
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bëjnë vlerësimet e tyre nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar në luftën në Gaza.
Diplomati i lartë amerikan tha se ai nuk kishte parë gjetjet e reja të Kombeve të Bashkuara se si Izraeli ashtu edhe Hamasi kryen krime lufte dhe shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar në muajt e parë të luftës, por shtoi se do ta shikojë raportin.
“Ne vazhdojmë të shikojmë me shumë kujdes ligjin ndërkombëtar humanitar, ligjet e konfliktit të armatosur, të drejtat e njeriut. Ne kemi një sërë procesesh tona brenda administratës amerikane, duke përfshirë brenda departamentit tim, për të vlerësuar nëse Izraeli apo ndonjë luftëtar tjetër … po u përmbahet atyre”, tha Blinken gjatë një konference për shtyp në Doha duke iu referuar një raporti të hartuar nga Departamenti i Shtetit në maj.
Ky raport zbuloi se ishte "e arsyeshme të vlerësohej" se armët amerikane janë përdorur nga forcat izraelite në Gaza në mënyra që nuk janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, por nuk ka thënë zyrtarisht se Izraeli ka shkelur ligjin.
Lini një Përgjigje