
A do t’i urdhëronte sot Putini forcat e tij të shtypnin protestat, apo një kryengritje në një ish-republikat sovjetike sot të pavarura?
Pas humbjeve të mëdha të Rusisë në Siri, të cilat kulmuan me arratisjen e Bashar Al-Assadit në Moskë, bota po bën një bilanc të situatës dhe asaj që mund të ndodhë. E panjohura më e madhe, është prirja e vërtetë ideologjike e lëvizjes rebele të sapo-fuqizuar.
Disa fuqi janë dobësuar. Kështu u shkatërrua regjimi i Assadit; u poshtërua Rusia; ndërsa Irani i humbi linjat logjistike të furnizimit për përfaqësuesin e tij, Hezbollahun. Dy vende korrën përfitime të menjëhershme: Izraeli, i cili përballet tashmë me një Hezbollah të dobësuar në veri të tij, dhe Ukraina që përfiton direkt nga poshtërimi i Rusisë.
E gjithë bota po sheh më qartë, se ushtritë e Rusisë dhe Iranit janë tepër të drobitura për të vazhduar ruajtjen e ndikimit të tyre jashtë vendit. Sado që disa mund të kënaqen me largimin e Assadit në Rusi, është më se i dukshëm skenari i një destabiliteti serioz dhe pasoja të tjetra të padëshiruara.
Askush nuk mund të jetë i sigurt për pasojat e plota, por ne mund të bëjmë disa supozime bazuar në të dhënat e deritanishme. Reagimi i menjëhershëm i Iranit dhe Rusisë, duhet të shfaqet në 3 forma: tronditja, frika dhe kontrolli i dëmeve. ISIS sheh mundësi për t’u ri-ngritur si dikur.
Ndaj SHBA-ja dhe Izraeli po kundërpërgjigjen me sulme parandaluese, për të shkatërruar depot e armëve dhe vendet e prodhimit, për të mos rënë në duart e mbetjeve të Shtetit Islamik.
Dëmet për Iranin dhe Rusinë janë të mëdha. Unë do të ndalem tek pasojat e mundshme për Moskën. Kremlini e di se ushtria e tij ka shumë mungesa, dhe kjo është bërë e qartë me ftesën drejtuar Koresë së Veriut për të dërguar trupa në Ukrainë. Dështimi i Assadit, e ka origjinën tek pakësimi i trupave ruse në Siri, si dhe tek pakënaqësia e madhe popullore ndaj tij.
Mund të mos ketë asnjë ndryshim të menjëhershëm në vijën e frontit, por erozioni i vazhdueshëm gjatë gati 3 vite luftë, dhe ngjarjet e fundit në Siri, e kanë rrëzuar imazhin e pathyeshmërisë së Rusisë. Mund të ndodhë një kolaps i shpejtë në disa sektorë të frontit
të kontrolluar nga Rusia, por janë edhe më të mundshëm edhe skenarë të tjerë.
Ka të ngjarë të shohim një zinxhir tërheqjesh të Rusisë, duke përfshirë forcat e Wagner në Afrikë. Kjo milici mercenarësh, ka përjetuar disa disfata kohët e fundit atje, pjesërisht të lidhura me operacionet e fshehta të forcave speciale të Ukrainës. Ndërsa Ukraina po përgatitet për veprimet e saj të mëtejshme sekrete, vëmendja është kryesisht tek vendet e lidhura me Rusinë.
Forcat ruse jashtë vendit, ishin në një pozitë të vështirë edhe përpara rënies së regjimit në Siri. Presioni politik brenda vendeve afrikane dhe presioni nga rebelimet, vetëm sa do të shtohet mbi forcat e mbetura ruse. Një tërheqje e plotë e tyre është thuajse një fakt i kryer, sepse Afrika është i vetmi vend, ku Rusia mund të tërheqë shumë nga trupat e saj të trajnuara dhe mirë-pajisura.
Fuqitë perëndimore duhet të përgatisin plane për rastet e emergjencës. Pasojat më të mëdha të disfatës së Putinit në Siri, mund të shihen tek ish-republikat sovjetike që sot janë të pavarura: Kazakistan, Uzbekistan, Taxhikistan, Kirgistan dhe Turkmenistan. Duke parë dobësinë e Putinit, ato kanë më shumë gjasa të këmbëngulin se Moska nuk është padrone e tyre.
Rusia nuk ka aktualisht një ushtri konvencionale dhe fuqi ajrore rezervë për të ndëshkuar pjesët e shkëputura të ish-perandorisë sovjetike. Disa nga këto vende -sidomos Kirgistani dhe Taxhikistani - kanë terrene me shumë vlerë, që do të ishin të pafalshme për pushtuesit rusë.
Vendet e Azisë Qendrore, kanë në total 70 milionë banorë, ose gati 2-fishi i asaj të Ukrainës, dhe një sipërfaqe tokësore 6 herë më e madhe se Ukraina. Ndërsa ushtritë e Azisë Qendrore janë të pajisura dobët dhe forcat e tyre ajrore thuajse jo ekzistente, e njëjta gjë ishte e vërtetë për forcat e armatosura të Ukrainës përpara agresionit të Rusisë.
Megjithëse Rusia përballet në përgjithësi me qeveri miqësore në vendet ish-sovjetike, turi i Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në rajon vitin e kaluar dhe bisedimet me liderët atje, nënvizoi se jo gjithçka është harmonike midis Rusisë dhe atyre qeverive.
Ka një aluzion simpatie të Azisë Qendrore për Ukrainën, dhe një refuzim për ta mbështetur luftën e Rusisë. Nëse qeveritë nuk do e rritin presionin kundër dominimit rus në Azinë Qendrore përballë dobësisë së shfaqur të Rusisë, atëherë këtë mund ta bëjnë kryengritjet e reja, dhe nga një këndvështrim i ndryshëm.
A do të ketë në Taxhikistan një rifillim të luftës civile të viteve 1990, e cila përfundoi me Protokollin e Moskës? Lëvizja Islamike e Uzbekistanit (IMU), ishte protagoniste e një rebelimi të armatosur në vitet 1990. Konfliktet e nivelit të ulët, shpërthejnë periodikisht në këto vende.
Për shembull, protestat për çmimet e larta të gazit, shkaktuar në protesta të mëdha në Kazakistan në vitin 2022, përgjigja ndaj të cilave ishte sigurimi i një numri të vogël trupash ruse nën flamurin e CSTO (Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive). Forcat ruse në atë kohë u mjaftuan duke qëndruar si spektatore.
A do t’i urdhëronte sot Putini forcat e tij të shtypnin protestat, apo një kryengritje në një ish-republikat sovjetike sot të pavarura? Nëse po, cilat forca do të përdorë? Shumë njerëz në ato vende duhet të ndajnë dyshimet e mia. Uzbekistani dhe Turkmenistani nuk janë anëtare të CSTO.
Po Kina si do të sillet? Presidenti Xi nuk mund të jetë i impresionuar nga performanca aktuale e Putinit. Ai duhet të pyesë veten mbi stabilitetin e regjimeve kufitare në Taxhikistan, Kirgistan dhe Kazakistan. IMU-ja e lidhur me Al Kaedën dhe Lëvizja Islamike e Turkistanit Lindor (ETIM) konsiderohen si grupime terroriste nga Rusia, Kina, SHBA-ja dhe OKB-ja.
ETIM u themelua nga një ujgur. Kina e shfrytëzoi kërcënimin e atëhershëm minimal të këtyre grupeve, për të shtypur pa dallim pakicën e saj turko-ujgure në Kinën Perëndimore. Duket e pashmangshme që republikat e Azisë Qendrore, do të tentojnë të shkëputen nga sundimit rus, ose falë politikës më tolerante të qeverisë, ose si pasojë e presioneve që do të vijnë nga rebelimet.
Rusia është e paralizuar nga lufta në Ukrainë. Kina do të ndihet e kërcënuar nëse qeveritë e Azisë Qendrore nuk e marrin komandën e sigurisë së tyre ose e bëjnë këtë me aktin e pavarësisë. Vështirësitë e Putinit mund të nxisin lëvizje separatiste brenda Rusisë. Disa ish-republika sovjetike me fundoren “stan” janë ende pjesë e Federatës Ruse. Ne mund të shohim një shpërthim të kryengritjeve xhihadiste islamike ose nacionaliste brenda Rusisë, për shembull në Çeçeni dhe Dagestan.
Rezultatet gjeopolitike, do të varen nga mënyra se si republikat e pavarura ish-sovjetike, dhe grupet e pakënaqura brenda etnisë ruse do të reagojnë ndaj dobësive të Putinit. Për Ukrainën, ngjarjet po zhvillohen në mënyrë të favorshme në disa drejtime: Putini po shfaqet si një udhëheqës i dobët.
Teoria Globale e Kaosit, ka dy masa telashesh në njërën dorë, dhe një masë shprese në tjetrën. Muajt e ardhshëm do të jenë të tensionuar. Harta globale gjeopolitike e kufijve kombëtarë, linjave ushtarake të kontrollit dhe aleancave, mund të duket së shpejti shumë ndryshe.
Dhjetori 2025, nuk do të jetë si dhjetori i 2024-ës. /Përshtati “Pamfleti” nga “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje