
Ndryshimet e mëdha gjeopolitike në Evropë, nga pushtimi rus i Ukrainës tek aplikimet për anëtarësim në BE nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia e kanë bërë edhe më të rrezikshme pasigurinë në marrëdhëniet midis dy brigjeve të Atlantikut.
Është koha e Donald Trump. Me inaugurimin e mandatit të dytë të presidentit më të diskutueshëm dhe polarizues në historinë e Shteteve të Bashkuara, 20 janari shënoi edhe fillimin e një sezoni të ri për marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Brukselit.
Por edhe për një nga çështjet më delikate për të ardhmen e të gjithë kontinentit: procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. “Ne nuk kemi ndonjë ide të qartë, mbi atë që ka ndërmend të bëjë Trump”-thotë Rosa Balfour, drejtore e institutit Carnegie Europe.
Megjithatë hamendësimet nuk mund të mos fillojmë nga ajo që ndodhi gjatë mandatit të parë të Trump midis viteve 2016-2020, kur “nën presidencën e tij, Shtetet e Bashkuara nuk e mbështetën procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë”.
Pesë vjet më vonë, ndryshimet e mëdha gjeopolitike në Evropë - nga pushtimi rus i Ukrainës tek aplikimet për anëtarësim në BE nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia - e kanë bërë edhe më të rrezikshme pasigurinë në marrëdhëniet midis dy brigjeve të Atlantikut.
Gjithsesi, nëse një zhvendosje e madhe e vëmendjes së Shtetet e Bashkuara nga Evropa, mund të rrezikojë krijimin e destabilitetit në rajonet veçanërisht të brishta, në të njëjtën kohë mund të bëhet jetik roli i zgjerimit të BE-së, si një mjet për të garantuar sigurinë e të gjithë kontinentit.
Një nga rajonet, ku mund të jenë më të rrezikshme përplasjet midis Shteteve të Bashkuara të Trump dhe Bashkimit Evropian, është Ballkani. Procesi tashmë 20-vjeçar i anëtarësimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor - i rigjallëruar vetëm për shkak të pasojave të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës - mund të hyjë në një spirale krize potencialisht të parikthyeshme.
“Një mosangazhim i mundshëm i shërbimeve diplomatike dhe të inteligjencës amerikane, do të krijonte një boshllëk duke lejuar lulëzimin e nismave të rrezikshme në këtë rajon”- shprehet Adnan Ćerimagić, analist në Iniciativën Evropiane të Stabilitetit (ESI).
Sipas tij, një marrëdhënie e dobësuar midis Uashingtonit dhe Brukselit, do të rrezikonte përpjekjet diplomatike në Bosnje Hercegovinë, Kosovën Veriore dhe Serbi, por “nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesin aktivisht aktorët në rajon që mbështetin axhenda negative, kjo mund të ketë efekte edhe më të dëmshme për unitetin e vetë projektit evropian”.
Lidhjet e ngushta midis Beogradit dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner, janë të mirënjohura tashmë, ashtu si ato midis presidentit të SHBA dhe disa prej liderëve më të diskutueshëm të Evropës: kryeministrit hungarez Viktor Orbán, presidentit të entit federativ serb në Bosnje Milorad Dodik dhe presidenti serb Aleksandar Vucic.
Në skenarin më të keq “Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje të ketë ndonjë ndikim pozitiv, sepse disa nga anëtarët e tij do të ndjekin axhendën e Trump” paralajmëron Ćerimagić. Ajo që shkakton shqetësim më të madh është axhenda separatiste e Republikës Srpska në Bosnje Hercegovinë, por edhe plani i shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës - Lugina e Preshevës t’i kalojë Prishtinës, ndërsa veriu i Kosovës Beogradit - i propozuar tashmë nga ish i dërguari special i SHBA-së për negociatat Serbi-Kosovë, Richard Grenell gjatë mandatit të parë të Trump.
Ky plan u braktis vetëm për shkak të kundërshtimit të ashpër nga Gjermania. Nuk mund të përjashtohet mundësia që interesat e ngushta të familjes Trump, të pengojnë përpjekjet e Brukselit për të ndërmjetësuar një negociatë shumë delikate për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në mandatin e ri presidencial.
Megjithatë, ekziston edhe një skenar pozitiv për zgjerimin e BE-së gjatë mandatit të dytë të Trump. Ćerimagić nënvizon se boshllëku i mundshëm nga Shtetet e Bashkuara në rajon, mund ta nxitë Brukselin të “përshpejtojë përpjekjet e tij” për të përfshirë në union vendet e Ballkanit Perëndimor, ose të paktën për t’i sjellë shumë më afër këtij momenti.
Duke u nisur nga baza e Planit të Rritjes që po zbatohet tashmë - dhe me synimin për të korrigjuar pikat e tij të dobëta - mund të hartohet dhe miratohet një paketë e re e mbështetjes teknike dhe financiare, por ajo duhet të jetë “vetëm për ato vend që dëshirojnë vërtet të anëtarësohen në BE dhe të zbatojnë reformat e kërkuara”.
”Një plan i dytë i rritjes ekonomik, i kombinuar me një integrim të plotë në tregun e përbashkët, mund të jetë mjeti më i mirë për të pasur një ndikim pozitiv në rajon. Në çdo rast, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se të gjitha vendet kandidate do t’i bashkohen BE-së deri në vitin 2030”- thekson Ćerimagić.
Nga njëra anë, sepse ky instrument do t’u drejtohej vetëm atyre që po veprojnë në përputhje me perspektivat e anëtarësimit. Dhe ndonëse Bashkimi Evropian nuk është ende gati të zgjerohet, këto vende nuk kanë pse të vazhdojnë të presin në paradhomë, duke rritur ndjenjën e zhgënjimit, por “mund të gëzojnë sërish përfitimet e BE-së sikur të ishin shtete anëtare”.
Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian, synon edhe rajonet e Evropës Lindore dhe Kaukazit Jugor, të cilat mund të përjetojnë së shpejti pasojat direkte dhe indirekte të vendimeve të administratës së re amerikane. Duke u nisur nga qasja në raport me ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës.
Në mesin e një pasigurie të madhe mbi zgjedhjet e Trump, “ekziston një rrezik shumë i lartë, që ai të arrijë një marrëveshje me Putinin, e cila nuk do të marrë parasysh integritetin territorial të Ukrainës apo aspiratat e saj euroatlantike”, paralajmëron Balfour.
“Edhe nëse nuk duhet të presim domosdoshmërisht që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Evropën, pasi shumica e këshilltarëve të Trumpit në pozicionet kyçe janë në favor të vazhdimit të angazhimi ndaj NATO-s, klima e pasigurisë nuk mund të mos krijojë pikëpyetje mbi aftësinë e BE-së për të mbushur boshllëkun e lënë nga Shtetet e Bashkuara”-shton ajo.
Për sa i përket pritshmërive mbi rritjen e mbështetjes evropiane për Ukrainën, dyshimet më të mëdha mbi të ardhmen e këtij vendi, kanë të bëjë me faktin se “nuk po shohim unanimitet” midis vendeve anëtare, as për ndihmën ushtarake dhe as për anëtarësimin e saj të ardhshëm në BE.
Balfour shpreson se së shpejti mund të lindë një “koalicion vullnetarësh”, i udhëhequr nga Polonia, vendet baltike, vendet skandinave dhe Franca, “por nuk është e sigurt se ai do të jetë i mjaftueshëm” për të kompensuar tërheqjen e SHBA-së.
Ndërsa Gjermania mbetet “një tjetër pikëpyetje e madhe” - si për rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit, ashtu edhe për qëndrimin e kancelarit Olaf Scholz - ka “një numër në rritje vendesh që janë në favor të argumenteve dhe propagandës ruse, dhe për t’i dhënë fund luftës me çdo mjet të mundshëm”.
Në mesin e pasigurisë rreth evolucionit të marrëdhënieve midis Brukselit dhe Uashingtonit, Hungaria, Sllovakia dhe qeveria e ardhshme e ekstremit të djathtë në Austri, ka shumë të ngjarë që të jenë pengesat më të mëdha të brendshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian./Përshtati "Pamfleti", nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje