
Një djalë i mitur i lindur në vitin 2012 është arrestuar nga policia norvegjeze pas shpërthimit të një granate në Oslo mbrëmjen e së martës, raportoi televizioni TV 2.
Policia konfirmoi arrestimin e një personi pranë vendngjarjes, por nuk dha detaje të mëtejshme për identitetin e tij.
“Inicialisht besojmë se bëhet fjalë për kriminelë që kanë pasur një agjendë kundër kriminelëve të tjerë. Nuk kemi arsye të mendojmë se është një ngjarje e rastësishme”, deklaroi shefi i operacionit, Brian Skotnes, për TV 2.
Sipas tij, policia ka “njëfarë pasqyre” për mjedisin kriminal të përfshirë dhe po heton konfliktet e fundit mes grupeve rivale. “Kjo është një çështje shumë serioze, sepse janë përdorur eksplozivë dhe ka prioritet të lartë. Jemi ende në fazën fillestare të një hetimi të madh”, shtoi Skotnes.
Sipas informacioneve të TV 2, policia dyshon për dy autorë të përfshirë në ngjarje, por deri tani vetëm njëri është arrestuar. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua nga shpërthimi.
Në vendngjarje u gjetën dy granata. Njëra shpërtheu rreth orës 20:15, ndërsa tjetra u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga policia në orën 21:40.
Banorëve të zonës Pilestredet iu kërkua të largoheshin nga dritaret pas shpërthimit të parë dhe më pas u këshilluan të qëndronin larg zonës, pasi kishte ende eksplozivë të paaktivizuar.
Zona e Pilestredet, pranë Bislett në perëndim të kryeqytetit norvegjez, u rrethua nga policia.
Ndonëse ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, nuk pati persona të plagosur.
Lini një Përgjigje