
Tre ditë pasi gazeta Washington Post njoftoi shkarkimin e 1/3 së stafit të saj editorial, drejtori ekzekutiv i Washington Post, Will Lewis, dha dorëheqjen.
Drejtori Ekzekutiv i gazetës Washington Post, Will Lewis, tha të shtunën se po jep dorëheqjen.
Lewis njoftoi largimin e tij në një email prej dy paragrafësh drejtuar stafit të gazetës, duke treguar se dy vjet pas fillimit të transformimit, tani ishte "koha e duhur" që ai të jepte dorëheqjen.
Drejtori financiar i Washington Post, Jeff D'Onofrio, është emëruar drejtor ekzekutiv i përkohshëm.
As Lewis dhe as pronari miliarder i Washington Post, Jeff Bezos, nuk ishin të pranishëm në një takim të redaksisë kur u njoftuan shkurtimet e vendeve të punës të mërkurën.
Edhe pse shkurtimet e vendeve të punës ishin të pritshme, ato ishin më të mëdha se sa pritej dhe si rezultat, redaksia e famshme e sportit u mbyll, stafi i fotografisë u pushua nga puna dhe pati shkurtime të mëdha të stafit përgjegjës për raportimin nga Uashingtoni dhe nga jashtë vendit.
Kjo vjen pavarësisht një eksodi të madh gazetarësh të talentuar në vitet e fundit në gazetë, e cila ka humbur mijëra abonentë pas urdhrit të Bezos në fund të vitit 2024, afër fundit të fushatës presidenciale, për të mos mbështetur kandidaten presidenciale demokrate Kamala Harris, dhe një riorientimi të seksionit "Opinione" në një drejtim më konservator.
Lewis, i cili ka lindur në Britaninë e Madhe, më parë ishte drejtor menaxhues i Wall Street Journal dhe mori drejtimin e Washington Post në janar 2024. Drejtimi i gazetës prej tij ishte jo i qetë që nga fillimi, e shënuar nga shkurtimet e vendeve të punës, një plan i dështuar riorganizimi që çoi në largimin e kryeredaktores Sally Busby.
Pas shkurtimeve të punonjësve të kësaj jave, ka pasur thirrje që Bezos të rrisë investimin e tij në gazetë ose t'ia shesë atë dikujt që do të marrë një rol më aktiv. Lewis e vlerësoi Bezosin në mesazhin e tij.
“Ky institucion nuk mund të kishte një pronar më të mirë. Gjatë kohës sime në krye, u morën vendime të vështira për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për The Washington Post, në mënyrë që të mund t'u ofrojë lajme me cilësi të lartë dhe objektive miliona përdoruesve çdo ditë për vitet që vijnë", tha Lewis.
Sindikata e Washington Post, e cila përfaqëson punonjësit, tha se Lewis duhet të ishte larguar shumë kohë më parë.
"Trashëgimia e tij do të jetë një përpjekje për të shkatërruar një institucion të madh gazetaresk amerikan. Por nuk është tepër vonë për të shpëtuar gazetën Post. Jeff Bezos duhet të anulojë menjëherë shkurtimet e vendeve të punës ose t'ia shesë gazetën dikujt që është i gatshëm të investojë në të ardhmen e saj", tha sindikata.
Bezos nuk e përmendi Lewis në deklaratë, e cila tha se D'Onofrio dhe ekipi i tij janë të pozicionuar për ta udhëhequr gazetën drejt një "kapitulli të ri emocionues dhe të suksesshëm".
D'Onofrio, i cili iu bashkua gazetës qershorin e kaluar, shkroi në një mesazh për punonjësit se po e përfundojnë javën e ndryshimeve me më shumë ndryshime.
“Këto janë kohë sfiduese për të gjitha organizatat mediatike dhe për fat të keq “The Post” nuk bën përjashtim”, shkroi D’Onofrio, duke shprehur besim në aftësinë e industrisë për të përballuar vështirësitë ekonomike në një mjedis në ndryshim.
Lini një Përgjigje