TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Maj 2025, 15:49

"Rusia përsërit ultimatume të vjetra", Zelensky nga Berlini: Nuk pranoj asnjë kusht për armëpushimin!

Shkruar nga Pamfleti

"Rusia përsërit ultimatume të vjetra", Zelensky nga

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se Rusia nuk ka paraqitur asnjë propozim të ri për t’i dhënë fund luftës, por vazhdon të theksojë ultimatume të njohura tashmë nga e kaluara.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz nga Berlini, Zelensky u shpreh Ukraina nuk pranon asnjë lloj kushti për arritjen e një armëpushimi dhe i konsideron veprimet e Rusisë si pjesë e një fushate propagandistike pa përmbajtje reale.

“Bota po pret prej më shumë se një jave që Rusia të finalizojë të ashtuquajturin memorandum për paqe. Deri më tani nuk ka asgjë të re, vetëm ripërsëritje të ultimatumeve të vjetra”, tha ai.

Sipas Zelenskyt, thelbi i konfliktit buron nga një dëshirë kriminale e Rusisë për të vrarë njerëz dhe për të shkatërruar jetë, ndërsa paqja e vërtetë mund të arrihet vetëm nëse Moska ndryshon qasjen.

Presidenti ukrainas bëri thirrje për intensifikimin e presioneve ndërkombëtare ndaj Kremlinit. Ai theksoi se zgjatja e luftës duhet të jetë e dhimbshme për Moskën dhe se Gjermania po e mbështet Kievin në këtë drejtim.

Deklarata e Zelensky-t vjen pas një telefonate të gjatë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut amerikan Donald Trump më 19 maj, ku Putin u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Ukrainën mbi një memorandum për paqe dhe një armëpushim të përkohshëm.

Megjithatë, Zelensky theksoi se Ukraina nuk është informuar mbi përmbajtjen e këtij dokumenti.

“Nuk dimë çfarë përfshin ky memorandum, cilat parime synon të përfshijë Rusia”, u shpreh ai.

Zelensky ritheksoi se çdo iniciativë për paqe duhet të jetë pa kushte dhe të bazohet në rikthimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ai hodhi poshtë çdo përpjekje për imponim kushtesh përmes deklaratave publike, duke i quajtur ato “manovra propagandistike pa vlerë reale”.

Lini një Përgjigje