Dronë dhe raketa për Imam Mahdiun: Një kult radikal i fundit të botës po përcakton gjithnjë e më shumë politikën iraniane
Edhe më të vegjlit indoktrinohen: nxënës iranianë të veshur me uniforma të Gardës Revolucionare. Me një pincë në dorë, Mahmoud rregullon copat e ndezura të qymyrit mbi nargjilen e tij dhe thotë se “Irani është më i fortë nga sa e prisnin shumë njerëz.” Mahmoudi, një shiit besimtar, ndodhet në një lokal me tym në lagjen Neukölln të Berlinit. Pak ditë më parë, “New York Times” raportoi se Irani, pavarësisht sulmeve ajrore izraelito-amerikane, ende zotëron rreth 70 për qind të arsenalit të tij raketor. Kjo nuk e habit atë.
“E di si mendojnë ata. Prej 47 vitesh janë përgatitur për luftë kundër SHBA-së dhe Izraelit. Pse? Sepse besojnë se kjo luftë është e nevojshme që Imam Mahdiu të rikthehet”, tha ai. Edhe Mahmoudi është i bindur se kjo luftë është pjesë e profecive të lashta.
Raketat si formë adhurimi
Ashtu si Mahmoudi, mendojnë shumë myslimanë shiitë. Sipas besimit të tyre, Mahdiu është sundimtari i fundit legjitim mysliman. Imami u zhduk në shekullin IX për t’u rikthyer në kohë trazirash globale si shpëtimtar i fundit dhe për të mposhtur të keqen në një betejë apokaliptike. Më pas, Mahdiu do të udhëheqë nga Jerusalemi një qeveri islame botërore deri në Ditën e Gjykimit. Kështu e përshkruan eskatologjia tradicionale shiite fundin e botës.
Por që nga fillimi i luftës mes Iranit dhe SHBA-së, një rrymë radikale po fiton ndikim: mahdizmi. “Përkrahësit e tij nuk kënaqen vetëm duke pritur rikthimin e Mahdiut. Ata duan ta përshpejtojnë aktivisht atë”, thotë Reza Hajatpour, profesor i filozofisë dhe teologjisë islame.
Sipas kësaj ideologjie, për rikthimin e Mahdiut duhet të përmbushen disa profeci. Ato përfshijnë shkatërrime të mëdha përmes luftërave qytetëruese deri te “çlirimi i Jerusalemit”, që nga këndvështrimi iranian nënkupton shkatërrimin e Izraelit. Në këtë kuptim, arsenali raketor iranian nuk është vetëm çështje teknologjie apo strategjie ushtarake, por “akt adhurimi”, siç u shpreh së fundmi kleriku iranian Alireza Panahian, një i afërt i liderit suprem Mojtaba Khamenei dhe një figurë qendrore e mahdizmit.
Në mahdizëm, përshkallëzimi bëhet detyrim
Për shumë vëzhgues perëndimorë të Iranit, kulti i Mahdiut mbetet një pikë e verbër. Studiues të “Middle East Institute” kishin paralajmëruar që në vitin 2022 se ndikimi i tij mbi politikën iraniane po nënvlerësohej vazhdimisht. Kohët e fundit, përkrahësit e mahdizmit kanë sabotuar edhe negociatat me SHBA-në.
Sipas një hetimi të televizionit amerikan CNN, një grupim me ndikim i quajtur “Jebhe-ye Paydari”, ose “Fronti i Qëndresës”, pengoi arritjen e një marrëveshjeje të re me SHBA-në. Grupi e konsideron veten mbrojtës të vlerave të Revolucionit Islamik. Mes anëtarëve të tij janë ish-shefi i sigurisë Saeed Jalili, deputetë dhe anëtarë të lartë të Gardës Revolucionare. Udhëheqësi shpirtëror i grupit, ajatollah Mohammad Mehdi Mirbagheri, kishte kërkuar që në vitin 2019 një “luftë gjithëpërfshirëse për të përshpejtuar rikthimin e Mahdiut”.
Njohësit e Iranit, si Reza Hajatpour, thonë se politika iraniane është thellësisht e përçarë. Por ndarja nuk kalon më mes reformatorëve dhe konservatorëve të ashpër, por mes një kampi radikal që mendon në mënyrë pragmatike dhe vendos mbijetesën e sistemit në plan të parë, dhe forcave edhe më radikale, të cilat nuk shmangin asnjë rrezik për të realizuar objektivat e tyre ideologjike.
Ndërsa kampit të parë i përkasin figura si negociatori iranian dhe kryetari i parlamentit Mohammad Ghalibaf, kampi më i pamëshirshëm përbëhet nga një brez i ri, jashtëzakonisht ideologjik, mbështetësish të regjimit, veçanërisht brenda Gardës Revolucionare. Në mendësinë e tyre, kaosi dhe shkatërrimi nuk janë diçka e padëshirueshme, por një hap i domosdoshëm drejt shpëtimit.
Kjo mund të përmbysë rregullat bazë të gjeopolitikës. Sepse kur logjika e vetëmbrojtjes zëvendësohet nga gatishmëria absolute për sakrificë, atëherë frenimi reciprok humbet efektin. Në atë rast, përshkallëzimi bëhet i pashmangshëm.
Ngritja e kultit apokaliptik
Radikalizmi i brezit të ri të mbështetësve të regjimit iranian nuk është rastësi. Sipas Reza Hajatpourit, besimi shiit për fundin e botës ka ndikuar ideologjinë e Republikës Islamike që nga themelimi i saj në vitin 1979. Ai vetë studioi teologji në qytetin Qom në fillim të viteve 1980.
“Dobësia e Islamit, luftërat e shumta dhe ndryshimet globale, rezistenca kundër imperializmit, të gjitha këto besimtarët i shihnin si shenja të rikthimit të afërt të Mahdiut”, thotë ai.
Megjithatë, shumica e klerikëve në pushtet refuzonin idenë e përshpejtimit aktiv të rikthimit të tij. Kjo ndryshoi në vitin 2005 me presidencën e parë të Mahmoud Ahmadinejadit, një mbështetës i bindur i mahdizmit. Në atë kohë, Republika Islamike po përballej me krizë ekzistenciale. Shoqëria po bëhej gjithnjë e më sekulare dhe sondazhet e brendshme kishin treguar se në zgjedhjet presidenciale të vitit 1997, edhe 73 për qind e Gardës Revolucionare kishin votuar për reformatorët.
Për pasojë, regjimi nisi të krijonte një brez edhe më fanatik të Gardës Revolucionare, të gatshëm të vriste dhe të vdiste për ruajtjen e sistemit. “Për të qenë më efektive, propaganda nuk përdorte më argumente teologjike, por simbole emocionale”, thotë Hajatpour. Kulti i Mahdiut ishte ideal për këtë qëllim.
Figura qendrore të makinerisë së re propagandistike u bënë predikues pa çallmë dhe pa formim teologjik, të cilët madje talleshin me klerikët tradicionalë duke i quajtur “dijetarë pasivë” ose “bletë pa mjaltë”.
Më i njohuri ndër ta është Ali Akbar Raefipour, drejtues i institutit propagandistik “Masaf”, që do të thotë “Luftë”. Sipas hetimeve të medias iraniane në mërgim “Iran Wire”, ky institut që nga themelimi në vitin 2011 ka përdorur ceremoni fetare, media shtetërore, konferenca ndërkombëtare dhe rrjete sociale për ta kthyer mahdizmin në doktrinën dominuese te brezi i ri i mbështetësve të regjimit, jo vetëm në Iran, por edhe jashtë tij.
Vetë organizata “Masaf” e përshkruan veten si “lëvizja më e madhe kibernetike e fëmijëve të revolucionit në internet”.
Ndikimi përtej kufijve të Iranit
Në Iran, pasojat e kësaj makinerie propagandistike ndihen edhe nga qytetarët e zakonshëm.
“Kur flas me mbështetës të regjimit, ata më thonë se ne iranianët jemi populli i zgjedhur i Allahut, që duhet të rimarrë vendet e shenjta islame dhe kështu të hapë rrugën për Imam Mahdiun. Ndihem sikur kam përfunduar në një kryqëzatë mesjetare”, thotë një iranian që dëshiron të mbetet anonim.
Por ndikimi i kultit të Mahdiut tashmë shtrihet përtej Iranit. Në Berlin-Neukölln është bërë vonë dhe Mahmoudi hipën në makinën e tij Volkswagen. Në xhamin e pasmë shkruhet në arabisht: “O Allah, bëj që Imam Mahdiu të rikthehet së shpejti.”
Mahmoudi ende nuk është i sigurt nëse Republika Islamike është vërtet forca që do ta ndihmojë Mahdiun. Raportet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe represion e bëjnë të dyshojë. Megjithatë, ai beson se së shpejti do të duhet të zgjedhë anën ku qëndron, sepse në luftën e ardhshme mes së mirës dhe së keqes, sipas tij, nuk do të ketë vend për neutralitet. /Përshtati Pamfleti nga NZZ/
Lini një Përgjigje