Izraeli ka vështirësi logjistike dhe ekonomike: nuk është e lehtë të mbash dy fronte të hapura kundër forcave që nuk janë ushtri të rregullta, por dy milici me shumë rrënjë në territorin ku luftojnë.
Nuk duhet pyetur pse gjenerali Benny Gantz dha dorëheqjen nga kabineti i luftës në Izrael, duke i dhënë fund sezonit të së ashtuquajturës qeveri të unitetit kombëtar, por pse ai priti kaq gjatë, duke pasur parasysh se Netanyahu dhe e djathta ekstreme kanë bërë deri më tani atë që kanë dashur, pa e dëgjuar atë dhe askënd tjetër.
Dhe ata do të vazhdojnë të sillen siç kanë bërë deri më tani, thotë Ugo Tramballi, redaktor i Il Sole 24 Ore dhe këshilltar shkencor i ISPI, duke mbetur gjithnjë e më i izoluar nga bota. Një gjendje, të cilën Izraeli mund ta paguajë shtrenjtë në planin afatgjatë, duke çuar në periudhën e pasluftës jo vetëm në kontrollin izraelit mbi Rripin e Gazës, por edhe në pushtimin e tij me koloni të reja, me një program të ngjashëm me atë të ndjekur tashmë në Bregun Perëndimor.
Me pak fjalë, palestinezët rrezikojnë të dëbohen nga territoret e tyre. Nga ana tjetër, qeveria Netanyahu ka votat që e lejojnë të ruajë shumicën në parlament, dhe opinioni publik nuk është kundër vazhdimit të konfliktit deri në shkatërrimin e Hamasit, edhe pse ky objektiv nuk ka gjasa të arrihet. Ndërkohë Blinken rikthehet në Lindjen e Mesme: në Egjipt, Jordani, Izrael. Një mision tjetër diplomatik, që deri më tani nuk ka arritur ndonjë gjë të madhe.
Çfarë pasojash do të sjella dorëheqja e Gantz?
Largimi i tij, është një provë e mëtejshme e izolimit ndërkombëtar të Netanyahut. Por nga pikëpamja e brendshme nuk ndryshon asgjë. Sepse Gantz dha dorëheqjen nga një strukturë që nuk është një institucion zyrtar i shtetit të Izraelit, por një kabinet lufte për të këshilluar kryeministrin.
Rëndësi ka që qeveria aktuale ka ende shumicën parlamentare në Knesset, dhe është një qeveri e ekstremit të djathtë. Në çdo vend demokratik, edhe pse Izraeli është një demokraci “etnike”, pra kryesisht për hebrenjtë dhe jo për qytetarët arabë, ajo që ka rëndësi është shumica. Për sa kohë që Bibi Netanyahu, nuk humbet në nivel parlamentar, ai do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.
Pra të gjitha gjasat janë që qeveria e tij të mos bjerë?
S’ka asnjë shenjë, se ai mund ta humbasë mbështetjen. Dy elementët e tjerë që formojnë qeverinë së bashku me Likud, janë ultra-fetarët e Haredim, të cilëve nuk u intereson Sionizmi, të cilët kanë gjithçka për të fituar falë ndihmës ekonomike që marrin nga qeveria. Pastaj janë kolonët nacionalisto-fetarë, të cilët janë ekstremistë dhe s’kanë asnjë arsye të mos bien dakord, pasi Netanyahu vazhdon që t’i dëgjojë ata. Ndaj në këtë drejtim nuk do të ndryshojë asgjë.
A ishte vetëm formal apeli i kryeministrit drejtuar Gantz që të qëndronte në këtë post? Apo tani Netanyahu është më i kënaqur? Dhe a do të ketë më pak hapësirë për manovrim Sekretari amerikan i Shtetit Blinken, tani që gjenerali izraelit nuk është më pjesë e kabinetit të luftës, duke qenë se ai konsiderohet shumë i afërt me Shtetet e Bashkuara?
Apeli i Netanyahut është një akt i domosdoshëm:në njëfarë mënyre atij do t’i duhet uniteti kombëtar për të mbetur në krye të vendit, natyrisht bazuar tek programi i tij. Por pyetja e vërtetë, nuk është pse u largua Gantz, por pse e bëri këtë tani. Ai duhet të ishte larguar disa muaj më parë.
Megjithatë, gjenerali nuk do të tërhiqet nga vendimi i tij. Ai u tregua shumë i ashpër edhe me Netanyahun, duke thënë se lufta mund të kishte mbaruar që disa kohë më parë, dhe se ajo po vazhdon vetëm sepse është në interesin e kryeministrit.
Sa i përket SHBA-së, Uashingtoni dërgoi në Izrael fillimisht Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare dhe tani Sekretarin e Shtetit Blinken. Por tani është e paqartë se çfarë po bëjnë ata. Po ashtu, për shkak se në pak më shumë se një muaj Knesset nis pushimet verore, parlamenti mbyllet, dhe asgjë nuk do të ndryshojë deri në tetor. Për këtë arsye, Netanyahu do të ecë përpara siç ka bërë deri më sot.
Fakti që Gantz largohet nga kabineti, do të thotë se në vend mund të ketë një opozitë më të fortë? Dhe kush do ta zërë vendin e tij në kabinetin e luftës? Një emër i përfolur është Ben Gvir. A do të thotë kjo se do të shohim operacione ushtarake edhe më brutale në Rafah, në zona të tjera të Gazës, dhe ndoshta edhe në Liban?
Nuk mund të imagjinosh asgjë më brutale se sa kjo që po ndodh tashmë. Sigurisht, me Gantz jashtë kabinetit të luftës, opozita është më e bashkuar. Unë shpresoj që ata të mësojnë nga përvoja e Indisë dhe të krijojnë një aleancë, duke formuar një front opozitar.
Megjithatë, nëse nuk do të ketë një grusht shteti ushtarak, gjë që është e paimagjinueshme, qeveria Netanyahu do të qëndrojë në detyrë derisa t’i mbarojë mandati. Falë shumicës së saj parlamentare do të vazhdojë si tani.
Çfarë do të ndryshojë nga pikëpamja operacionale, pra e menaxhimit të luftës? Amerikanët nuk do të kenë me një ndërmjetësues si Gantz?
Në fakt më kot u shpresua tek ai, pasi Netanyahu vazhdoi të bënte atë që donte. Ai nuk iu përgjigj gjeneralit, kur ai i kërkoi të hartonte një program të pasluftës, dhe as Joe Biden që bëri të njëjtën kërkesë. Gjithçka mbetet si më parë. Por ekziston rreziku që qeveria izraelite të ketë tani më shumë dorë të lirë për të hapur frontin e ri të luftës në Liban, edhe pse mua më duket e vështirë.
Izraeli ka vështirësi logjistike dhe ekonomike: nuk është e lehtë të mbash dy fronte të hapura kundër forcave që nuk janë ushtri të rregullta, por dy milici me shumë rrënjë në territorin ku luftojnë. Unë besoj se ideja e hapjes së një fronti të ri është “fisheku i fundit” që Netanyahu po e mban dhe mund ta përdorë në rast se humbet shumicën në qeveri. Por mua më duket e vështirë që të arrihet deri tek ky skenar.
Atëherë, cili është skenari që pritet tani?
Të vazhdohet si gjatë 8 muajve të fundit. Në fakt, Netanyahu ndihet edhe më i lirë nga presionet e brendshme. Edhe sepse shumica e popullsisë izraelite, është në favor të vazhdimit të luftës deri në eliminimin e Hamasit, pavarësisht se ky i fundit duket se nuk do ta zhduket asnjëherë dhe këtë por e tregon çdo ditë.
Pra qeveria aktuale do e ruajë bazën e saj elektorale, dhe nuk do të bjerë?
Po, ajo ka një shumicë e vogël. Por qeveritë izraelite, qofshin të djathta apo të majta, kanë pasur gjithmonë një shumicë të këtij lloji, duke qenë një sistem në thelb proporcional.
A do ta pushtojnë izraelitët Gazën pas luftës?
Pasi të përfundojë lufta, ideja është të ri-kolonizohet Gaza, të dëbohen palestinezët, dhe të zgjerohen kolonitë aktuale në Bregun Perëndimor. Të gjithë sipas programeve të tyre të vjetra, dhe duke qenë gjithnjë e më shumë të izoluar nga bota./ Përshtati "Pamfleti", nga "Il Sussidario".
Lini një Përgjigje