TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Nëntor 2024, 21:12

Rikthimi i Trump dhe ngritja e një mafie të re globale!

Shkruar nga Natalia Viana

Rikthimi i Trump dhe ngritja e një mafie të re globale!

Për mashtruesit dixhitalë, pro fryjnë erëra të mbara.

Isha aq e impresionuar nga blerja e paturpshme e Shtëpisë së Bardhë nga ana e Elon Musk, sa që nuk vura re shfaqjen e një mafie të re dixhitale, që po formonte një aleancë të fortë rreth presidentit të porsazgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Një aleancë, që tashmë ka përfituar jashtëzakonisht shumë që nga zgjedhjet fatale të 5 nëntorit. Fitimtarët më të mëdhenj janë baronët e kriptomonedhave. Për ata që nuk e kanë vënë re, po ju përmend një fakt:që nga fitorja e Trump, kriptomonedhat kanë arritur vlera rekord.

Kështu Bitcoin e kaloi çmimin 80.000 dollarë për një copë, duke vendosur një rekord të ri. Vlerësohet se tregu i kriptomonedhave fitoi 230 miliardë dollarë brenda 24 orëve të para pas shpalljes së fituesit të zgjedhjeve presidenciale.

Kjo rritje ndodh kryesisht sepse ata parashikojnë një presidencë, e cila do të jetë tërësisht në favor të kriptomonedhave, që vitet e fundit janë përballur me akuza penale në lidhje me mashtrimin, teksa përballen edhe me mundësinë e mos-miratimit nga entet e ndryshme të rregulloreve që duan ata.

Për më tepër, atyre që pretendojnë se administrata e presidentit në ikje, Joe Biden, ka qenë e dobët, u sugjeroj të analizojnë veprimet e ndërmarra për të rregulluar Perëndimin e Egër (Far West) dixhital. Përveç veprimeve të ndryshme kundër kompanive kryesor të teknologjisë, Big Tech, në shënjestër u vendosën edhe kriptomonedhat.

Sjellja e administratës Biden ndaj kriptomonedhave

Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimet (SEC), që rregullon tregjet e aksioneve, i ka vendosur ato në fokusin kryesor të hetimeve. Nën udhëheqjen e kryetarit Gary Gensler, një ish-profesor dhe investitor i MIT, SEC ka paditur kompanitë e shkëmbimit të kriptomonedhave si Binance dhe Kraken, por edhe Ripple Labs, që emeton kriptomonedhën XRP.

është interesant fakti që drejtuesi ekzekutiv i Ripple, bëri hapur fushatë kundër Biden dhe në favor të Trump. Në fillim të tetorit, Gensler tregoi se si ishte bërë “armiku” i kriptove në Shtetet e Bashkuara. Gjatë një aktiviteti në Universitetin e Nju Jorkut, ai deklaroi se kriptomonedhat nuk ka gjasa të konsiderohen ndonjëherë si monedha të vërteta.

Sipas tij, ato shërbejnë thjesht si një rezervë vlerash, siç janë pikturat apo veprat e tjera të artit. Një nga shqetësimet e tij kryesore, është se industria e kriptove është e mbushur me “shumë mashtrues dhe me shumë mashtrime”. Në një vend të korruptuar si SHBA-ja, është një rast klasik i qasjes “Ti më kruan kurrizin tim, dhe unë do të kruaj tëndin!”.

“Drejtuesit kryesore në këtë sektor, janë sot ose në burg ose në pritje të ekstradimit“, shtoi ai.

Qasja e Gensler bazohet në shkencën ekonomike. Ai shpjegoi para audiencës se sipas Ligjit të Gresham, paratë e këqija i dëbojnë paratë e mira. Për këtë arsye, vendet priren të kenë vetëm një monedhë kombëtare.

“Debate të tilla, e kanë origjinën që nga Platoni dhe Aristoteli. Pra një histori 3000-vjeçare. Flitet për qindra kombe të mëdha dhe mijëra shtete-kombe të vogla. Prirja është të ketë një monedhë për çdo shtet”, nënvizoi Gensler.

Veprimet pro-kriptove të Donald Trump

Pa përmendur Platonin apo Aristotelin, Trump premtoi gjatë fushatës së tij se do ta shkarkonte Gensler “që në ditën e parë” të administratës së tij. Zëvendësuesi më i mundshëm është Dan Gallagher, një entuziast i kriptove, që më parë ka punuar në SEC dhe aktualisht është avokat i Robinhood, një kompani që tregton kriptomonedha dhe aksione nëpërmjet një aplikacioni.

Po ashtu, Trump premtoi të lirojë nga burgu Ross Ulbricht, themeluesin e Silk Road, një dyqan dixhital i mundësuar nga Bitcoin, që po vuan një dënim me burgim të përjetshëm që nga viti 2013. Trump shkoi më tej duke e përqafuar “kauzën e kriptove” gjatë fushatës së tij.

Në korrik ai mori pjesë në Konferencën e Bitcoin në Nashville të shtetit të Tenesit. Atje ai ofroi një takim privat për cilindo që dëshironte të paguante 800.000 dollarë. Ai premtoi se do ta shndërronte SHBA-në në një “Superfuqi të Bitcoin”.

Po ashtu, ai ka hedhur në treg kriptomonedhën World Liberty Financial, mbështetur nga një kriptolog i njohur me nofkën WLFI. Në tetor, kompania e tij njoftoi planet për të mbledhur deri në 30 milionë dollarë nga investitorët. Sipas CNBC News, një njësi ekonomike e quajtur DT Marks DEFI LLC - e lidhur me presidentin e zgjedhur - do të marrë 75 për qind të të ardhurave neto nga kjo monedhë.

Dhe siç ndodh gjithmonë në lojërat e pushtetit, asnjëra nga këto gjëra nuk ndodhi spontanisht. Ato janë produkt i veprimeve të ndërmarra nga disa investitorë të kriptove, të cilët vendosën të financojnë kandidatë të favorshëm për ta.

Korrupsioni në Shtetet e Bashkuara...

Një raport i shkëlqyer nga Bloomberg, e përshkruan shumë qartë këtë situatë. Sipas tij, Brian Armstrong, një miliarder themelues i kriptomonedhës Coinbase, dhe që u padit nga SEC vetëm 3 muaj më parë, njoftoi gjatë një konferencë në Nju Jork, se industria mund të bindë qeverinë e ardhshme që të zbatojë rregulla më të favorshme.

Ne duhet të jemi realistë. Paratë e hedhin ujin përpjetë!”, tha Armstrong. Kështu, ai mbështeti Fairshake PAC - Komitetin e Veprimit Politik, një organizatë që mbledh para për kandidët në zgjedhje - dhe i inkurajoi investitorët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.

Fairshake dhe grupet e lidhura me to shpenzuan 135 milionë dollarë për zgjedhjet e fundit. Dhe patën sukses:47 nga 56 kandidatë që mbështetën siguruan vendet e tyre në Kongres. Megjithëse ky PAC qëndroi jashtë garës presidenciale, investitorë të tjerë si binjakët Winklevoss (themeluesit e Exchange Gemini) dhe Jesse Powell (bashkëthemeluesi i Kraken) shpenzuan miliona dollarë për fushatën e Trump.

Mbështetësit e tjerë të Trump nuk e fshehën gëzimin për fitoren e tij. Midis tyre ishin Richard Teng, kreu i Binance (i cili u gjobit me 4.3 miliardë dollarë për pastrim parash dhe shkelje të rregullave të SEC) dhe Alex Thorn, kreu i kërkimit në Galaxy Digital.

Unë nuk besoj se “ajo që ndodh në Shtetet e Bashkuara, ndodh edhe në Brazil”, tha ish-Ministri i Turizmit Gilson Machado Neto, duke shpresuar për rikthimin në pushtet edhe të Jair Bolsonaros. Por unë jam e sigurt se të gjitha gjërat e këqija që ndodhin në SHBA, mund të frymëzojnë oportunistët në Brazil dhe kudo tjetër.

Në fakt, disa po përfitojnë tashmë nga ethet e kriptomonedhave pas rizgjedhjes së Trump për një mandat të dytë. Vetëm ditët e fundit, faqja në internet e radios braziliane “Jovem Pan” publikoi tre artikuj të sponsorizuar duke lavdëruar kriptovalutat me tituj si “Presidenca e Trump rrit vlerën e Bitcoin, dhe mund të ndihmojë një kriptomonedhë tjetër të rritet me deri në 30.000 për qind të vlerës në 10 muaj”.

Të gjithë artikujt, përmbanin lidhje që çonin tek Empiricus, një kompani e specializuar në ofrimin e informacionit financiar, me fokus kryesor kriptomonedhat. Dhe megjithëse këto tekste janë të sponsorizuara, emri i Empiricus si sponsor është i fshehur në shkronja të vogla. Me fjalë të tjera: mbajini sytë hapur; sepse mund të shohim një bum të ofertave dhe shpikjeve të kriptove. Për mashtruesit dixhital, pro fryjnë erëra të mbara./Përshtati "Pamfleti" nga “Worldcrunch”

Lini një Përgjigje