TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Janar 2025, 12:20

Ç’ndodh nëse Putin refuzon paqen? Nga plani “B” i Uashingtonit, tek trupat paqeruajtëse të Londrës dhe Parisit

Shkruar nga Paolo Rossetti

Ç’ndodh nëse Putin refuzon paqen? Nga plani “B” i

Nëse Ukrainës do t’i duhet të rekrutojë më të rinjtë për të stabilizuar situatën në front, kjo ndodh sepse nëse Putin i thotë jo Trumpit, në Uashington ekziston vullneti për ta vazhduar konfliktin.

Pritshmëria “mesianike” e Donald Trump si një paqe-bërës në Ukrainë, mundet të rezultojë të jetë edhe zhgënjyese. Skenari i përfundimit të luftës, nuk është më i vetmi që po merret në konsideratë nga Shtetet e Bashkuara. Ajo synon të ndalë luftimet, por në të njëjtën kohë i ka kërkuar ukrainasve që të ulnin moshën e rekrutimit në ushtri.

Ndërkohë Maurizio Boni, gjeneral korpusi i ushtrisë italiane dhe kolumnist për “Analisi di Difesa”, thotë se Franca dhe Britania e Madhe mund të jenë në krye të një force ushtarake të mundshme paqeruajtëse në Ukrainë. Ato po përgatiten që të luftojnë edhe ndaj Bjellorusisë, apo të mbrojnë Kievin e rrethuar nga rusët, në rast se do të ndodhte skenari më i keq për ukrainasit.

Me pak fjalë, rrezikon të vazhdojë konflikti i nisur gati 3 vjet më parë.

Sekretari i ri i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, thotë se palët do të duhet të bëjnë lëshime, por ende nuk dihet se cilat janë ato, dhe derisa të përcaktohen, mund të kalojë shumë më tepër kohë e se sa “24 orët” e famshme të shpresuara fillimisht nga Trump.

Ndërsa pret takimin me Putin, presidenti amerikan duket se synon tani që ta armatosë Ukrainën nëse president rus nuk pranon paqen e tij. Ose të çarmatosë Kievin nëse Zelensky nuk pajtohet me planin e tij. Ç’duhet të presim tani që ka filluar “epoka Trump”?

Administrata Trump premtoi të zgjidhte gjithçka brenda 2 ditësh. Pastaj afati u zgjat në 100 ditë, dhe së fundmi në 6 muaj. Tani Sekretari i ri i Shtetit Marco Rubio, thotë se Rusia dhe Ukraina duhet të bëjnë lëshime, duke harruar se nuk ka ende shumë qartësi se si mund t’i jepet fund konfliktit.

Ne nuk e dimë se për çfarë lëshimesh bëhet fjalë. Ndërkohë, lufta do të vazhdojë. Në fakt këshilltari i ri të sigurisë kombëtare të Trump, Mike Waltz, e ka nxitur Ukrainën të ulë në 19 vjeç moshën e mobilizimit. Kjo deklaratë, shkon në drejtimin e kundërt me hipotezën e një negocimi. Nëse Ukrainës do t’i duhet të rekrutojë më të rinjtë për të stabilizuar situatën në front, kjo ndodh sepse nëse Putin i thotë jo Trumpit, në Uashington ekziston vullneti për ta vazhduar konfliktin.

Perspektiva e paqes, u duk fillimisht si e vetmja për Trump, ndërkohë që paska edhe alternativa...

Putini është shprehur i gatshëm të takohet me Trump. Megjithatë, ekziston një qëndrim i përbashkët i Biden, Trump dhe Putin: vlerësimi shumë i pakët që kanë për udhëheqjen  evropiane, jo vetëm për atë të secilit shtet individual, por edhe për BE-në në tërësi.

Aq sa Von der Leyen, nuk ishte në mesin e ftuarve në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Në çdo rast, e dimë shumë mirë se Trump nuk e pëlqen Evropën. Nuk e ka pëlqyer asnjëherë. Ndaj në tryezën e negociatave, do të ulen vetëm SHBA-ja dhe Rusia.

Megjithatë në Evropë ka lëvizje, si për shembull Britania e Madhe dhe Franca. Çfarë synimesh kanë?

Britanikët duan të drejtojnë forcën paqeruajtëse që do të vendoset në Ukrainë. Ndërkohë francezët kanë përgatitur 2.000 trupa që do të dërgohen në Ukrainë. Ato do të përgatitën edhe për një luftë të mundshme ndaj Bjellorusisë. Ka disa vende që po shohin përpara, duke përgatitur plane dhe ofruar udhëheqje pa u konsultuar me askënd, ndërsa të tjerët presin udhëzime.

Pra nëse do të vijë paqja, do të jetë pa përfshirjen e Evropës?

Sigurisht. Dhe kjo pavarësisht se është vetë Evropa, ajo që duhet të “mbledhë copat” e kësaj lufte. Duke iu rikthyer forcës së mundshme paqeruajtëse, Ministri i Jashtëm rus Lavrov përsëriti në konferencën për shtyp në fund të vitit të shkuar, se Rusia është absolutisht kundër vendosjes së çdo lloj kontigjenti në territorin ukrainas. Ndërkohë Britania e Madhe sapo ka nënshkruar një marrëveshje sigurie 100-vjeçare me Kievin, e cila parashikon ndërtimin e bazave ushtarake në Ukrainë.

Ndërkohë, në fushën e betejës situata për ukrainasit sa vjen e përkeqësohet. Shefi i ushtrisë Sirsky, thotë se mobilizimi ka qenë i pamjaftueshëm, dhe në një takim me përfaqësuesit e parlamentit, ka thënë se lufta do të përfundojë maksimumi brenda 6 muajve të parë të këtij viti. Cila është situata sipas jush?

Shqetësimet e përfaqësuesve politikë dhe deklaratat e tyre, konfirmojnë një analizë të bërë prej muajsh, se lufta nuk mund të vazhdojë dot përtej pranverës së këtij viti. Kjo duke supozuar se nuk do të ketë surpriza më herët, sepse tani rusët janë një hap larg pushtimit të gjithë rajonit Donetsk.

Pasi ta arrijnë këtë, a mund të bëhen të pangopur dhe të vazhdojnë më tej?

Mendoj se Rusia nuk ka vullnet dhe as interes për të vazhduar më tej. Nuk e di nëse rusët po konsiderojnë një tjetër sulm ndaj kryeqytetit Kiev, por gjykoj se nuk e shohin të volitshme të kalojnë një kufi të caktuar, para së gjithash për shkak të problemeve që do të kishin në menaxhimin e territoreve të pushtuara. Në territoret e pushtuara, deri tani ka popullata që ndihen si ruse. Por sa më larg të shkosh më në perëndim, shkon drejt pjesës së Ukrainës, e cila është shumë armiqësore ndaj rusëve.

Pra, do të ishte shumë më problematik për Moskën menaxhimi i këtyre zonave...

Në përpjekje për t’i kontrolluar ato territore, do të përballej me dukuri të tilla si Afganistani, Iraku. Do të ndeshej me popullsi që nuk duan të qeverisen nga rusët. Pastaj duhet marrë parasysh edhe aspekti demografik. Nga pikëpamja ushtarake, rusët nuk mund të kalojnë një nivel të caktuar. Sepse do të fillojë të jetë problem rekrutimi i ushtarëve, teksa tendenca demografike nuk është në favor të tyre. Popullsia ruse ka një lindshmëri shumë të ulët, prandaj në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, Moskës nuk ia vlen që të përparojë më tej.

Por politikisht do të ishte i dobishëm vazhdimi i përparimit?

Rusia e fitoi këtë luftë. Putin do të ndalet në Ukrainë. Ai nuk është i interesuar të shkojë më tej dhe të mendojë për të pushtuar Poloninë, vendet skandinave apo baltike. Ai po ndërton me BRICS aksin alternativ ndaj atij të Shteteve të Bashkuara, dhe vazhdimi i luftës do ta dëmtonte shumë dukshmërinë e tij politike. Për të gjitha këto arsye, besoj se rusët do të arrijnë një pikë të caktuar dhe më pas do të ndalen.

Një element ky që do të ndikojë edhe tek negociatat?

Trump duhet ta ketë parasysh këtë. Por sesi do ta trajtojë ai situatën, kjo mbetet ende një pikëpyetje e madhe. Nëse Putin i thotë “Jo”, presim një ringjallje të konfliktit, deri në ukrainasin e fundit./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”

 

Lini një Përgjigje