TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Shkurt 2025, 21:17

Rreziqet e mëdha të epokës së re të ndryshimeve kufitare!

Shkruar nga John P.Ruehl

Rreziqet e mëdha të epokës së re të ndryshimeve

Në mesin e diskutimeve të vazhdueshme mbi planet e Donald Trump për të zgjidhur konfliktet në Ukrainë dhe Izrael, presidenti amerikan ka ruajtur për muaj të tërë një presion të qëndrueshëm ndaj aleatëve të NATO-s.

Deklaratat e Donald Trump për aneksimin e territorit dhe njohjen e fitimeve territoriale ruse dhe izraelite, mund të përputhen me ambiciet e tij gjeopolitike. Por prishja e normave të vjetra të kufijve të fiksuar tashmë, po krijon një precedent tejet të rrezikshëm.

Në mesin e diskutimeve të vazhdueshme mbi planet e Donald Trump për të zgjidhur konfliktet në Ukrainë dhe Izrael, presidenti amerikan ka ruajtur për muaj të tërë një presion të qëndrueshëm ndaj aleatëve të NATO-s.

Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024, ai sërish mundësinë e aneksimit të territorit danez të Grenlandës, pasi e kishte deklaruar për herë të parë këtë në vitin 2019. Pasi u refuzua në atë kohë si i çuditshëm, këmbëngulja e re ndaj një plani kundër një aleati kyç, e tronditi gjithë Evropën dhe komunitetin ndërkombëtar.

Po ashtu, ai shpalli  qëllimin e tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të në të SHBA-së.  Konflikti i dhunshëm midis dy kombeve, vazhdoi deri në mesin e shekullit XIX-të, por ideja e një aneksimi përmes luftës duket sot e paimagjinueshme, për shkak të sfidave logjistike, lidhjeve të thella dhe marrëdhënieve miqësore midis SHBA-së dhe Kanadasë.

Megjithatë Trump nuk është tërhequr përballë kritikave. Madje ai ka paralajmëruar aneksimin e Kanalit të Panamasë dhe Gazës, duke ngritur shqetësime të mëtejshme se vendi më i fuqishëm në botë, po e mendon seriozisht zgjerimin e ri territorial.

Motivimet e Trump - qoftë një taktikë tregtare kundër Kanadasë, sigurimi i të drejtave ë të mëdha ushtarake në Grenlandë apo arsye të tjera - mbeten të paqarta. Por kjo politikë ekspansioniste e Uashingtonit përkon me negociatat e shpejta me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, me gjasë duke i dhënë territore Moskës.

Ndërkohë, Izraeli po shqyrton konsolidimin e kufijve të tij, duke përfshirë dëbimet e mundshme të përhershme të palestinezëve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, dhe zyrtarizimin e aneksimit të Lartësive Golan në pjesën siriane.

Pasi u shpërfillën si një teatër politik, veprimet e Trump duken tani pjesë e përpjekjeve më të gjera për të ndryshuar diskursin mbi kufijtë, dhe duke rrezikuar fillimin e një epoke të paparashikueshme të ripërtëritjes së konflikteve territoriale.

Pas Luftës së Dytë Botërore, komuniteti ndërkombëtar  i rezistoi në përgjithësi  ndryshimeve të kufijve, madje edhe në kontekstin e dekolonizimit. Dhe e bëri këtë nga frika e përhapjes së destabilitetit, shkëputjeve dhe pushtimit.

Ndërkohë Marrëveshja  e Helsinkit e vitit 1975, çimentoi kufijtë e Evropës së pasluftës, duke dekurajuar ndryshimet e dhunshme të kufijve dhe lejuar vetëm rregullime paqësore dhe të dakorduara reciprokisht. Optimistët shpresonin se ky model do të mbijetonte edhe pas Luftës së Ftohtë.

Ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990, u pasua nga ndarja paqësore e Çekosllovakisë  në vitin 1992. Ndërsa mosmarrëveshjet territoriale në Evropën Perëndimore ishin reduktuar në disa beteja ligjore, si pjesë e një qasjeje shumëpalëshe, institucionale për zgjidhjen e konflikteve, e cila pritej të përhapej në Evropën Lindore dhe më gjerë.

Megjithatë, mosmarrëveshjet territoriale shpërthyen në shtetet e reja të pavarura që dolën nga Evropa ish-komuniste, pa rrugë të qarta për zgjidhjen e tyre. Në ish-Bashkimin Sovjetik, separatistët e mbështetur nga Rusia në Moldavi dhe Gjeorgji  i mbanin enkas konfliktet të pazgjidhura.

Përfshirja e SHBA-së dhe NATO-s në ish-Jugosllavi solli një paqe të paplotë. Edhe përpjekjet për pavarësi të mbështetura nga Perëndimi në Eritre (1993) dhe  Sudanin e Jugut (2011) çuan në një dhunë të zgjatur, teksa lëvizjet e tjera separatiste dhe aneksuese vazhduan të testonin përkushtimin e Perëndimit për të menaxhuar integritetin territorial në nivel global.

Pavarësisht këtyre sfidave, përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të ruajtur status quo-në, patën kryesisht sukses deri në vitin 2022, kur Rusia nisi luftën më të madhe të zgjerimit territorial në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Edhe pse dhanë miliarda euro ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën dhe e kanë penguar Rusinë të pushtojë Kievin, fuqitë perëndimore nuk ishin në gjendje të parandalonin inkursionin e Rusisë. Kufijtë e ekspozuar të mekanizmit parandalues të armëve perëndimore, e kanë lëkundur besimin tek qëndrueshmëria e kufijve të njohur tashmë.

Nëse ka mbërritur një epokë e re e ndryshimeve territoriale, Trump duket i prirur për ta normalizuar atë dhe e pozicionuar SHBA-në si përfituesin e saj kryesore. Edhe kontrolli de fakto mbi Grenlandën apo Kanalin e Panamasë pa një aneksim të plotë - ndërsa po negociohen ndryshimet e kufijve diku tjetër - nxjerr në pah dobësinë e kufijve të caktuar në mbarë botën, dhe e lejon SHBA-në të pretendojë dominimin në një rend botëror në ndryshim.

Po kjo qasje mund t’i hapë punë jo vetëm SHBA-së, por edhe fuqive të tjera të mëdha. Kina ka mosmarrëveshje të shumta territoriale që mund të përshkallëzohen. Tensionet mbi Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore, mund të çojnë në përplasje me SHBA-në dhe aleatët e saj.

Kina dhe India, vazhdojnë të zihen mbi kufirin midis tyre në Himalaja. Pavarësisht nga ulja e tensioneve kohët e fundit, India dhe Pakistani mbeten të bllokuar në  përplasjen e tyre mbi Kashmirin, dhe rreziku mbetet i lartë për shkak të kërcënimit bërthamor. Shpërthimi i dhunës në vendet e Amerikës Qëndrore apo edhe Jugore, mund të përkeqësojë krizën e emigrantëve në kufirin jugor të SHBA-së, duke testuar nëse kufijtë amerikanë janë fleksibël dhe mjaftueshëm të fortë për të përballuar presionet e shtuara.

Pavarësisht përpjekjeve për të mbrojtur integritetin e kufijve, kufijtë e epokës koloniale, ankesat e krijuara prej kohësh dhe kolapset e papritura të shtetit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, e kanë sfiduar stabilitetin territorial, teksa Perëndimi është përpjekur të ruajë rendin.

Strategjia e Trump, sugjeron që menaxhimi i territorit global është diçka që nuk ia vlen. Ndaj administrata e tij po fokusohet në forcimin e kufijve në vend, teksa po shfrytëzon dobësitë jashtë vendit.

Ndryshimet në Ukrainë dhe Izrael mund të mos ndodhin brenda natës, por vitet e përgatitjes bazë, së bashku me diskutimet e vazhdueshme, mund të përshpejtojnë procesin dhe të përfshijnë zgjerimin territorial të SHBA-së.

Është e pasigurt nëse vendet e tjera apo administratat e ardhshme do t’i pranojnë këto lëvizje. Megjithatë, nëse Uashingtoni vendos një standard të ri, ai do të nxisë kombet e tjera që të ndjekin më hapur ndryshimet territoriale, duke nxitur spastrimin etnik dhe madje edhe gjenocidin.

Aftësia e Uashingtonit për ta kontrolluar këtë dinamikë është e paprovuar, siç është edhe përgjigja e tij ndaj mosmarrëveshjeve të huaja në zhvillim dhe përpjekjeve të mundshme të shkëputjes së brendshme. Ndërsa marrëveshjet me Rusinë dhe Izraelin mbi territorin, mund t’i japin Shtëpisë së Bardhë frymëmarrje politike, ajo që do të ndodhë më tej është supozimi i kujtdo./Përshtati "Pamfleti" nga “Eurasia Riview”

Lini një Përgjigje