Nga disident liberal në figurë të afërt me MAGA-n, transformimi i kryeministrit që e afroi Budapestin me Moskën
Zsuzsanna Szelenyi kujton se Viktor Orban ishte ai që dikur u kërkonte rusëve të largoheshin nga Hungaria. Ishte viti 1989. Perdja e Hekurt po binte dhe Orban ishte zgjedhur për të mbajtur një fjalim në ceremoninë e rivarrimit të Imre Nagy, kryeministrit të pasluftës që udhëhoqi revolucionin hungarez të vitit 1956 kundër sovjetikëve dhe që u ekzekutua për këtë arsye.
Szelenyi, e cila ishte pjesë e gardës së nderit në atë ceremoni, kujton se si njeriu që më vonë do të bëhej kryeministri më jetëgjatë i vendit, doli në skenë për të kërkuar tërheqjen e ushtrisë sovjetike.
“Nëse besojmë në forcën tonë, jemi të aftë t’i japim fund diktaturës komuniste”, tha Orban, duke shtuar “nëse jemi mjaftueshëm të vendosur, mund ta detyrojmë partinë në pushtet të pranojë zgjedhje të lira.”
Sipas Szelenyi-t, ish-deputete e partisë në pushtet Fidesz, në atë kohë nuk kishte asnjë shenjë se çfarë do të bëhej Orban në të ardhmen.
Nga një lider liberal që kërkonte shkëputjen e Hungarisë nga Moska, kryeministri hungarez është shndërruar në një mbrojtës të vetëshpallur të “joliberalizmit” dhe në një nga aleatët më të afërt të Kremlinit në Europë.
Në një kohë kur Bashkimi Europian përpiqet të përballet me agresionin rus në Ukrainë dhe më gjerë, Orban është kthyer në një figurë mbi të cilën presidenti rus Vladimir Putin mund të mbështetet.
Para një zgjedhjeje të rëndësishme në Hungari më 12 prill, Orban bllokoi një paketë kredie prej 90 miliardë eurosh të BE-së, për të cilën Kievi thotë se është jetike për të vazhduar luftën. Ndërkohë, ministri i Jashtëm hungarez u detyrua të shpjegojë pse kishte ndarë në mënyrë informale informacione konfidenciale me Kremlinin.
“Kjo ndodhi me kalimin e kohës, në disa faza dhe pika kthese,” tha Szelenyi, duke shtuar “ajo që është më befasuese është prirja pro-ruse. Por ai nuk ndryshoi nga një ditë në tjetrën.”
“Ta bëjmë Hungarinë madhështore sërish”
Kur u mbajtën zgjedhjet e para të lira në Hungari në vitin 1990, Orban dhe Szelenyi ishin mes 22 anëtarëve të Fidesz-it, atëherë një grup liberal-centrist i studentëve dhe intelektualëve antikomunistë, që u zgjodhën në parlament.
Sipas saj, transformimi i Orban filloi shpejt më pas. I zgjedhur kryetar i partisë në vitin 1990, ai fitoi kontroll të plotë mbi Fidesz-in dhe largoi gradualisht kundërshtarët ose kritikët brenda partisë. Duke parë këtë, Szelenyi dhe disa deputetë të tjerë u larguan në vitin 1994, kur Orban e zhvendosi papritur partinë nga një profil liberal në një orientim konservator kombëtar.
“Ata që mbetën në Fidesz ishin më homogjenë dhe më besnikë ndaj tij,” tha ajo, ndërsa shtoi “që atëherë, historia e partisë dhe e Orban-it janë një.”
Transformimi i tij ndodhi me hapa: pas një mandati si kryeministër në fund të viteve 1990, ai kaloi 8 vite në opozitë duke penguar proceset parlamentare dhe duke sfiduar qeverinë socialiste-liberale të kohës.

Kur u rikthye në pushtet në vitin 2010, ai ndërmori reforma për të mos e humbur më pushtetin: ndryshoi kushtetutën, dobësoi balancat demokratike, kufizoi lirinë e medias dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe ndryshoi sistemin elektoral në favorin e tij.
Sipas Szelenyi-t, faza e parë e transformimit lidhej me ambicien personale, ose siç e quan ajo, “vullneti për pushtet”.
Afrimi me Rusinë
Afrimi i Orban me Rusinë ishte më gradual, por i dukshëm.
Një moment kyç ishte viti 2014, kur ai nënshkroi një marrëveshje me Kremlinin për një kredi të madhe për zgjerimin e centralit bërthamor Paks II. Kjo marrëveshje sinjalizoi jo vetëm varësi ekonomike nga Moska, por edhe një afrim ideologjik.
Gjashtë muaj më vonë, Orban shpalli synimin për të ndërtuar një “shtet joliberal” të bazuar në vlera kombëtare dhe të krishtera, duke përmendur Rusinë e Putinit si model.
Më parë, në vitin 2007, ai kishte deklaruar se Rusia ishte një perandori që kërkonte të dominonte fqinjët dhe nuk mund t’i besohej.
Ndërsa edhe kryeministra të tjerë hungarezë kishin kërkuar marrëdhënie ekonomike me Rusinë, nën Orban bashkëpunimi u thellua dhe u shndërrua në lidhje politike. Ai promovoi politikën e “hapjes lindore”, duke kërkuar marrëdhënie më të ngushta jo vetëm me Rusinë, por edhe me Kinën dhe Turqinë.
Ambicia dhe pushteti
Peter Molnnr, ish-koleg dhe bashkëpunëtor i Orban, e lidh këtë transformim me ambiciet e tij ndërkombëtare. “Orban nuk mund ta bëjë Hungarinë më të madhe,” tha ai, duke iu referuar humbjeve territoriale pas Luftës së Parë Botërore. Ai shtoi “por ndoshta mendon se mund ta bëjë më të rëndësishme.”
Gazetari Pal Daniel Renyi ndan një vlerësim të ngjashëm: Orban është i tërhequr nga vetë pushteti dhe përshtat pozicionet e tij sipas mundësive politike.
Ai vëren se në vitet ’90, Orban kuptoi se orientimi konservator i jepte më shumë hapësirë për të ndërtuar mbështetje dhe për të kontrolluar strukturat politike.
Marrëdhëniet me BE-në
Sipas disa mbështetësve të Orban, nuk është vetëm ai që ka ndryshuar, por edhe Bashkimi Europian.
Frank Furedi argumenton se BE-ja është bërë më liberale dhe më ndërhyrëse ndaj sovranitetit të shteteve anëtare, gjë që ka ndikuar në qëndrimin e Orban.
Kriza e refugjatëve në vitin 2015 shënoi një pikë kthese: përplasja me politikat e migracionit të BE-së e thelloi konfliktin me Brukselin.

Në diskursin e tij politik, Orban shpesh e paraqet Hungarinë si një vend nën presion nga fuqi të jashtme, duke krahasuar Brukselin me ndikimet e mëparshme nga Vjena apo Moska.
Në një fjalim në vitin 2011, ai deklaroi: “në vitin 1848 nuk pranuam diktat nga Vjena, në 1956 jo nga Moska, dhe tani nuk do të pranojmë diktat nga Brukseli.”
Kjo strategji vazhdon të ketë efekt, veçanërisht në zonat rurale, ku paralajmërimet për përfshirjen e Hungarisë në konflikte ndërkombëtare gjejnë mbështetje.
Megjithatë, kritikët theksojnë se ndryshimi është real dhe i thellë.
Në një poezi të tijën, Peter Molnar rikujton një bisedë me Orban në rininë e tyre:
“Po sikur të krijojmë demokraci dhe dikush të marrë shumë pushtet?”
“E pamundur,” ishte përgjigjja e Orban.
“Po nëse ndodh?”
“Nëse dikush merr shumë pushtet, do të ketë punë me mua.”
Sot, kjo deklaratë shihet nga disa si një kontrast i fortë me realitetin politik që Orban ka ndërtuar. /Përshtatur nga Politico/
Lini një Përgjigje