TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Shtator 2024, 12:39

Si mund të arrihet paqja përmes forcës në Ukrainë

Shkruar nga Anders Fogh Rasmussen & Andriy Yermak

Si mund të arrihet paqja përmes forcës në Ukrainë

Përballë Rusisë tepër të militarizuar dhe gjithnjë e më revanshiste të Vladimir Putinit, Ukraina dhe aleatët e saj duhet të përqafojnë citatin e lashtë romak “Si vis pacem, para belluz” (Nëse do paqe, përgatitu për luftë!)...

Presidenti rus Vladimir Putin po i mohon Ukrainës të drejtën e sovranitetit, pasi e ka pushtuar atë dy herë që nga viti 2014. Për fat të mirë, përpjekjet e tij për të nënshtruar vendin, janë penguar nga guximi i popullit ukrainas. Pas 2 vjet e gjysmë mbrojtje të paepur të atdheut të tyre, është bërë tërësisht e qartë se ukrainasit nuk do t’i nënshtrohen kurrë tiranisë ruse.

Por pavarësisht rezistencës së tyre, Putin po e vazhdon luftën e tij brutale. Dhe nëse aleatët e Ukrainës dështojnë që të tregojnë vendosmërinë e nevojshme, konflikti mund të zvarritet edhe për shumë vite, duke e dëmtuar rëndë stabilitetin evropian. Për më tepër, një Rusi gjithnjë e më militariste kërcënon jo vetëm Ukrainën por gjithë botën, dhe me pasoja potencialisht katastrofike.

Lufta e nisur nga Rusia ka shkaktuar tashmë valë tronditjeje në mbarë botën, duke rritur çmimet e energjisë dhe ushqimeve dhe duke rrezikuar një luftë bërthamore. Duke shkelur parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, Rusia e ka destabilizuar seriozisht rendin global.

Për të promovuar paqen, aleatët e Ukrainës duhet ta detyrojnë Putinin të kuptojë se s’mund të diktojë kushtet se si do të përfundojë kjo luftë. Ata mund ta bëjnë këtë duke grumbulluar mbështetje globale për një marrëveshje paqeje, të bazuar tek parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Por edhe duke forcuar pozicionin e Ukrainës në fushën e betejës, duke ofruar garanci afatgjata sigurie, si dhe duke përshkruar një rrugë të qartë për anëtarësimin e saj në NATO. Ndërsa Putin synon qartazi që ta zgjasë luftën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po ndjek në mënyrë aktive një proces  që çon drejt një paqeje të qëndrueshme.

Verës që kaloi, ai mblodhi në Zvicër përfaqësues nga më shumë se 90 vende, për të mbledhur mbështetje për formulën e tij të paqes prej 10 pikash, e cila kërkon forcimin e sigurisë bërthamore dhe adresimin e pasojave mjedisore të konfliktit, përveç tërheqjes së plotë të forcave ruse nga territori ukrainas.

Presioni global, do të ketë një rol thelbësor për arritjen e një marrëveshje, por paqja e qëndrueshme kërkon edhe garanci të forta sigurie. Kjo duke pasur parasysh se Rusia ka treguar vazhdimisht shpërfilljen e saj për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut, duke shkelur traktatet dhe duke kryer shumë krime lufte. Pra paqja nuk mund të mbështetet vetëm tek premtimet e Putinit.

Rezultati i kësaj lufte, do të varet nga aftësia e Ukrainës për të mbrojtur veten. Prioriteti emergjent është përmirësimi i pozicionit të Ukrainës në fushën e betejës. Ndërsa raketat dhe dronët rusë vazhdojnë të vrasin civilët në të gjithë vendin, me shumicën e sulmeve të nisura nga territori rus, Ukraina ka çdo të drejtë që të përdorë armët me rreze të gjatë për t’i goditur këto objektiva, dhe për të hyrë në Rusi me forcat tokësore për të parandaluar sulmet e mëtejshme të Moskës.

Ndaj kufizimi i aftësisë së tij për ta bërë këtë, do të thotë në thelb t’i kërkosh Kievit të luftojë me njërin krah të lidhur pas shpine. Forcat ukrainase, kanë treguar vazhdimisht se mund të përdorin armët e furnizuara nga Perëndimi në mënyrë efektive dhe me përgjegjësi. Ka ardhur koha që aleatët të heqin çdo kufizim të mbetur për llojet e armëve të dorëzuara, dhe mënyrën se si mund të përdoren ato.

Por krahas mbështetjes së menjëhershme, aleatët e Ukrainës duhet të angazhohen për t’i siguruar asaj pajisje ushtarake dhe burime financiare për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ukraina ka marrë tashmë garanci afatgjata sigurie nga më shumë se 30 vende si pjesë e Paktit të Sigurisë së Kievit, në të cilin ne jemi bashkautorë.

Tani është koha të vërtetohet se këto garanci janë reale. Gjatë muajve që vijnë, përpjekjet tona do të përqendrohen në sigurimin që garancitë të përmbushin premtimin e tyre. Këtu përfshihet monitorimi i zbatimit të tyre, vlerësimi i kërcënimeve në zhvillim, dhe nënvizimin e mënyrave se si nevojat e sigurisë së Ukrainës të përputhen me strategjinë më të gjerë të mbrojtjes të Evropës.

Parandalimi që Putin të përfitojë nga plani i paqes, do të kërkojë më shumë sesa garanci sigurie. Aleatët e Ukrainës duhet ta zgjerojnë mbështetjen e tyre, përmes hedhjes së hapave me rëndësi si trajnimi i forcave ukrainase brenda vendit dhe angazhimi i kontraktorëve civilë apo ekipeve të specializuara ushtarake për të riparuar pajisjet e dëmtuara në vend.

Aleatët fqinjë me Kievin, mund të krijojnë një mburojë të zgjeruar të mbrojtjes ajrore mbi Ukrainën Perëndimore për të neutralizuar raketat dhe dronët rusë, duke shpëtuar kështu jetë civilësh dhe i dhënë mundësi Ukrainës të zhvendosë sistemet e saj të mbrojtjes ajrore në vijën e parë të frontit të luftës.

Nuk ka dyshim se secili prej këtyre hapave do të forcojë pozicionin e Ukrainës në çdo lloj negociate të ardhshme. Por tek e fundit, e vetmja mënyrë për të siguruar paqen dhe sigurinë afatgjatë në Evropë është futja e Ukrainës në NATO.

Lënia e Ukrainës në zonën gri midis Rusisë dhe NATO-s, do të nxiste vetëm më shumë destabilitet, agresion dhe dhunë. Udhëheqësit e NATO-s duhet të veprojnë me vendosmëri dhe t’i ofrojnë Ukrainës një rrugë të qartë drejt anëtarësimit. Ndërsa kjo nuk do të thotë se Ukraina do të bashkohet brenda natës, një angazhim i tillë do t’i dërgonte një mesazh të fortë Putinit se lufta e tij nuk do ta pengojë pranimin e saj një ditë.

Përballë Rusisë tepër të militarizuar dhe gjithnjë e më revanshiste të Vladimir Putinit, Ukraina dhe aleatët e saj duhet të përqafojnë citatin e lashtë romak “Si vis pacem, para belluz” (Nëse do paqe, përgatitu për luftë!). Gjatë 2 viteve e gjysmë, populli ukrainas ka treguar një vendosmëri të palëkundur për ta mbrojtur lirinë e tij. Por për të arritur paqen e qëndrueshme, komuniteti ndërkombëtar duhet të shfaqë guximin dhe forcën e duhur për ta mbështetur dhe ruajtur atë./Përshtati Pamfleti nga “Project Syndicate”

Shënim: Anders Fogh Rasmussen, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitet 2009-2014, themeluesi i Fondacionit Aleanca e Demokracive. Andriy Yermak, shef i Zyrës së Presidentit të Ukrainës.

ukraina rusia paqja lufta

Lini një Përgjigje