TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Janar 2026, 22:03

Sa i ligjshëm është sulmi i SHBA ndaj Venezuelës?

Shkruar nga Pamfleti
Sa i ligjshëm është sulmi i SHBA ndaj Venezuelës?
Trump-Hegseth

Zyrtarisht, operacioni paraqitet si i kufizuar vetëm në largimin e Maduro-s. Por vetë fakti që u kryen goditje brenda territorit të vendit, rrethanë që më herët ishte cilësuar si e paligjshme pa autorizim parlamentar, e vë në pikëpyetje këtë narrativë.

Sulmi amerikan ndaj Venezuelës po hap një debat serioz mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes, pasi vetë administrata Trump kishte pranuar më herët se goditjet tokësore në territorin venezuelan kërkonin miratim nga Kongresi.

Më 2 nëntor, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, deklaroi për Vanity Fair se çdo veprim ushtarak tokësor në Venezuelë do të përbënte akt lufte dhe, si i tillë, do të kërkonte autorizim nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara. Të njëjtin mesazh, zyrtarë të administratës së Donald Trump ua kishin përcjellë edhe privatisht ligjvënësve vetëm pak ditë më vonë, duke pranuar se mungonte baza ligjore për sulme ndaj objektivave tokësore në Venezuelë.

Megjithatë, vetëm dy muaj më pas, administrata bëri pikërisht atë që kishte thënë se nuk mund ta bënte: ndërmori një sulm në shkallë të gjerë brenda Venezuelës dhe arrestoi presidentin Nicolás Maduro, pa asnjë miratim nga Kongresi.

Zyrtarisht, operacioni paraqitet si i kufizuar vetëm në largimin e Maduro-s. Por vetë fakti që u kryen goditje brenda territorit të vendit, rrethanë që më herët ishte cilësuar si e paligjshme pa autorizim parlamentar, e vë në pikëpyetje këtë narrativë. Sipas CNN, administrata kishte kërkuar që në nëntor një opinion të ri ligjor nga Departamenti i Drejtësisë, për të justifikuar një veprim të tillë.

Dyshimet u thelluan edhe më shumë pas deklaratave të Trump në konferencë për shtyp, ku ai nuk foli vetëm për arrestimin e Maduro-s, por edhe për “drejtimin” e Venezuelës dhe marrjen nën kontroll të naftës së saj, çka sugjeron qartë se operacioni shkonte përtej një veprimi të thjeshtë policor.

Goditje të diskutueshme ligjërisht në vende të huaja nuk janë të panjohura në historinë amerikane, por edhe në këtë kontekst, rasti i Venezuelës konsiderohet i jashtëzakonshëm, për shkak të mungesës së transparencës dhe koherencës në arsyetim.

Administrata Trump nuk ka paraqitur ende një kornizë të qartë ligjore për sulmin dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk e ka njoftuar Kongresin paraprakisht, gjë që zakonisht përbën minimumin procedurial në raste të tilla.

Arsyetimet kanë ndryshuar vazhdimisht. Senatori republikan Mike Lee deklaroi se Sekretari i Shtetit Marco Rubio i kishte thënë se sulmi ishte i nevojshëm për të “mbrojtur forcat që po ekzekutonin urdhrin e arrestimit” ndaj Maduro-s. Kjo u paraqit si pjesë e kompetencave të presidentit sipas Nenit II të Kushtetutës, për mbrojtjen e personelit amerikan nga një kërcënim i afërt.

Më pas, zëvendëspresidenti JD Vance argumentoi se Maduro ishte nën disa aktakuza në SHBA për narco-terrorizëm dhe nuk mund t’i shmangej drejtësisë. Rubio e përforcoi këtë linjë, duke e quajtur ndërhyrjen “mbështetje për një funksion të zbatimit të ligjit”.

Por ekspertët theksojnë se SHBA nuk ndërmerr zakonisht sulme ushtarake ndaj shteteve të tjera për të arrestuar persona të paditur, edhe kur këta ndodhen nën akuza federale.

Në faza të ndryshme, administrata ka përmendur si justifikim luftën kundër trafikantëve të drogës, më pas pretendimin se Venezuela kishte dërguar “elementë të rrezikshëm” në SHBA, dhe së fundi vetë Trump deklaroi hapur synimin për të rimarrë “naftën, tokën dhe asetet që na janë vjedhur”.

Kaq e paqartë ishte linja zyrtare, sa edhe senatori i njohur për qëndrime të ashpra, Lindsey Graham, pranoi në dhjetor se administrata mungesë qartësie në mesazhin e saj. “Nëse qëllimi është ta heqësh nga pushteti sepse përbën kërcënim për SHBA-në, atëherë thuaje hapur. Dhe çfarë ndodh më pas?” – u shpreh ai.

Në thelb, sulmi ndaj Venezuelës po shihet gjithnjë e më pak si një veprim ligjor dhe gjithnjë e më shumë si një precedent i rrezikshëm, ku forca ushtarake përdoret pa miratim parlamentar dhe pa një bazë të qëndrueshme në të drejtën ndërkombëtare. /Përshtatur nga “CNN”

Lini një Përgjigje