
Një studim i ri shkencor ngre dyshime mbi përfitimet e kanabisit mjekësor për trajtimin e çrregullimeve mendore, duke sugjeruar se ai mund të shkaktojë më shumë dëm sesa dobi.
Sipas raportimit të “The Times”, analiza nuk gjeti prova të mjaftueshme që mbështesin përdorimin e kanabisit për trajtimin e ankthit, depresionit apo sindromës së stresit post-traumatik.
Studimi përbën një nga analizat më të gjera mbi sigurinë dhe efektivitetin e kanabinoideve në shëndetin mendor, në një kohë kur përdorimi i kanabisit mjekësor është në rritje në vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Autori kryesor, Jack Wilson nga Universiteti i Sidneit, paralajmëroi për pasojat e mundshme të përdorimit rutinë.
“Përdorimi rutinë i kanabisit mjekësor mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi, duke përkeqësuar shëndetin mendor, duke rritur rrezikun e simptomave psikotike dhe zhvillimin e varësisë”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se përdorimi i kanabisit mund të vonojë aplikimin e terapive më efektive për pacientët.
Studimi analizoi 54 kërkime të zhvilluara ndër vite dhe identifikoi vetëm disa raste të kufizuara ku kanabisi mund të ketë efekt pozitiv, si në lehtësimin e simptomave të autizmit, pagjumësisë apo sindromës Tourette.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se provat mbeten të dobëta dhe kërkohen studime më të thelluara për të nxjerrë përfundime të sigurta.
Lini një Përgjigje