Tani është ish-presidenti Donald Trump, kandidati më i vjetër presidencial në historinë e SHBA-së.
Pas shumë javë me një vëmendje të madhe mbi shëndetin dhe moshën e presidentit Joe Biden, e cila mori fund me tërheqjen e tij nga gara të dielën, ka ndryshuar skenari: tani është ish-presidenti Donald Trump, kandidati më i vjetër presidencial në historinë e SHBA-së.
Dhe është po ai, që është treguar më pak transparent në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore, krahasuar edhe me kundërshtarin e tij të deri disa ditëve më parë. Trump, një 78-vjeçar me një histori të sëmundjeve të zemrës dhe obezitetit sipas ekspertëve, nuk publikuar asnjë të dhënë të përditësuar të analizave të gjakut apo ndonjë informacion tjetër specifik gjatë kësaj fushate, për t’i ndihmuar ekspertët të vlerësojnë rreziqet e tij shëndetësore.
Përkundrazi, ai ka publikuar një letër të paqartë, me vetëm 3 paragrafë nga mjeku i tij, Bruce A.Aronwald, i cili shkroi në nëntor 2023 se ish-presidenti gëzonte një shëndet të shkëlqyer fizik dhe mendor. Më vonë theksoi në një deklaratë të publikuar nga zyrtarët e fushatës për The Washington Post se “nuk ka nevojë që presidenti Trump të publikojë një raport tjetër mjekësor, përveç atij të fundit”.
Shtatë ditë pas atentatit kundër tij, Trump publikoi një letër tjetër nga ish-mjeku i tij i Shtëpisë së Bardhë, kongresmeni republikan Ronny Jackson, që përshkroi trajtimin e një plage 2 centimetra të gjerë në veshin e djathtë të ish-presidentit. Ai tha Trump iu nënshtrua një skanimi CT të kokës dhe testeve të tjera, por nuk i tregoi rezultatet e tyre.
Po ashtu, Jackson tha në letër se Trump u trajtua fillimisht nga stafi mjekësor në Spitalin Butler Memorial në Butler, Pensylvania, dhe më vonë e vizitoi vetë atë mbrëmje në fushën e golfit të zotit Trump në Bedminster, Nju Jork. Jackson, një nga mbështetësit më besnikë të Trump, nuk iu përgjigj kërkesës sonë mbi për një koment mbi këtë çështje.
Më herët Jackson ka thënë se Trump iu nënshtrua një testi mbi aftësitë njohëse kur ishte president, por as ato rezultate nuk janë publikuar. Tani, në vend se të përballet me një kandidat 81-vjeçar, shëndeti mendor dhe fizik i të cilit u vu në dyshim pas një debati shumë të dobët në qershor, kundërshtarja e Trump ka shumë të ngjarë të jetë zëvendëspresidentja Harris, një 59-vjeçare pa probleme shëndetësore të ditura publikisht.
Në rolin e numrit 2, Harris nuk ka bërë publike ndonjë raport të detajuar të gjendjes së saj shëndetësore. Shtëpia e Bardhë dhe shtabi i fushatës, nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të The Post nëse do ta bënte këtë si kandidate presidenciale. Mosha e kandidatëve ka qenë këtë vit një çështje kyçe për votuesit.
Një sondazh i Washington Post-ABC News-Ipsos, i kryer përpara konventës republikane të javës së kaluar, zbuloi se 60 për qind e amerikanëve thanë se Trump, është shumë i moshuar për një mandat tjetër si president, përfshirë 82 për qind të demokratëve, 65 për qind të të pavarurve dhe 29 për qind të republikanëve.
Nuk ka asnjë kriter të detyrueshëm që kandidatët presidencialë të publikojnë të dhënat e tyre shëndetësore, dhe ato duhet të bien dakord të heqin dorë nga ligjet e privatësisë, për t’i dhënë mundësi një mjeku që ta bëjë këtë. Por ekspertët thanë se duke pasur parasysh moshën e Trump dhe theksin e mëparshëm mbi shëndetin në këtë fushatë, votuesit do të përfitonin, nëse të gjithë në garë do të ishin transparent mbi analizat dhe gjetjet e mjekëve të tyre.
“Kjo do të largonte frikën, se ndonjë ka kandidatët ka një problem që nuk do që të zbulohet, pasi e di se mund të ndikojë në garën e tij”- tha Ira Monka, presidente e Shoqatës Amerikane të Osteopatikëve, në një intervistë përpara tërheqjes së Biden, duke iu referuar gjendjes së këtij të fundit po edhe të Trump. “Ky është posti më e lartë në botë. Ndaj duam që të kemi një transparencë sa më të madhe që të jetë e mundur. Nëse kandidatët do të bien dakord për këtë, mendoj se publiku do të ishte shumë i lumtur”- shtoi ajo.
Trump ka një histori të përzier të publikimit të informacioneve mbi shëndetin e tij. Në vitin 2015, gjatë kandidimit të tij të parë për në Shtëpinë e Bardhë, tha se e kishte udhëzuar mjekun e tij, Harold Bornstein, të publikonte “një raport të plotë mjekësor”, dhe premtoi se të dhënat “do të tregonin një gjendje të përsosur”.
Në fakt Bornstein nuk i publikoi të dhënat shëndetësore të Trump. Ai u mjaftua me publikimin e një letre me vetëm 4 paragrafë, në të cilën shprehej se Trump do të ishte “njeriu më i shëndetshëm i zgjedhur ndonjëherë për president”. Bornstein, që vdiq në vitin 2021, i tha më vonë CNN se Trump “ia kishte diktuar të gjithë letrën”.
Në shtatorin e vitit 2016, Trump publikoi një letër tjetër nga Bornstein, që përmbante më shumë informacione, dhe ku mjeku arrinte sërish në përfundimin se Trump gëzonte “një shëndet të shkëlqyer “. Një nga njoftimet më të detajuara në lidhje me shëndetin e Trump ndodhi gjatë presidencës së tij në vitin 2018, kur Jackson u shfaq në sallën e konferencave për shtyp në Shtëpisë së Bardhë.
Ai dha detaje që përfshinin një skanim CT, që tregonte se niveli i kalciumit koronar në trupin e Trump ishte 133, nga 34 në vitin 2009. Në atë kohë, eksperti kryesor i CNN për çështjet shëndetësore, Sanjay Gupta, por edhe ekspertë të tjerë, thanë se rezultati tregonte se Trump vuante nga sëmundje të zemrës.
Po ashtu letra tregonte se Trump peshonte 108.5 kg, duke e vendosur atë në kufijtë e obezitetit. Dy vitet në vijim, mjekët e Trump zbuluan se pesha e tij ishte rritur në 110, dhe me pas 111 kg, duke e bërë atë obez sipas standardeve të qeverisë. Por asnjë detaj i tillë nuk është bërë i ditur që kur Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Pas humbjes në vitin 2020, Trump është mbështetur tek Aronwald, një doktor i mjekësisë osteopatike, i cili është edhe anëtar i kursit të golfit të Trump në Bedminster dhe drejton një klinikë private që kujdeset për pacientët me të ardhura të larta.
Aronwald refuzoi të fliste me një gazetar të Washington Post , i cili e vizitoi në prill në klinikën e tij në Morristown, Nju Jork. Ai nuk ka folur asnjëherë publikisht mbi gjendjen shëndetësore të Trump. Letra e Aronëald e dërguar për mediat më 20 nëntor 2023, nuk përmbante rezultate specifike si niveli i tensionit apo pesha trupore.
Dhe as nuk tregonte se çfarë ilaçesh merr rregullisht Trump. Përkundrazi, ajo ishte e mbushur me lavdërime, duke thënë se Trump gëzon një “shëndet të shkëlqyer”, dhe se ai ka aftësi njohëse “të jashtëzakonshme”. Aronëwld nuk ofroi ndonjë të dhënë nëse Trump e kishte “reduktuar peshën e tij trupore”.
Po ashtu, tha se analizat kardiovaskulare kishin dalë normale. Vetë ish-presidenti, është shprehur se i është nënshtruat dy herë testeve mbi aftësitë njohëse, por nuk ka bërë publik rezultatin e tyre dhe nuk ka thënë nëse është testuar më vonë pas vitit 2018.
Ziad Nasreddine, neurologu që krijoi testin, tha për Washington Post në fillim të këtij viti se testi i 6 viteve më parë, ishte shumë i vjetruar për të qenë sot i rëndësishëm. Ai shtoi se një kandidat në moshën e Trump, duhet të bëjë teste të rregullta dhe të publikojë rezultatet e tyre.
Disa ekspertë i thanë më parë gazetës, se Trump mund të përballet me një rrezik të rritur gjenetik të prekjes nga demenca. Në fakt ai e ka pranuar se babai i tij ishte “i prekur nga Alzheimeri”, ndaj specialistët thonë se kjo mund të rrisë shanset e Trump për të trashëguar gjenin që mund të shkaktojë sëmundjen.
Kur Trump mbushi 50 vjeç, ai i tha revistës “Playboy” se problemet e të atit me aftësitë njohëse, patën një ndikim të madh tek ai. “Të mbushësh 50 vjeç, të nxit të mendosh mbi vdekshmërinë apo çfarëdolloj gjëje tjetër”- do të deklaronte Trump./Përshtati "Pamfleti", nga “Washington Post”
Lini një Përgjigje