TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Janar 2025, 12:11

“Perandori” Trump dhe revolucioni i tij autoritar!

Shkruar nga Pamfleti

“Perandori” Trump dhe revolucioni i tij autoritar!

Revolucioni autoritar i Donald Trump vazhdon me një ritëm të shpejtë jo vetëm me breshëritë e urdhrave ekzekutivë për gjithçka – emigrantët, energjinë, ushtrinë, punësimin publik, taksat, çmimet, faljen e rebelëve përfshirë ata të dhunshëm, më 6 janar 2021 –por edhe përmes ndërhyrjeve në dikastere, të udhëhequra nga Departamenti i Drejtësisë.

I takon prokurores së përgjithshme, Pam Bondi, e cila gjithashtu i premtoi Kongresit pavarësinë nga Shtëpia e Bardhë, të frikësojë, hetojë ose lërë mënjanë (në pritje të shkarkimit) zyrtarë të papëlqyer për aktivitetet e kryera gjatë presidencës Biden.

Kështu shpërthen hakmarrja postume që Trump nuk mund ta zbatojë personalisht ndaj parlamentarëve që hetuan aktivitetin e tij subversiv gjatë ditës më dramatike të Republikës, atë të sulmit ndaj Capitolit (personazhe të mbrojtur nga falja presidenciale e dhënë prej Biden para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë). Janë larguar nga detyra dhe transferuar në poste të tjera rreth 15 zyrtarë të drejtësisë që kanë udhëhequr hetimet lidhur me akuzat penale kundër Trump.

Duke ndjekur vullnetin e tij për të fshirë gjithçka të bërë nga Biden, Trump ka pezulluar nga detyra dhe ka lënë në pritje të gjithë punonjësit publikë të ngarkuar për zbatimin e nismave të Drejta për integrim, diversitet etnik dhe seksual dhe barazi, të cilat presidenti i ri ka vendosur t’i eliminojë.

Me atë që aktivisti ultra-konservator Steve Bannon e ka quajtur një “tsunami masash” të përqendruara për ta bërë të vështirë denoncimin e shkeljeve dhe konflikteve me ligjet dhe Kushtetutën, Trump synon t’u heqë autonominë Shteteve duke urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të ndjekë penalisht zyrtarë dhe agjentë të autoriteteve lokale që nuk zbatojnë urdhrat e tij federale për bastisje ndaj emigrantëve të paligjshëm.

Sa u përket ushtarëve që tashmë ndodhen në kufij, por vetëm me funksione mbështetëse (sipas ligjit ushtria nuk mund të kryejë arrestime apo hetime), presidenti shprehet i gatshëm të shkelë edhe këtë normë duke iu referuar Insurrection Act të vitit 1807 dhe duke pohuar të drejtën e tij për t’i bërë ballë asaj që e përshkruan si një pushtim të Shteteve të Bashkuara, nëse brenda 90 ditëve fluksi migrator nuk ndalet plotësisht.

Shkeljet e vendosura nga Trump i justifikon me supremacinë e normave federale të garantuar nga Kushtetuta përmes Supremacy Clause. Një klauzolë që, megjithatë, balancohet nga fuqitë autonome të Shteteve të Bashkuara, të konsideruara të shenjta në Amerikë, veçanërisht nga e djathta.

“Presidenca imperiale” e Trump përpiqet ta minojë këtë ekuilibër, duke testuar kufijtë e pushtetit të tij ekzekutiv. Ai ka risjellë në fuqi Schedule F, një urdhër ekzekutiv që heq garancinë e mosshkarkimit për shumë punonjës publikë që ai dëshiron t’i largojë, një garanci e dhënë me ligj nga Kongresi. Ky vendim ishte miratuar më parë prej tij në vitin 2016, por ishte bllokuar në gjykatë dhe më pas anuluar nga Biden kur mori detyrën.

Urdhri i ri ekzekutiv tashmë është kontestuar në gjykatë nga sindikata e punonjësve të Thesarit.

Ndërkohë, pas lirimit të të gjithë kryengritësve të dënuar për sulmin ndaj Kongresit katër vjet më parë (disa prej të cilëve të ftuar në Shtëpinë e Bardhë), “The Donald” ka falur dhe ka liruar edhe Ross Ulbricht, sipërmarrësin e Bitcoin-it të dënuar dhjetë vjet më parë me burgim të përjetshëm për krijimin në dark ëeb të një sistemi pagesash të përdorur për të kryer të paktën një milion e gjysmë transaksione të paligjshme: kryesisht tregti droge të fortë që ka shkaktuar vdekjen e të paktën gjashtë personave.

Një mesazh i tipit “të gjithë janë të lirë”, që Trump ua kishte premtuar manjatëve të kriptomonedhave, për të cilat presidenti është bërë një fans i madh./Corriere Della Sera

Lini një Përgjigje