Policia australiane ka zbërthyer platformën e kriptuar të komunikimit “Ghost”, nën dyshimet se është përdorur për veprimtari kriminale.
Mësohet se gjatë një operacioni të shtrirë nga Europa në Australi janë arrestuar shumë personazhe të krimit dhe aksioni vijon.
Ky aksion vjen pas zbërthimit të aplikacionit “Sky ECC”, që fundosi shumë grupe kriminale.
Administratorii aplikacionit, Jay Je Yoon Jung, 32 vjeç, u paraqit në një gjykatë të Sidneit sot, i akuzuar si mbështetës i një organizate kriminale dhe përfitimin nga të ardhurat e krimit.
Jung do të qëndrojë pas hekurave derisa çështja e tij të kthehet në gjykatë në nëntor.
“Policia australiane ditët e fundit arrestoi 38 të dyshuar në katër shtete në ditët e fundit, ndërkohë vijon ende aksioni në Kanada, Suedi, Irlandë dhe Itali”, tha zëvendëskomisioneri i Policisë Federale Australiane, Ian McCartney.
“Ne pretendojmë se qindra kriminelë, duke përfshirë krimin e organizuar italian, anëtarë të bandave të motoçikletave, krimin e organizuar të Lindjes së Mesme atë korean kanë përdorur Ghost në Australi dhe jashtë shtetit për të importuar drogë të paligjshme dhe për të urdhëruar vrasje”, u tha McCartney gazetarëve.
“Policia australiane ka parandaluar 50 vrasje dhe rrëmbime duke monitoruar kërcënimet midis 125,000 mesazheve dhe 120 video-telefonatave që nga marsi", tha Ndihmës Komisionerja Kirsty Schofield.
Policia pretendon se Jung e zhvilloi aplikacionin posaçërisht për përdorim kriminal në vitin 2017.
Australia ka bashkëpunuar me një taskforcë globale të udhëhequr nga Europol që synonte Ghost në 2022.
Jung u arrestua në shtëpinë e tij të martën. Policia thotë se Jung përdorte një rrjet rishitësish për të ofruar aparate të specializuara për kriminelët në mbarë botën.
Telefonat inteligjentë të modifikuar u shitën për 2,350 dollarë australianë (1,590 dollarë) që përfshinte një abonim gjashtë-mujor në Ghost dhe mbështetje teknike.
“Një konferencë shtypi do të mbahet të mërkurën më 18 shtator 2024 për të shpallur një veprim madhor kundër një platforme komunikimi të koduar që përdoret për aktivitete kriminale, si trafikimi i drogës në shkallë të gjerë, vrasjet dhe pastrimi i parave.
Ky operacion është përpjekja më e fundit e sofistikuar deri më sot për të penguar aktivitetet e organizatave kriminale me rrezik të lartë që veprojnë nga të katër anët e botës”, thuhet në reagimin e Europol.
Në konferencë për shtyp pritet të ketë përfaqësues nga Europol, Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Byroja Federale e Hetimeve të Shteteve të Bashkuara (FBI), Policia Federale Australiane (AFP), Irish An Garda Síochána, Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP). Vendet dhe organizatat e përfshira në operacin janë Australia, Kanadaja, Franca, Islanda, Irlanda, Italia, Holanda, Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europol dhe Eurojust./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga "Abcnews"
Lini një Përgjigje