
Shtëpia e Bardhë ka nënshkruar një letër duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza. Letra është nënshkruar nga liderët e 18 vendeve.
“Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza për mbi 200 ditë. Ato përfshijnë qytetarët tanë. Fati i pengjeve dhe popullatës civile në Gaza, të cilët mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar është një shqetësim ndërkombëtar”, shkruhet në letër.
“Theksojmë se marrëveshja në tryezë për lirimin e pengjeve do të sillte një armëpushim të menjëhershëm dhe të zgjatur në Gaza, që do të lehtësonte kalimin e ndihmave humanitare në të gjithë Gazën dhe do të çonte në përfundimin e armiqësive. Banorët në Gaza do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë dhe tokat e tyre. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësimit për të sjellë njerëzit tanë në shtëpi”, thuhet më tej.
Gjithashtu ne letër përsëritet thirrja ndaj Hamasit për të liruar pengjet dhe për t’i dhënë fund kësaj krize për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon.
Letra është nënshkruar nga SHBA, Argjentina, Austria, Brazili, Bullgaria, Kanadaja, Kolumbia, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Spanja, Tajlanda dhe Britania e Madhe.
Nga ana e tij, Izraeli duket se do të nisë një ofensivë tokësore të planifikuar në Rafah, në jug të Gazës, me mediat izraelite që raportojnë se IDF i ka thënë qeverisë se është gati dhe në pritje të urdhrave, dhe mbledhjen e kabinetit të luftës të Benjamin Netanyahu për të diskutuar planet.
Familjet e pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza kanë bërë presion mbi qeverinë e Netanyahut për të rifilluar negociatat për një armëpushim të përkohshëm në këmbim të lirimit të të dashurve të tyre.
Hamasi dhe grupet e tjera militante morën peng rreth 250 persona më 7 tetor. 105 u liruan si pjesë e një marrëveshjeje pengjesh nëntorin e kaluar në këmbim të një pauze në luftime.
Lini një Përgjigje