxhimin e përmbytjeve janë të kushtueshme, kostoja personale dhe financiare e menaxhimit joefektiv të tyre është shumë më e lartë. Vendet evropiane duhet të jenë vigjilente, të mendojnë paraprakisht dhe në një mënyrë pro-aktive për zbatimin e masave për një menaxhim sa më efektiv të përmbytjeve. /Përshtati “Pamfleti” nga “The New European”
Shënim: Paul Hudson, profesor i asociuar i Gjeografisë Fizike dhe Qëndrueshmërisë në Universitetin e Leidenit, Holandë.
Lini një Përgjigje