TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Dhjetor 2024, 11:00

Shumica e gjeorgjianëve janë të vendosur të shkëputen nga Moska, a do t’i ndihmojë Perëndimi?

Shkruar nga Francesco Baccini

Shumica e gjeorgjianëve janë të vendosur të shkëputen

Asnjë lider evropian nuk e ka uruar presidentin e ri të Gjeorgjisë. Madje as nga kryeministri hungarez Viktor Orbán...

Tbilis - Një top futbolli dhe një pemë e Krishtlindjes. Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit dy imazhe për të përshkruar një nga ditët që do të hyjnë në historinë e Gjeorgjisë, ato mund të jenë vetëm këto. Më 14 dhjetor, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, konfirmoi zgjedhjen e presidentit të  ri të vendit, ish-futbollistit Mikheil Kavelashvili, në mesin e protestave që kanë vazhduar pandërprerë që nga 28 nëntori.

Demonstratat janë aq të mëdha, sa që ditën e emërimit të presidentit, e penguan planin  e autoriteteve për inaugurimin e pemës së madhe të Krishtlindjes përpara ndërtesës së parlamentit nga kryebashkiaku i Tbilisit dhe njëherazi sekretari i përgjithshëm i partisë Ëndrra Gjeorgjiane Kakha Kaladze.

Pas reformës kushtetuese të vitit 2017, duke nisur nga mbarimi i mandatit të Salome Zourabichvilit - që skadon në fund të këtij muaji - zgjedhja e Presidentit të Republikës nuk  bëhet më me votim popullor, por nga një kolegj elektoral prej 300 anëtarësh:150 deputetë të parlamentit dhe 150 përfaqësues të tjerë organeve të pavarura dhe autoriteteve vendore.

Pavarësisht rezultatit të diskutueshëm të zgjedhjeve parlamentare të 26 tetorit  - për të cilat Ëndrra Gjeorgjiane akuzohet për një varg manipulimesh të paprecedenta - dhe vendimit të opozitës për të bojkotuar parlamentin, partia në pushtet vendosi të vazhdojë e vetme me  votimin presidencial, duke propozuar si kandidat të vetëm Kavelashvilin.

Kavelashvili është një ish-futbollist me një karrierë modeste, kulmi i vetëm i të cilit është luajtja për klubin anglez Manchester City për 3 sezone në fundin e viteve 1990 (3 gola në 28 ndeshje). I dha fund karrierës në vitin 2006, dhe 10 vjet më vonë hyri në politikë. Në vitin 2016, u zgjodh deputet i partisë Ëndrra Gjeorgjiane.

Por e braktisi partinë e oligarkut Bidzina Ivanishvili në vitin 2022 për të bashkë-themeluar forcën e tij politike nacional-konservatore dhe të ekstremit të djathtë, Pushteti për Popullin. Kavelashvili është një politikan me qëndrime të forta anti-perëndimore. Kjo tregohet nga fjalimi i tij për pranimin e detyrës.

Ai akuzoi opozitën pro-BE se drejtohet nga Shtetet e Bashkuara “e cila ka një dëshirë të pashuar për të shkatërruar vendin tonë, me një revolucion të dhunshëm dhe përmes ukrainizimit të Gjeorgjisë”. Më 14 dhjetor, Kavelashvili u zgjodh si pasardhës i Zourabichvilit nga kolegji zgjedhor i kontrolluar nga Ëndrra Gjeorgjiane me 100 për qind të votave (nga 224 vota të vlefshme).

Asnjë lider evropian nuk e ka uruar presidentin e ri të Gjeorgjisë. Madje as nga kryeministri hungarez Viktor Orbán, një nga aleatët më të ngushtë të Ëndrrës Gjeorgjiane. Kavelashvili cilësohet nga protestuesit si një “president kukull” në duart e oligarkut Ivanishvili dhe Vladimir Putinit.

Presidentja Zourabichvili, ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra derisa të zhvillohen zgjedhje të reja “të lira dhe demokratike” dhe parlamenti të kthehet në përfaqësuesin “legjitim” të votuesve. Ajo që po ndodh në Tbilisi dhe qytete të tjera gjeorgjiane ka një rëndësi historike, nëse kemi parasysh numrin e njerëzve të mobilizuar (disa dhjetëra mijëra) çdo mbrëmje prej 18 ditësh, pavarësisht temperaturave që tani janë përgjithmonë nën zero gradë.

Por gjatë fundjavës, protestat morën një karakteristikë edhe më interesante, e cila tregon shenjat e një organizimi “sipas kategorive”, që mund të zgjasë gjatë. Midis 13-15 dhjetorit, organizata të ndryshme profesionale dhe joprofesionale - nga avokatët tek psikologët, nga studentët te sektorët e muzikës, kulturës dhe teknologjisë, tek prodhuesit e verës, nënat gjeorgjiane, alpinistët dhe tifozët e futbollit - u organizuan në marshimin e tyre përgjatë Rustaveli Avenue, para selisë së parlamentit, duke u bashkuar me pjesën tjetër të demonstruesve.

Përveç zgjedhjeve të reja të drejtuara nga një administratë e pavarur ndërkombëtare, protestuesit po bëjnë thirrje t’i jepet fund “regjimit” të Ivanishvilit dhe Ëndrrës Gjeorgjiane. Tashmë objektivi i ri është “presidenti i paligjshëm” Kavelashvili.

Kur po zhvillohej seanca e Kolegjit Zgjedhor më 14 dhjetor, një grup djemsh sollën para parlamentit dhjetëra topa futbolli, me të cilët protestuesit nisën të luanin. “Nëse një person

i pashkolluar, merita e vetme e të cilit është qënia dikur futbollist, mund të jetë president, atëherë edhe ne mund të konsiderohemi si futbollistë profesionistë”- thotë Anna, studente në Universitetin e Tbilisit, e cila mbërriti në shesh orën që në orën 7 të mëngjesit.

Me gjithë topat e ujit, bombat tymuese dhe dhunën ndaj protestuesve dhe gazetarëve dy javët e fundit, kryebashkiaku Kaladze e përcaktoi ndezjen e pemës së Krishtlindjeve si “çështje parimi”, dhe planifikoi në mënyrë provokuese ndezjen e saj ditën e emërimit të presidentit të ri, duke mbledhur në shesh përkrahësit e Ëndrrës Gjeorgjiane.

Dhjetëra policë monitoruan barrierat që pengonin hyrjen në shesh gjatë gjithë ditës, derisa pak minuta para orës 19.00 të mbrëmjes, mbërriti njoftimi se ceremonia do të shtyhej. Ndërsa demonstruesit nisën të festojnë suksesin e parë të vogël paqësor, të bazuar vetëm në forcën e numrit të mobilizimit ndaj provokimeve të Ëndrrës Gjeorgjiane, presidentja Zourabichvili vizitoi sheshin, duke i përshëndetur protestuesit dhe duke skalitur një rol edhe më të madh drejtues të shoqërisë civile dhe opozitës politike në këtë fazë të krizës institucionale.

Brohoritjet e gjata për të nga mijëra njerëz në rrugë, që gjatë gjithë ditës protestuan kundër Kavelashvilit dhe përfaqësuesve të partisë në pushtet, treguan se Zourabichvili nuk është e izoluar në vendimin e saj për ta sfiduar qeverinë dhe parlamentin pas datës 29 dhjetor, kur dhe i mbaron edhe mandati. /Përshtati “Pamfleti” nga “Balcani Caucaso”

Lini një Përgjigje