TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Janar 2026, 21:11

Si gjithmonë, Evropa e mëson vonë se Mark Rutte po luan për ekipin amerikan

Shkruar nga Pamfleti
Si gjithmonë, Evropa e mëson vonë se Mark Rutte po luan për
Rutte & Trump

Po i njëjti Rutte, në qershorin e kaluar, pak orë para se vendet e NATO-s të vendosnin objektivin e rritjes së shpenzimeve ushtarake në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, i dërgonte Trump-it një mesazh që flet vetë për pozicionimin e tij: e përgëzonte për “veprimin vendimtar në Iran”...

Europa, kjo “Bukuroshe e fjetur”, ka marrë një tjetër puthje, por zgjimi nuk ka qenë aspak i këndshëm. Ndodhi të hënën e kaluar, kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, foli në Parlamentin Europian dhe pa asnjë diplomaci deklaroi: “Nëse dikush këtu mendon se Bashkimi Europian, ose Europa në tërësi, mund të mbrohet pa Shtetet e Bashkuara, le të vazhdojë të ëndërrojë. Nuk është e mundur.” Reagimet ishin të menjëhershme, si në kryeqytetet europiane ashtu edhe mes eurodeputetëve. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Nowl Barrot, iu përgjigj në rrjetet sociale: “Jo, i dashur Mark Rutte, europianët mund dhe duhet të marrin përsipër sigurinë e tyre. Kjo është shtylla europiane e NATO-s”.

Ndërsa eurodeputeti spanjoll Nacho Sánchez Amor (PSOE) e sulmoi drejtpërdrejt: “Ju jeni ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë NATO-s apo sekretari i përgjithshëm që përfaqëson Aleancën dhe të gjithë anëtarët e saj?”

Një reagim që për shumëkënd shënonte më në fund një vetëdije europiane mbi rolin real të Rutte-s. Në thelb, ai nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti atë që Donald Trump kishte thënë disa javë më parë: “NATO pa SHBA-të nuk i bën përshtypje askujt. Rusia nuk shqetësohet fare. As Kina.” Në të njëjtën frymë, Trump kishte përsëritur edhe një nga mantrat e tij më të fundit: “Nëse nuk e marrim Groenlandën, do ta marrin Rusia ose Kina dhe këtë nuk do ta lejoj.” Një pretendim që, në këtë fazë, rezulton i pavërtetë, siç e ka konfirmuar edhe gjenerali danez Soren Andersen, kreu i Komandës së Përbashkët Arktike: “Jam këtu prej dy vitesh e gjysmë dhe nuk kam parë asnjë anije luftarake ruse apo kineze.” Problemi real strategjik i Arktikut, tërheqja e akullnajave, hapja e rrugëve të reja detare dhe përgatitja e Rusisë dhe Kinës për t’i shfrytëzuar, nuk nënkupton aspak nevojën për t’u përvetësuar një territor i Danimarkës, pra një copë e Europës. Përndryshe, me të njëjtën logjikë, do të duhej “të merrej” edhe Kanadaja, pasi anije ruse e kineze janë parë edhe pranë brigjeve të saj.

Një çështje e madhe dhe komplekse, që nuk mund të trajtohet me slogane. Megjithatë, Rutte nxitoi t’i dilte në krah Trump-it, duke deklaruar se “të gjithë aleatët bien dakord mbi rëndësinë e Arktikut dhe sigurisë arktike, pasi me hapjen e rrugëve detare ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të bëhen më aktivë”. Ai u shfaq sërish si mbështetës i presidentit amerikan edhe në Davos, në një skenë të sikletshme përballë reagimeve europiane, me atë farsë “negociatash” për Groenlandën në kuadër të OKB-së, për të cilën askush nuk mori vesh as përmbajtjen, as nëse kishte vërtet një përmbajtje. Një episod që shërbeu vetëm për fotografi zyrtare dhe u harrua po aq shpejt.

Po i njëjti Rutte, në qershorin e kaluar, pak orë para se vendet e NATO-s të vendosnin objektivin e rritjes së shpenzimeve ushtarake në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, i dërgonte Trump-it një mesazh që flet vetë për pozicionimin e tij: e përgëzonte për “veprimin vendimtar në Iran”, që sipas tij “na bën të gjithëve më të sigurt”, dhe e siguronte se Europa “do të paguajë në MASË TË MADHE” dhe se kjo do të ishte “fitorja” e Trump-it. Përtej tonit servil, mesazhi tregon qartë dy gjëra: një perceptim problematik të realitetit gjeopolitik dhe një rreshtim të hapur në krah të Shtëpisë së Bardhë.

Farsa e Groenlandës e bën edhe më të qartë këtë rreshtim. I vetmi kuptim i asaj “trajtese” ishte të impononte idenë se Groenlanda është çështje e NATO-s. Në fakt, nuk është. Bëhet fjalë për një shtet jashtë Europës, SHBA-të, që pretendon, me arsye ose justifikime, të marrë nën kontroll një pjesë të një vendi anëtar të BE-së, Danimarkës. Të vetmit aktorë legjitimë për dialog janë Danimarka dhe Bashkimi Europian. NATO mund të hyjë në lojë vetëm nëse flitet për rritje të pranisë ushtarake apo masa sigurie, jo për sovranitet. Nëse nesër Trump do të pretendonte Skocinë, a do të negocionte Rutte apo kryeministri britanik?

Që Rutte luan në ekipin e Trump-it, ose të kujtdo që ndodhet në Shtëpinë e Bardhë, është jo vetëm e dukshme, por edhe e kuptueshme. SHBA-të janë aksioneri kryesor i NATO-s. Mjafton të shihen shifrat: buxheti i NATO-s për shpenzimet organizative është relativisht modest, por shpenzimet reale ushtarake tregojnë një pabarazi të thellë. Në vitin 2024, shpenzimet ushtarake totale të Aleancës ishin mbi 1.500 miliardë dollarë, nga të cilat gati dy të tretat i mbulonin SHBA-të. Pa kontributin amerikan, NATO do të humbiste peshë politike dhe ndikim global, dhe posti i sekretarit të përgjithshëm do të ishte shumë më pak i rëndësishëm. Me SHBA-të pas shpine, Rutte mund t’u diktojë europianëve linjën; pa to, autoriteti i tij do të ishte minimal.

Problemi i vërtetë, megjithatë, nuk është vetëm Rutte. Është fakti se edhe brenda Europës ekzistojnë “kolona të pesta” që e shtyjnë narrativën se Groenlanda është çështje e NATO-s dhe jo e BE-së. Ndërsa nga Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa doli një qëndrim i qartë europian, përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, la të kuptohej se çështja mund të zgjidhej në NATO. Edhe kryeministri polak Donald Tusk insistoi më shumë te dimensioni i Aleancës sesa ai i BE-së.

Kjo është një histori e vjetër, që daton nga zgjerimi i BE-së në vitet 2004–2005, kur u bashkuan vende që, për arsye historike dhe sigurie, shohin te SHBA-të, më shumë sesa te BE-ja, garancinë kryesore për mbrojtjen e tyre. Pikërisht këtë tezë mbron Rutte, dhe kjo qasje shkurton çdo mundësi reale për autonomi politike dhe strategjike europiane. Një realitet që i shkon për shtat Uashingtonit, ndërsa Bashkimi Europian, megjithëse një gjigant ekonomik, mbetet ende një xhuxh politik. /Përshtatur nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje