TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Dhjetor 2024, 08:00

Sekretet e Kim Jong-Un: Çfarë synon të bëjë “diktatori i padeshifrueshëm” me dinastinë komuniste të trashëguar?

Shkruar nga Guido Santevecchi

Sekretet e Kim Jong-Un: Çfarë synon të bëjë

Vitin e fundit diktatori na e rikujtoi rrezikshmërinë e tij, duke hyrë në një aleancë me Vladimir Putinin.

Kanë kaluar plot 13 vite që kur Kim Yong-Un trashëgoi një pushtet absolut në Republikën Popullore Demokratike të Koresë (emri zyrtar i regjimit komunist në veri). Dhe ne ende nuk e dimë se cili është objektivi i tij i vërtetë, përveç atij të zgjatjes pafundësisht të dinastisë që ka trashëguar.

Vitin e fundit diktatori na e rikujtoi rrezikshmërinë e tij, duke hyrë në një aleancë me Vladimir Putinin. Ai firmosi me Rusinë një pakt të ndihmës ushtarake të ndërsjellë, duke dërguar të paktën 10.000 ushtarë koreanë në frontin ukrainase, që të luftojnë përkrah rusëve dhe kundër ukrainasve.

Por jo më pak shqetësuese ishte deklarata, sipas së cilës nuk do të ketë kurrë paqe me Korenë e Jugut “sepse ajo është armiku i parë absolut” dhe do të shkatërrohet, qoftë edhe përmes përdorimi të armëve bërthamore.

Kësisoj, Marshalli i Phenianit, është njeriu që mund të ndezë shkëndijën e frontit të tretë, atij aziatik, në “një luftë botërore të segmentuar”, për të cilën po flet vazhdimisht edhe Papa Françesku, pavarësisht se nuk po dëgjohet atje ku duhet. 

Kim hyri në skenën ndërkombëtare me hapa të pasigurt. Shumë analistë në Perëndim, vunë bast se për shkak të moshës së tij shumë të re (ishte 27 vjeç kur i vdiq babai), do t’i nënshtrohej në rastin më të mirë tutelës së hierarkëve më të lartë të regjimit.

Personazhi më i spikatur ishte xhaxhai i tij, Jang Song-thaek, që prej vitesh mbante postin e drejtuesit të programit ekonomik. Ishte një pikë lidhëse për marrëdhëniet me Kinën e plotfuqishme, dhe që ushtronte vazhdimisht presion për të ndërmarrë reformat e tregut.

Por doli që Kim nuk ishte një kukull në duart e të tjerëve. Në fundin e vitit 2013, xhaxhai u arrestua gjatë një mbledhje të Byrosë Politike, duke u tërhequr zvarrë nga 2 roje të gardës. Pati një gjyq dhe një ekzekutim me vdekje të shpejtë. Media e Phenianit shkroi se Jiang kishte “kryer akte tradhtie të neveritshme, dhe ishte më keq se një qen”.

Përmes spastrimeve, sëmundjeve të vërteta apo të supozuara, apo daljes së imponuar në pension, 6 zyrtarë të tjerë të lartë që u panë në podium në krah të Kim ditën e funeralit të babait të tij, u zhdukën nga skena publike.

Për fatin e tyre dhe për të gjitha zhvillimet në zemër të kupolës drejtuese të Koresë së Veriut, ne dimë vetëm atë që servir Departamenti i Propagandës, që drejtohen nga Kim Yo-jong, motra më e vogël e Marshallit (ajo është 37 vjeçe, ai 40 vjeç).

Fizikisht e brishtë dhe enigmatike, Yo-jong tregon vazhdimisht në publik gjeste nënshtrimi ndaj të vëllait, si në rastin kur e veshur me doreza të bardha i dha penën për nënshkrimin e dekreteve (thuhet se është një masë paraprake për të penguar armikun të mbushë fshehurazi stilolapsin me helme kimike), ose kur i jep tavllën për ta fikur cigaren.

Por është e qartë se prapa kësaj fasade fshihet një grua e pushtetshme, e aftë të jetë shumë e egër. Dhe është ajo që lëshon deklaratat verbale më të ashpra kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Kulmin e arriti në vitin 2017, kur në një deklaratë në gjuhën koreane, e quajti Donaldin Trumpin një “plak të çmendur”.

Vëlla e motër studiuan në një universitet në Bernë të Zvicrës, ku u regjistruan me emra të rremë. Shokët e klasës e mbajnë mend Kim si një djalë të turpshëm, që fliste pak dhe që kishte qejf basketbollin. Ndërkohë dihet që e motra ishte e preferuara e babait të saj Kim Jong-il, që e quante “princesha ime e ëmbël”.

E tillë ndoshta në jetën private, por cinike dhe e pamëshirshme në daljet publike. Ajo nuk mund të mos ketë qenë në dijeni të vendimit për helmimin e gjysmë-vëllait të tyre, Kim Jong-nam në Kuala Lumpur në vitin 2017. Nga ana tjetër, ajo është e aftë edhe në artin e diplomacisë.

Kur Koreja e Veriut vendosi në vitin 2018, të nisë një fazë të shkrirjes së akujve me jugun, ishte ajo që shkoi në Seul, në krye të ekipit olimpik të vendit të saj në Lojërat Dimërore të Pyeongchang.

Ndërkaq ajo drejton seksionin që përzgjedh dhe shpërndan imazhet e vëllait të tij Marshall, dhe të testeve të raketave koreano-veriore që trembin herë pas here botën. Dhe që nga viti 2022 në ato raste shfaqet rregullisht edhe një vajzë e vogël.

Ajo është Ju-ae, e dyta nga 3 fëmijët e Kim Jong-un. Shtypi koreano-verior e prezantoi fillimisht si “vajza e dashur”, më pas e ngriti vlerësimin në “vajza e respektuar”. Përcaktorë të tillë në gjuhën e regjimit sinjalizojnë fuqinë: vetë Kim quhet Marshalli i Nderuar.

Ndaj hipotetizohet se vajza e vogël është zgjedhur si trashëgimtarja e radhës e dinastisë. Kim 40- vjeçar është dukshëm mbipeshë. Bazuar tek pamjet televizive, ekspertët koreano-jugorë thonë se ai peshon 130-135 kilogramë dhe është vetëm 170 centimetrai gjatë. Po ashtu, thuhet se pi shumë duhan dhe e konsumon shumë verën franceze Bordeaux.

Kur në vitin 2020 u zhduk nga skena për 2 muaj, pati shumë zëra mbi fatin e tij. U fol se kishte pësuar vdekje cerebrale. Sigurisht një lajm i ekzagjeruar, megjithatë ai duhet të ketë probleme shëndetësore. Ndaj ka vendosur me gjasë t’i hapë rrugën e pushtetit vajzës së tij të vogël, duke e shfaqur atë midis raketave dhe bombave bërthamore.

Është e sigurt që Kim s’ka ndërmend të heqë dorë nga armët bërthamore, që është siguria për mbijetesën vetjake, të regjimit por edhe e mjeteve për të kërcënuar dhe ndoshta nënshtruar Korenë e Jugut.

Sot, pas shumë parashikimeve të gabuara, analistët perëndimorë mendojnë se Marshalli i Koresë së Veriut po konsideron lëvizjen e tij më të madhe për të shfrytëzuar rikthimin e Trumpit në shtëpinë e bardhë.

Edhe dërgimi i ushtarëve të Koresë së Veriut në frontin ukrainas, mund të jetë pjesë e strategjisë së Kim për të rifilluar dialogun me SHBA-në. Ndërkohë, ai ka vendosur të sakrifikojë jetën e mijëra ushtarëve koreano-veriorë për të marrë mirënjohjen dhe disa shpërblime nga partneri i ri në biznes, Vladimir Putin. Është basti i guximshëm i një diktatori të padeshifrueshëm./Përshtati "Pamfleti" nga  “Corriere della Sera”

Lini një Përgjigje