
Me dhjetëra mijëra luftëtarë aktivë dhe deri në 150.000 raketa, Hezbollahu është aktori më i plotfuqishëm në Liban. Emri i milicisë shiite do të thotë “Partia e Zotit” në gjuhën arabe. Ajo është aleate e ngushtë me Iranin...
Zhurma e fortë që erdhi nga qielli, drodhi dritaret dhe muret. Tronditi gjithë Bejrutin. Më pas u dëgjua zhurma e dytë, e pasuar pak më vonë nga tre të tjera po aq të fuqishme. Në fakt, ato që u dukën si sulme ajrore, ishin 2 avionë luftarakë izraelitë që fluturuan shumë ulët mbi kryeqytetin e Libanit, duke thyer kufirin e shpejtësisë së zërit, vetëm pak minuta përpara se udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, të mbante një fjalim ku do të bënte thirrje për hakmarrje.
Kishte kaluar vetëm një javë, që kur forcat ajrore të Izraelit kishin vrarë Fuad Shukr, një nga komandantët më të lartë ushtarakë të Hezbollahut, në një rezidencë banimi në Bejrutin Jugor. Ky sulm, ishte një hakmarrje e Tel Avivit për një raketë të lëshuar nga Libani i Jugut, e cila ditë më parë kishte vrarë disa fëmijë dhe adoleshentë izraelitë në një fushë futbolli në Lartësitë Golan të aneksuara nga Izraeli.
Disa orë pas vdekjes së Shukr, disa agjentë të dyshuar si izraelitë në Teheran vranë Ismail Haniyeh, udhëheqësin politik të Hamasit. Që nga ajo kohë, bota ka pritur me ankth që Irani të hakmerret kundër Izraelit. A do ta zhytet Lindja e Mesme në një Apokalips?
Në jug të Libanit dhe në Bejrut, frika nga shkatërrimi që mund të shkaktojnë forcat ajrore të Izraelit është shumë e vërtetë. Por inkursioni i zhurmshëm i avionëve super-sonikë, ishte menduar vetëm si një frikësim. Shumica e kalimtarëve në rrugë dhe sheshe ndaluan dhe ngritën sytë lart.
Në klubin e plazhit “Long Beach”, një pjesë e vogël e pushuesve gishtin e mesit drejt qiellit. Një vogëlush qau në shëtitoren bosh. Ndërsa vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara, Australia dhe të tjerët po u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Libani dhe linjat ajrore perëndimore kanë pezulluar përkohësisht fluturimet për në Bejrut, atmosfera në qytet është çuditërisht indiferente.
Me dhjetëra mijëra luftëtarë aktivë dhe deri në 150.000 raketa, Hezbollahu është aktori më i plotfuqishëm në Liban. Emri i milicisë shiite do të thotë “Partia e Zotit” në gjuhën arabe. Ajo është aleate e ngushtë me Iranin dhe e financuar pjesërisht nga regjimi në Teheran.
Krahas milicive në Siri dhe Irak, Huthit në Jemen dhe Hamasin në Gaza, Hezbollahu i përket “Boshtit të Rezistencës”, të cilin Irani e formoi në rajon për t’iu kundërvënë Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre arabë. Pavarësisht nëse do të ketë një hakmarrje apo një luftë të madhe, Hezbollahu do të jetë një faktor kyç.
Dahiyeh, fortesa e madhe e Hezbollahut në Bejrutin Jugor, është aktualisht më e zbrazët se sa ka qenë ndonjëherë që nga lufta e fundit kundër Izraeli në vitin 2006. Banorët atje konfirmojnë se shumë familje u larguan me dëshirën e tyre pas sulmit ndaj Shukr. Madje është vetë Hezbollahu që po u kërkon banorëve të largohen.
“Ata thonë se kjo do të ishte më e sigurt për ne. I paguajnë 200-300 dollarë njerëzit që zhvendosen diku në fshat. Gati të gjitha familjet po shkojnë. Natyrisht, ne kemi frikë!”- “ thotë Muhammad, i cili punon si shitës në një butik në Bejrutin Perëndimor. Është e vështirë të qëndrosh prej disa muajsh buzë humnerës, thekson më tej ai.
Njerëzit e zakonshëm si ai, kanë ndjenjën e të qenit spektatorë të dramës së tyre, dhe askush nuk e di se si do të përfundojë. Edhe fjalimi i fundit i Nasrallah ishte i paqartë. Ai mbajti një leksion të gjatë mbi luftën e vitit 1982 në Liban, dhe vijën e kuqe që Izraeli kishte shkelur me vrasjet e tij.
Fjala më e shpeshtë që përdorte ishte “pritje”. Kjo është hera e parë që Hezbollahu ka evakuuar bastionin e tij të Dahiyeh. Gjatë vizitës që zhvillova në prill, atmosfera ishte më e qetë. Kur raketat fluturuan drejt Izraelit natën e 14 prillit dhe shumë libanezë panë qiellin me mosbesim, disa nga fqinjët të mi ishin mbledhur në tarracë.
Një biznesmen, që jeton midis Afrikës Perëndimore dhe Bejrutit, kishte frikë se nëse do të bombardohej aeroporti i Bejrutit, vendi do të shkëputej nga trafiku ajror. Në atë kohë nuk ndodhi katastrofa. Katër muaj më vonë, duket sikur ajo vetëm sa është shtyrë. “Ne nuk mund ta shmangim atë këtë herë”- thotë një burrë rreth të 60-ave.
Ai mund të flasë me njëfarë autoriteti për Hezbollahun, pasi 42 vite më parë ishte një nga bashkëthemeluesit e milicisë, si dhe një mik i ngushtë i Fuad Shukr. Fakti që tani ka kohë të flasë, qoftë edhe vetëm me pseudonimin “Abbas”, tregon se “doli në pension” vite më parë. Vrasja e Shukr në mes të Bejrutit, i ka bërë të vjetruara llogaritjet e mëparshme të Hezbollahut, thotë Abbas, duke shtuar:”Nëse vazhdojmë ta qëndrojnë në heshtje, kjo do ta inkurajojë Izraelin të vrasë njerëzit tanë kudo dhe sipas dëshirës. Ndaj duhet ta ndalim tani”. Sulmi në Libanin Jugor nga Izraeli në vitin 1982, i cili u pasua nga 18 vjet pushtim, ishte vendimtar për zgjerimin e vazhdueshëm të milicisë.
Popullsia me shumicë shiite e përshëndeti fillimisht mbërritjen e ushtarëve izraelitë. Ata ishin të lodhur nga guerilët palestinezë që qëllonin mbi Izraelin nga fshatrat e tyre, ndërsa ishin ata që paguanin kostot. Por qasja ndryshoi në vitin 1983 si rezultat i sjelljes mizore dhe dhunës së trupave izraelite.
Meir Dagan, që më vonë u bë kreu i Mossad-it, urdhëroi vrasjen e një kleriku të shquar shiit, akt që vetëm sa forcoi rezistencën. Në atë luftë Hezbollahu u mbështet tek sulmet me eksplozive dhe kamikazët. Kur mbaroi lufta civile në vitin 1990, milicia kishte evoluar në një lëvizje popullore të rezistencës kombëtare.
Momenti i triumfit për Hezbollahun erdhi në vitin 2000, kur ushtria izraelite u tërhoq papritur nga Libani. Ajo u pozicionua si një shtet brenda shtetit. Më 8 maj 2008, qeveria e kryeministrit të atëhershëm Fuad Siniora, u përpoq t’i hiqte Hezbollahut rrjetin e tij autonom celular dhe menaxhimin e sigurisë në aeroportin e Bejrutit.
Brenda pak orësh, njësitë e Hezbollahut të armatosura rëndë pushtuan gjithë kryeqytetin dhe ndërtesat qeveritare. Mbështetësit e qeverisë e quajtën “një grusht shteti” dhe kërkuan ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. Por puçistët e Hezbollahut nuk e vazhduan rebelimin, pasi u mjaftuan me atë demonstrim të forcës.
Në aspektin politik, Hezbollahu nuk është dëmtuar fare nga kriza e rëndë ekonomike që e ka pllakosur Libanin që nga viti 2019. Sa më pak që shteti bën për qytetarët e tij, aq më të rëndësishme janë bërë partitë që kujdesen për klientelën e tyre. Hezbollahu ka programin e tij të të mirëqenies sociale, kompanitë e ndërtimit, spitalet dhe shkollat e tij. Dhe tani po kërcënon ta tërheqë Libanin në një luftë me Izraelin dhe të përçajë vendin.
Shumë të krishterë maronitë, po bëhen gjithnjë e më kritikë ndaj saj. Të tronditur nga brutaliteti i luftës së Izraelit në Gaza, Druzët dhe Sunitët po strehojnë refugjatët nga Bejruti por edhe nga jugu. Nëse Hezbollahu nis një sulm hakmarrës kundër Izraelit, ky i fundit do të kundërpërgjigjet edhe më me forcë, dhe atëherë Irani mund t’i japë Hezbollahut dhe milicive të tjera besnike në Irak, Jemen dhe Siri dritën jeshile për të sulmuar Izraelin.
Një sulm ndaj Iranit, do të ishte edhe më i rrezikshëm, ndërsa një pushtim i pamundur. Kabineti dhe gjeneralët e Izraelit mund të mbështeteshin vetëm tek sulmet ajrore për ta bindur Teheranin të kapitullonte. Por, historikisht, sulmet ajrore kanë çuar rrallëherë në dorëzim.
Askush nuk ka një plan realist se si t’i japë njëherë e mirë fund luftës. Ndërkohë, njerëzit në Bejrut dhe në Libanin Jugor nuk kanë zgjidhje tjetër. “Ne mbijetojmë nga dita në ditë dhe presim. E çfarë zgjedhje tjetër kemi?”- pyet Muhamedi. /Përshtati “Pamfleti” nga “Der Spiegel”
Lini një Përgjigje