
Suedia dhe Finlanda kanë nisur të përgatisin qytetarët për luftë. Pas vendimit të Biden për të lejuar Ukrainën të godasë brenda territorit rus, vendet skandinave janë shqetësuar.
Suedia ka nisur t’iu dërgojë banorëve rreth pesë milionë pamflete, duke iu bërë thirrje që të përgatiten për mundësinë e luftës.
Po ashtu edhe shteti fqinj, Finlanda, ka lansuar një faqe të internetit me thirrje të ngjashme.
Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë hequr dorë nga neutraliteti që kanë ruajtur për dekada, dhe i janë bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Prej nisjes së luftës, Stokholmi u ka bërë thirrje vazhdimisht suedezëve që të përgatiten si mendërisht, ashtu edhe në aspektin logjistik për mundësinë e luftës, duke përmendur situatën serioze të sigurisë në afërsi.
Udhëzuesi “Nëse përballemi me krizë apo luftë”, i nisur prej Agjencisë Suedeze të Kontigjencave Civile, përmban informacion se si duhet të përgatiten banorët për emergjenca sikurse lufta, katastrofat natyrore dhe sulmet kibernetike.
Udhëzuesi është një version i përditësuar i pamfletit që Suedia e ka lëshuar pesë herë prej Luftës së Dytë Botërore.
Versioni paraprak, i nisur më 2018, ka qenë i pari që u është dërguar suedezëve prej vitit 1961, periudhë e Luftës së Ftohtë.
Në dy javët e ardhshme, udhëzuesin pritet ta pranojnë 5.2 milionë shtëpi në Suedi.
Udhëzuesi është përgatitur në gjuhën suedeze dhe në disa gjuhë tjera. Po të hënën, Qeveria në Finlandë, e cila ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë, e ka lansuar një uebfaqe me informacione për përgatitje të banorëve për kriza të ndryshme.
Lini një Përgjigje