
Kanë dalë detaje të reja nga aksidenti i rëndë ajror në Kolumbinë jugore, ku një avion ushtarak Hercules u rrëzua me 125 persona në bord, pjesa më e madhe anëtarë të forcave të sigurisë.
Sipas autoriteteve, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat dhjetëra të mbijetuar. Fillimisht u raportua për 48 persona të shpëtuar, por më vonë presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, konfirmoi se numri ka shkuar në 77 të mbijetuar, ndërsa një person ka humbur jetën. Për 43 persona të tjerë ende nuk ka një status të qartë.
Avioni tip C-130 Hercules u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga pista ajrore në Puerto Leguízamo, pranë kufirit me Perunë, rreth orës 09:50 të mëngjesit të së hënës. Në bord ndodheshin 11 anëtarë të Forcave Ajrore dhe 114 ushtarë të Ushtrisë Kombëtare.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt strukturave mjekësore në zonë, ndërsa helikopterë ambulancash dhe avionë të specializuar janë angazhuar për t’i dërguar të mbijetuarit në kryeqytetin Bogota për trajtim më të avancuar.
Autoritetet kolumbiane kanë bërë të ditur se janë aktivizuar të gjitha protokollet për përballimin e situatës dhe mbështetjen e familjarëve të viktimave, ndërsa një hetim i plotë ka nisur për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Lini një Përgjigje