TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Shkurt 2024, 10:42

Si duhet të riarmatoset Evropa?

Shkruar nga Philippe Legrain

 

Si duhet të riarmatoset Evropa?
Putin dhe Trump /

Deri më tani, është shumë e qartë se nëse Rusia nuk mposhtet në Ukrainë, Putini do të sulmojë vendet e tjera evropiane...

Rikthimi i mundshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, përbën një kërcënim të madh për sigurinë e Evropës. Ndërsa vazhdon ende lufta në Ukrainë, vendet evropiane duhet të forcojnë, para se të jetë tepër vonë, mbrojtjen e tyre kundër agresioneve revanshiste të presidentit rus Vladimir Putin.

Perspektiva e një Trumpi agresiv dhe të pakontrolluar, që do të veprojë bazuar tek kërcënimet e tij duke braktisur angazhimin historik të Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e Evropës, është aq alarmante për shumicën e liderëve evropianë, saqë ata duket sikur priren ta mohojnë këtë kërcënim.

Por pas fitoreve vendimtare në zgjedhjet paraprake në Iowa dhe New Hampshire, është thuajse e sigurt se Donald Trump do të jetë kandidati presidencial i Partisë Republikane në zgjedhjet e nëntorit. Duke pasur parasysh se ai është para presidentit aktual Joe Biden në sondazhet kombëtare por edhe në shumë shtete përcaktuese, rikthimi i tij në pushtet është një rrezik real dhe i pranishëm.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kërcënoi vazhdimisht se do të tërhiqte SHBA-në nga NATO, aleanca ushtarake në bazë të së cilës Amerika e shtrin në gjithë Evropën “ombrellën” e saj bërthamore. Ai u kundërshtua për këtë qasje nga këshilltarët e tij të lartë të politikës së jashtme, dhe sidomos ish-këshilltari i tij mbi Sigurinë Kombëtare, John Bolton.

Por retorika gjithnjë e më izolacioniste e Trump sugjeron se nëse zgjidhet sërish, ai do të rrethohet me njerëz besnikë që dinë të thonë vetëm “po” dhe jo me figura me përvojë të establishmentit. Edhe pse Trump do të kishte nevojë për miratimin e Kongresit për t'u tërhequr nga NATO, ai mund të heqë garancitë amerikane të sigurisë edhe pa e braktisur zyrtarisht aleancën.

Ai do të mjaftohej të deklaronte se SHBA-ja nuk do t’i dalë më në mbrojtje vendeve evropiane në rastin e një sulmi ndaj tyre. Dhe tani ai e ka thënë pikërisht këtë: se do të “inkurajonte” Rusinë “të bëjë çfarë të dojë” nëse një aleati i NATO-s nuk ka shpenzuar mjaftueshëm për mbrojtjen.

Evropa duhet të përgatitet për më të keqen, në vend se të shpresojë për skenarin më të mirë, në të cilin Biden rizgjidhet në detyrë, dhe vazhdon të mbështesë Ukrainën dhe të ruajë angazhimet e Amerikës ndaj aleatëve të saj në NATO. Ideale do të ishte që këto përgatitje të kishin filluar shumë më shpejt, që kur Putin aneksoi Krimenë në vitin 2014 ose pas zgjedhjes së Trump president në vitin 2016.

Sikur të ishte hedhur një dekadë më parë baza për një union evropian të mbrojtjes brenda NATO-s, tani Bashkimi Evropian mund të përfitonte nga avantazhet e shumta nga një strategji më efikase e blerjes së armatimeve. Të paktën, më shumë qeveri evropiane duhet

të kishin ndjekur shembullin e Polonisë dhe Estonisë, duke rritur ndjeshëm buxhetet e tyre

të mbrojtjes në 2 vitet që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Ndërsa është e pamundur ta kthejmë pas kohën, dështimi për të vepruar tani do të ishte kulmi i papërgjegjshmërisë. Si fillim, Evropa duhet të shtojë mbështetjen e saj për luftën e Ukrainës ndaj Rusisë. Teksa shumica republikane në Kongresin e SHBA-së po e refuzon kërkesën e Biden për një ndihmë ushtarake shtesë prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën, kësaj të fundit po i mbarojnë armët dhe municionet.

Fatmirësisht, BE-ja ka miratuar më në fund një paketë ndihme 4-vjeçare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila u bllokua në dhjetor nga kryeministri Hungarisë pro-Putin, Viktor Orbán. Po ashtu, Evropa duhet të zotohet ta mbështesë Ukrainën për një kohë të gjatë, edhe nëse këtë nuk do ta bëjë më SHBA-ja.

Në rast se Orbán refuzon të vazhdojë, 26 vendet e tjera anëtare duhet ta anashkalojnë atë dhe t’i ofrojnë Ukrainës burimet që i nevojiten. Deri më tani, është shumë e qartë se nëse Rusia nuk mposhtet në Ukrainë, Putini do të sulmojë vendet e tjera evropiane.

Tashmë, Kremlini po punon për të destabilizuar demokracitë evropiane, duke financuar partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë anti-BE, dhe duke vendosur një legjion robotësh për të përhapur dezinformimin zgjedhor në mediat sociale.

Ndërkohë, hakerët e mbështetur nga Putin po godasin infrastrukturën kritike, si rrjetet elektrike dhe bazat e të dhënave qeveritare, teksa avionët luftarakë rusë po shkelin herë pas here hapësirën ajrore suedeze dhe estoneze. Rrjedhimisht, Evropa duhet të rrisë edhe shpenzimet e saj në mbrojtje.

Vendet evropiane duhet të përmbushin të paktën objektivin e vendosur nga NATO prej 2

për qind të PBB-së. Në shkurtin e vitit 2022, kancelari gjerman Olaf Scholz shpalli një “Zeitenëende” (një pikë kthese) në politikën e jashtme të vendit të tij, duke sinjalizuar

një angazhim të ripërtërirë për riarmatimin e Gjermanisë.

Por gati 2 vjet më vonë, ai nuk e ka zbatuar ende premtimin e tij për të investuar 100 miliardë euro në modernizimin e forcave të armatosura gjermane. Vitin e kaluar, shpenzimet në mbrojtje parashikohet të kenë arritur vetëm 1.2 për qind të PBB-së. Por nevojiten më shumë financime edhe nga Bashkimi Evropian.

Komisioneri evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, ka propozuar së fundmi krijimin e një fondi të mbrojtjes prej 100 miliardë eurosh për të financuar blerjen e përbashkët të armatimeve dhe municioneve, si dhe për të rritur prodhimin e tyre.

Propozimi i Breton - që ka të ngjarë të ketë mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron, aleatit të tij të ngushtë - përfaqëson një hap të parë shumë premtues. Duke pasur parasysh faktin se ekonomia e Evropës është më e madhe se ajo e Rusisë, vendet e BE-së mund të prodhojnë lehtësisht mjaftueshëm armë për të plotësuar nevojat e mbrojtjes së Ukrainës por edhe të tyret. Por meqenëse investime të tilla kërkojnë kohë dhe një angazhim të qëndrueshëm nga qeveritë kombëtare, atëherë nuk ka asnjë minutë për të humbur.

Sigurisht, Rusia zotëron një arsenal të madh bërthamor. Ndërkohë, vetëm 2 vende evropiane kanë armë bërthamore: Franca dhe Britania e Madhe (e cila nuk është më pjesë e BE-së dhe mbështetet shumë tek teknologjia amerikane).

Duke pasur parasysh që Putin ka kërcënuar tashmë se do të përdorë armët bërthamore taktike në Ukrainë, Evropa duhet të zhvillojë strategjinë e saj të parandalimit bërthamor. Por kjo do të kërkonte një angazhim të besueshëm nga Franca dhe Britania e Madhe për të përdorur aftësitë e tyre bërthamore në mbrojtje të vendeve si Estonia dhe Polonia.

Për më tepër, vendet që e gjejnë veten pa mbrojtjen e “ombrellës” bërthamore të SHBA-së, mund të ndjehen të detyruara të blejnë arsenalin e tyre bërthamor. Pasi dorëzoi armët bërthamore që mbetën në territorin e saj pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina e mësoi në mënyrën më të hidhur të mundshme leksionin se, garancitë e sigurisë nuk janë të mjaftueshme për të penguar sulmet e mundshme ruse.

Çdo vend me termocentrale bërthamore dhe me njohuritë e nevojshme shkencore ka kapacitetin për të zhvilluar armët e veta në një kohë relativisht të shpejtë. Për më tepër, Franca mund të ndajë ekspertizën e saj teknologjike me vendet e tjera evropiane. Riarmatimi evropian mund të duket si një qasje drastike, por rreziqet që na kanosen janë ekzistenciale. Me afrimin e shpejtë të zgjedhjeve të qershorit për në Parlamentit Evropian, mbrojtja duhet të jetë në vëmendjen kryesore të votuesve./ Përshtati Pamfleti nga “Project Syndicate”

Shënim: Philippe Legrain, ish-këshilltar ekonomik i presidentit të Komisionit Evropian, aktualisht bashkëpunëtor në Institutin Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës.

si duhet të riarmatoset evropa

Lini një Përgjigje