
Moska ka reaguar ashpër ndaj planeve të Perëndimit për vendosjen e një force shumëkombëshe sigurie në Ukrainë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se Kremlini “nuk do të diskutojë kurrë një ndërhyrje të huaj në Ukrainë, në asnjë formë apo format”, duke e cilësuar këtë ide si “tërësisht të papranueshme dhe që minon çdo lloj sigurie”.
“Ky është një qëndrim i prerë i Rusisë dhe Perëndimi duhet ta ketë parasysh përpara se të rikthejë këtë temë në tryezë”, paralajmëroi Zakharova.
Deklarata e saj erdhi menjëherë pas takimit të nivelit të lartë në Paris, ku Presidenti francez Emmanuel Macron, në prani të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë, shpalli krijimin e një koalicioni prej 26 shtetesh që janë të gatshme të dërgojnë trupa në Ukrainë, në kuadër të një “forcë sigurimi” që do të hyjë në fuqi pas një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi takimin e sotëm si “vendimtar”, duke theksuar se e ardhmja e gjithë kontinentit është në lojë. “Ne e dimë të gjithë: siguria e Evropës është në rrezik. Sot udhëheqësit mbështetën planin për të garantuar mbrojtjen afatgjatë të Ukrainës”, u shpreh ajo pas përfundimit të samitit.
Sipas planit të paraqitur, “forca e sigurisë” do të përfshijë kapacitete tokësore, detare dhe ajrore, si dhe do të ketë misionin e rindërtimit dhe fuqizimit të ushtrisë ukrainase pas përfundimit të luftës, duke shërbyer si garanci kundër çdo agresioni të ardhshëm rus.
Macron paralajmëroi gjithashtu se SHBA mbetet një aktor kyç, ndërsa administrata e Trump pritet të finalizojë detajet e mbështetjes amerikane në ditët në vijim.
Për Kremlinin, kjo lëvizje është një provokim i drejtpërdrejtë. Deklarata e Zakharova tregon se Moska e konsideron çdo prani të trupave perëndimore në Ukrainë si një shkelje të sovranitetit të saj dhe një kërcënim ekzistencial për sigurinë kombëtare të Rusisë.
Nga ana tjetër, Perëndimi e sheh këtë plan si mënyrën e vetme për të shmangur një agresion të dytë rus ndaj Ukrainës, nëse lufta aktuale përfundon pa një fitore të plotë të Kievit.
Lini një Përgjigje