
Më e dukshme është nevoja për një sistem të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore për ta mbrojtur Evropën kundër Rusisë. Nëse dronët dhe sulmet me raketa balistike janë mënyra e re e luftës - dhe Rusia është në gjendje të mbajë një inventar prej rreth 900 raketash balistike konvencionale, pavarësisht se i lëshon ato rregullisht në Ukrainë - atëherë Evropa ka nevojë për një kundërpeshë.
Irani lëshoi drejt Izraelit më shumë se 300 raketa dhe drone, dhe vetëm shtatë prej tyre arritën të godasin objektivat. Sulmi masiv i 14 prillit u neutralizua falë kombinimit të avionëve luftarakë dhe një mburoje anti-raketore që në disa raste arriti të kapte raketat dhe dronët që në hapësirë.
Pra është e qartë se funksionon koncepti i “mbrojtjes së integruar ajrore dhe raketore” (IAMD). Dhe megjithëse është i shtrenjtë - duke përfshirë lazerët, satelitët, radarët e avancuar dhe Inteligjencën Artificiale - nuk është aq i kushtueshëm sa shkatërrimi i infrastrukturës suaj kombëtare brenda një nate të vetme.
Sulmi i Iranit u frymëzua nga modeli i ushtrisë ruse kundër Ukrainës: një valë dronësh të ngadaltë, disa raketa lundruese dhe në fund një mori raketash balistike, disa prej të cilave me aftësinë për të manovruar gjatë fluturimit. Edhe pse u mposht, ai sulm sinjalizon “normalitetin e ri” në luftë, ashtu si sulmi i aviacionit gjerman në Guernica të Spanjës në vitin 1937, sinjalizoi se si do të ishte lufta për brezin e gjyshërve tanë.
Për më tepër, sulmi i 14 prillit paralajmëroi një lloj të ri lufte ekonomike. Avionët luftarakë izraelitë me një kosto 110 milionë dollarë secili, dhe që përdorin raketa të teknologjisë së lartë, u përdorën kundër dronëve që kushtonin maksimumi 50.000 dollarë secili. Mesazhi i nënkuptuar i Iranit ishte: Edhe pse mund të na mposhtni teknikisht, ne do t'iu dëmtojmë ekonomikisht.
Ne, në Evropë, duhet të nxjerrim përfundime të shpejta nga kjo ngjarje, pavarësisht nga veprimet e drejta apo të gabuara gjeopolitike. Më e dukshme është nevoja për një sistem të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore për ta mbrojtur Evropën kundër Rusisë. Nëse dronët dhe sulmet me raketa balistike janë mënyra e re e luftës - dhe Rusia është në gjendje të mbajë një inventar prej rreth 900 raketash balistike konvencionale, pavarësisht se i lëshon ato rregullisht në Ukrainë - atëherë Evropa ka nevojë për një kundërpeshë.
Suksesi i mburojës së mbrojtjes raketore të Izraelit, do t'i ketë gëzuar politikanët në Berlin. Nëntorin e vitit të kaluar, qeveria gjermane nënshkroi një marrëveshje unike për të blerë sistemin Arrow-3, i cili përbën shtresën e jashtme të mbrojtjes izraelite.
Paralelisht, Gjermania ka pretenduar rolin e “kombit kornizë” për Iniciativën Evropiane të Mburojës së Qiellit (ESSI) - një projekt që synon të krijojë një sistem të mbrojtjes raketore në të gjithë kontinentin. Në këtë fazë, ESSI ekziston vetëm në letër.
Por nëse ndodh ndonjëherë, vendet pjesëmarrëse do të përdorin një përzierje të Arrow-3, raketën Patriot të prodhuar nga SHBA për mbrojtjen me rreze të mesme dhe IRIS-T të prodhimit gjerman për mbrojtjen me rreze të shkurtër. Megjithatë, Franca, Italia dhe Spanja kanë refuzuar të marrin pjesë në ESSI, sepse 2 nga teknologjitë e sistemeve të përfshira nuk janë evropiane dhe për shkak se një rival francez i sistemit Patriot është përjashtuar nga plani.
Si për të ndërlikuar më tej gjërat, Komisioni Evropian ka publikuar së fundmi një Strategji Industriale Evropiane të Mbrojtjes gjithëpërfshirëse, që kërkon bashkimin e investimeve të mbrojtjes në armë të prodhuara në vend, në ndjekje të autonomisë strategjike evropiane. Megjithatë, në Evropë nuk ka aktualisht asnjë kompani që mund të prodhojë raketa ekuivalente me Arrow-3. Pra, mbrojtja raketore evropiane nuk është thjesht një çështje teknike apo një problem parash. Ajo nxjerr në pah ndarjet e forta gjeopolitike brenda BE-së. Fjala kyçe në lidhje me mbrojtjen raketore është “integrim”. Izraeli ka një sistem që i bashkërendon raketat me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë me avionët e tij luftarakë.
Evropa ka urgjentisht nevojë për të gjitha këto, plus një bashkërendim me anijet e mbrojtjes ajrore me bazë në Detet Baltik dhe Mesdhe, si dhe me një mori satelitësh që kontrollohen nga shumë vende. Po ashtu, duhet që ky sistemi të kontrollohet dhe autorizohet nga qendra dhe të jetë i disponueshëm për 24 orë në 7 ditë të javës.
Dhe pikërisht këtu nisin problemet. Arsyeja përse SHBA dhe Izraeli kanë aktualisht aftësinë për të rrëzuar një raketë balistike në hapësirë, dhe shumica e fuqive evropiane jo, është se ato e kuptuan në kohë kërcënimin dhe investuan shumë në teknologjinë e duhur për të zbutur efektet e sulmeve të tilla.
As Izraeli dhe as Amerika nuk kishin nevojë që të kalonin përmes një Zeitenwende (pike kthese) për të gjetur paratë. Dhe në fund të fundit, të dyja vendet po veprojnë si shtet-kombe, dhe jo një aleancë shumëkombëshe. Ndërkohë BE-ja i ka përqendruar përpjekjet e saj për një reagim të koordinuar në një projekt për kapjen dhe neutralizimin e raketave hipersonike, Twister.
Ky sistem nëse do të ndërtohet ndonjëherë, do të mjaftohet me objektivat e tij brenda atmosferës së tokës, dhe jo në hapësirë. Dhe në asnjë rast nuk do të jetë gati deri para vitit 2035. Dhe nëse ju them se projekti udhëhiqet nga Franca, dhe që ajo sheh ESSI-n si një devijim nga Twister, atëherë mund të nisni të kuptoni problemin themelor të mbrojtjes raketore evropiane.
Aktualisht ka një mori projektesh të trashëguara, të përgatitura që përpara pushtimit të gjithanshëm të Ukrainës nga Rusia dhe të përshtatura me interesat kombëtare konkurruese të Francës dhe Gjermanisë. Dhe nëse do të ketë ndonjëherë një sistem të përbashkët, ai do të duhet që të kapërcejë problemin e vizioneve gjeostrategjike rivale.
Në këtë rast, roli i Britanisë mund të jetë, në mos qendror, të paktën ndikues. Pra, një nga sfidat e para për qeverinë e ardhshme, e cila ka të ngjarë të drejtohet nga laburistët, është të vendosë se çfarë niveli i mbrojtjes raketore mund t'i duhet Mbretërisë së Bashkuar; në cilën pjesë të projektit duam që të specializohemi; ku duam të bashkëpunojmë me Evropën; dhe çfarë kërkojmë në drejtim të komandës dhe kontrollit.
Përgjigjet për këto çështje nuk rrjedhin kryesisht nga konsiderata teknike, madje as ushtarake: ato janë strategjike. Ato burojnë nga pyetje të tilla si: A duam ta pengojmë Rusinë duke treguar se mund të parandalojmë një sulm konvencional ndaj njërit prej aleatëve tanë (pra ta ndalojmë atë që në kufi), apo do të tregojnë se mund ta “ndëshkojmë Kremlinin”, që me një gjuhë diplomatike nënkupton kundërsulmimin ndaj vetë Rusisë.
Dhe kush janë aleatët tanë më të besueshëm, me cilët duam të punojmë në prodhimin e pajisjeve ushtarake? Asnjë nga këto pyetje nuk mori përgjigje në mënyrë të qartë në të ashtuquajturin “rifreskim” të politikës së jashtme dhe të sigurisë të paraqitur nga qeveria jonë në vitin 2023. Prandaj, i takon laburistëve që ta bëjnë këtë. Keir Starmer është zotuar të nënshkruajë një pakt sigurie me BE-në.
Ndërsa ai i afrohet detyrës së kryeministrit, çështja e mbrojtjes raketore është vetëm një shembull se sa komplekse mund të jetë. Në këtë kuadër nuk mund të shmanget pyetja: Në cilin projekt jemi pjesë, me cilët aleatë dhe për cilin qëllim strategjik.
Ekspertët e ajrit dhe hapësirës me të cilët kam biseduar ditët e fundit më thanë se do të kushtonte 10 miliardë paund vetëm ngritja e një sistemit IAMD me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është një shumë më e madhe sesa shkurtimi që Jeremy Hunt firmosi për fondin e sigurimeve kombëtare. Më së paku sulmi iranian ndaj Izraelit, ai duhet të paralajmërojë politikanët se në epokën e dronëve dhe raketave balistike, siguria kombëtare nuk është e lirë. /Përshtati Pamfleti, marrë nga “The New European”
Lini një Përgjigje